Lajme

Qeveria e Zvicrës paguan 3000 CHF shtesë për çdo refugjat nga Ukraina

Shuma e përmendur orientohet veçanërisht për të promovuar përvetësimin e gjuhës, njofton SEM

Në mbledhjen e tij të mërkurën, Këshilli Federal vendosi të japë një kontribut financiar për kantonet prej 3,000 CHF për person, gjegjësisht për refugjatët me statusin e mbrojtjes S, transmeton albinfo.ch. Shuma e përmendur orientohet veçanërisht për të promovuar përvetësimin e gjuhës.

Më 12 mars, Këshilli Federal ka aktivizuar statusin S për të ikurit nga Ukraina, shrkuan srf.ch. Konfederata rimburson shpenzimet e kantoneve për akomodimin, ndihmën sociale dhe kujdesin mjekësor me një normë fikse globale prej rreth 18,000 CHF për person dhe vit. Meqenëse statusi i mbrojtjes S është në thelb i orientuar drejt kthimit, Ligji për të huajt dhe integrimin nuk parashikon pagesën e kontributit të integrimit për kantonet.

Megjithatë, Qeveria Federale pranon të ofrojë mbështetje, veçanërisht sa i përket përvetësimit të gjuhës nga refugjatët në fjalë, transmeton albinfo.ch. Kjo është mënyra e vetme që këta njerëz të marrin pjesë siç duhet në jetën sociale dhe të punës, ashtu siç synon të bëjë Këshilli Federal, sipas njoftimit për media të Sekretariatit Shtetëror për Migracionin SEM, të publikuar të mërkurën. Kjo shërben edhe për ruajtjen e kompetencave me synimin për një rikthim të mëvonshëm.

Promovimi i përvetësimit të gjuhës
Departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë (FDJP) kishte udhëzuar SEM-in që të verifikonte me kantonet nëse ishin të nevojshme masa të veçanta për të nxitur përvetësimin e gjuhës. Pasi personat me statusin e mbrojtjes S janë caktuar në një kanton, në thelb u takon kantoneve t’u ofrojnë atyre kujdes dhe mbështetje. Me programet e integrimit kantonal, kantonet tashmë kanë strukturat e duhura që janë të hapura edhe për personat me status të mbrojtjes S – përkatësisht për informacion fillestar, këshilla dhe promovim të gjuhës dhe aftësive bazë.

Me mbështetjen e Konfederatës, kantonet mund të vendosin prioritete shtesë për refugjatët nga Ukraina me status mbrojtjeje S në trajnimin gjuhësor, qasjen në tregun e punës dhe mbështetje për fëmijët dhe familjet.

Kontributi prej 3,000 CHF i pamjaftueshëm në një afat të mesëm

Në konsultim, shumica e kantoneve kanë mbështetur shtytjen e SEM dhe kanë mirëpritur qasjen pragmatike dhe efikase. Megjithatë, shumica e kantoneve janë të mendimit se kontributi financiar prej 3000 CHF për person është i pamjaftueshëm në periudhën afatmesme, përcjell albinfo.ch. Por, për shkak të prognozës së pasigurt dhe statusit të orientuar drejt kthimit, Këshilli Federal vendosi t’i përmbahet kësaj shume.

Megjithatë, duhet pritur përvoja në vitin aktual për zgjatjeen e mundshme të programit të mbështetjes nëse statusi S duhet të zgjatet pas një viti.