Raporti i Martyt i planifikuar për goditjen e shtetit të Kosovës

Akuzat e raportuesit të Këshillit të Evropës, Thaçi i quan të orkestruara nga një “klub anti-pavarësisë” së Kosovës

Kryeministri i Kosovës në largim Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën Express, ka thënë se me Dick Martyn do ta çojë deri në fund, jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht.

Akuzat e raportuesit të Këshillit të Evropës, Thaçi i quan të orkestruara nga një  “klub anti-pavarësisë” dhe se raporti ka qenë i planifikuar për goditjen e shtetit të Kosovës.

Në këtë intervistë për gazetës Express, Thaçi ka thënë se akuzat e drejtuara kundër tij në raportin e Dick Martyt se ka drejtuar grupe kriminale për trafikim me organe njerëzore janë fushatë tash e 15 vjet. “Ne kemi ngadhënjyer mbi këto shpifje. Akuza dhe trillime skandaloze edhe më herët dhe do të fitojmë edhe tash”, ka thënë Thaçi.

I pyetur nëse ka një plan në qarqe ndërkombëtare për eliminimin e tij nga politika, Thaçi ka thënë se ka bashkëpunim të shkëlqyer me bashkësinë ndërkombëtare dhe se akuzat e Martyt janë të drejtuara kundër SHBA-ve dhe miqve të tjerë perëndimorë.

Në këtë intervistë ai ka thënë se është i gatshëm të takohet me presidentin serb, Boris Tadiç.