Shkurt.ch

Qeveria vendos për shtim të përkujdesjes për fëmijët me sëmundje të lindura

Me ligjin e rishikuar, disa sëmundje të caktuara do të trajtohen nga sigurimi shëndetësor në vend se nga ai i invaliditetit

Këshilli Federal i ka prezantuar sot synimet e veta për rishikimin  e ligjit për sigurimin nga invaliditeti. Me këtë rast, ministri që mbulon këtë resor, Alain Berset ka thënë sot para mediave se për fëmijët me të meta të lindura dhe për familjet e tyre duhet të sigurohet përkujdesje më e mirë.

Veç kësaj, ai ka thënë se  duhet të përshtatet edhe lista me sëmundjet që fëmijët i marrin me të lindur, transmeton albinfo.ch. Për pasojë, me ligjin e rishikuar, disa sëmundje të caktuara do të trajtohen nga sigurimi shëndetësor në vend se nga ai i invaliditetit.

Këshilli Federal synon veç kësaj që punësimin ta bëjë atraktiv për invalidët. Kjo pritet të arrihet ashtu që të rinjve do t`u lejohet paga e invalidit vetëm pasi që të kenë shteruar të gjitha përpjekjet për integrimin e tyre në punë gjegjësisht në jetën profesionale.

Krahas kësaj, qeveria nuk e ka ndërmend t`i nënshtrohet presionit nga politika që të kursejë në sferën e sigurimit të invaliditetit. Në vend të kësaj, ministri Berset është zotuar që të bëjë më tepër në mënyrë që të rinjtë me probleme psikike të sigurojnë hyrjen në botën e punës, përcjell albinfo.ch. Në këtë mënyrë do të evitohet që të rinjtë të “aterrojnë” në Sigurimin e Invaliditetit. “Askush nuk do të duhej që jetën e tij si i rritur ta fillojë duke marrë pension”, ka thënë sot Berset para mediave.