Kosova

Reagojnë studentët shqiptarë kundër deklarimeve skandaloze për Kosovën të deputetit të Gjenevës

“Ne i kundërshtojmë pa rezerva të gjitha deklaratat e bëra nga deputeti Guy Mettan. Pavarësia e Kosovës është rezultat i një lufte të gjatë për vetëvendosje”, thuhet në reagimin e studentëve shqiptarë në Gjenevë, shkruan albinfo.ch.

Zhvillimet në Ukrainë dhe krahasimet e kësaj situate me Kosovën kanë nxitur debat në Zvicër nga politikani nga Gjeneva, Guy Mettan, i cili,  duke mbrojtur Putinin dhe sulmin rus, e barazoi agresionin e tij me sulmet e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, shkruan Albinfo.ch.

Kundër deklarimit të tij ka reaguar edhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës.

“Ne i kundërshtojmë pa rezerva të gjitha deklaratat e bëra nga deputeti Guy Mettan. Pavarësia e Kosovës është rezultat i një lufte të gjatë për vetëvendosje”, thuhet në reagimin e studentëve shqiptarë në Gjenevë, shkruan albinfo.ch.

Në vijim reagimi i plotë i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Gjenevës:

Deputeti i Parlamentit të Gjenevës, Guy Mettan, ditëve të fundit ka bërë komente skandaloze për Kosovën në disa emisione televizive dhe radiofonike. Ai ndërton një paralele të rrezikshme ndërmjet ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe pushtimit rus të Ukrainës.

Më 22 shkurt 2022, në Léman Bleu, Guy Mettan pohon se Kosova është një shtet secesionist. Më 24 shkurt 2022, në të njëjtin program, përballë Micheline Calmy-Rey, Guy Mettan konsideron se nuk ka pasur ndonjë rrezik humanitar që kërkonte intervenimin e NATO-s në Kosovë. Përveç kësaj, ai thotë: “Masakra e rreme e Reçakut, që është montazh i plotë”.

Po atë mbrëmje, në emisionin Infrarouge, ai konteston njohjen e pavarësisë së Kosovës. Të nesërmën, në programin radiofonik “Forum” të 25 shkurtit 2022, Guy Mettant tha: “Ne e copëtuam Serbinë, krijuam shtetin e Kosovës, e njohëm këtë shtet kriminal”.

Pse kjo pamëshirshmëri e një deputeti të parlamentit të Gjenevës? Përtej funksionëve të deputetit të parlamentit, ai ishte President i Parlamentit të Gjenevës, ish-përfaqësues i zgjedhur i Partisë Demokristiane (PDC), tani “Le centre”, ai u dekorua me Urdhrin e Miqësisë Ruse, siç ishte edhe Bashar Al-Assad me dekretin presidencial të Vladimir Putin. Këtë medalje, ai e fiton për shkak të angazhimit të tij të palodhur ndaj Kremlinit.

Ne i kundërshtojmë pa rezerva të gjitha deklaratat e bëra nga deputeti Guy Mettan. Pavarësia e Kosovës është rezultat i një lufte të gjatë për vetëvendosje. Shqiptarët e Kosovës ishin viktima të aparteidit, të spastrimit etnik. Për çështjen e pavarësisë dhe njohjen e saj nga perëndimi dhe bota demokratike, dëshirojmë të rikujtojmë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili konfirmoi përputhshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës me të drejtën ndërkombëtare.

Guy Mettan konteston masakrën e Reçakut, një masakër e kryer nga aparati ushtarak serb i cili mori 45 viktima civile, mes tyre pleq, gra dhe fëmijë. Shumë prej tyre i kishin duart e lidhura pas shpine dhe disa prej tyre ishin gjymtuar. Disa nga familjet e viktimave kanë gjetur strehim në Zvicër, veç tkerash, edhe në Gjenevë. Kërkojmë nga Parlamenti i Gjenevës, si dhe nga formacionet e ndryshme politike që përbëjnë këtë parlament, të mbajnë qëndrim për deklaratat e bëra nga kolegu i tyre deputet, të cilat cenojnë drejtpërdrejt nderin e familjeve të viktimave, si dhe të 350,000 qytetarëve zviceranë, me prejardhje shqiptare.

Ftojmë të gjitha shoqatat shqipfolëse në Gjenevë dhe Zvicër të mbështesin indinjatën tonë dhe rezervojmë të drejtën që në ditët në vijim të nisim një procdurë penale kundër Guy Mettan. Është për keqardhje që çështja e pavarësisë së Kosovës po kthehet sot në debate në lidhje me konfliktin në Ukrainë. Ajo që ka rëndësi sot është mbrojtja e integritetit territorial të Ukrainës dhe e drejta e saj për vetëvendosje. Së fundi, dëshirojmë të shprehim mbështetjën tonë për popullin ukrainas”, thuhet në përfundim të reagimit të Shoqatës së Studentëve shqiptarë të Gjenevës, nënshkruar nga: Edon Duraku, Leonard Ferati, dhe Valon Kurteshi.