CH-Ballkani

Pas burgosjes së Albin Kurtit tensionohet gjendja në Kosovë

Në Prishtinë çdo gjë është veshur me flamuj. Përveç flamurit shqiptar – shqiponjës së zezë me sfondin e kuq – janë vendosur pllakata që i thërrasin kosovarët të blejnë vetëm produkte shqiptare. Edhe në llampat e semaforëve, shkruar me shkronja të zeza, thirret për bojkot të prodhimeve  serbe. 28 Nëntori është Dita e Flamurit Shqiptar. Për çdo vit në vitrinat e dyqaneve të rrobave në Prishtinë mund të shihen të ekspozuara rroba ngjyrash kuq e zi. Në Rrugën Nënë Tereza u mblodhën të shtunën me mijëra kosovarë me flamuj në dorë.

Opozita me flamuj në dorë

„Këta e kanë merituar këtë“. « Të gjithë janë të korruptuar », thotë Blerim L., 21-vjeçar, i cili, edhe përkundër shiut të ftohtë i ishte bashkangjitur demonstratës. Studenti i bujqësisë është një adhurues i madh i Albin Kurtit dhe ai e konsideron të drejtë që partia opozitare « Vetëvendosje » po e bllokon punën e Parlamentit.

« Vetëvendosje»,  së bashku me dy partitë e tjera opozitare, AAK-në e Ramush Hradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt, po e bllokon punën e kuvendit që nga tetori. Argumenti : marrëveshja e lidhur me Serbinë më 2013 është e rrezikshme për Kosovën dhe me marrëveshjen me Malin e Zi për vijën kufitare, Kosova humb 12’000 hektarë tokë. Sa herë fillon votimi, dikush ndez gazin lotsjellës dhe të gjithë detyrohen ta lëshojnë parlamentin.

Kurti një intelektual me « Street-Credibility »

Kurti s’mund të krahasohet me ish- komandantët e UÇK-së Haradinajn dhe Limajn. Ai ishte udhëheqës i studentëve, ai është një intelektual që me dëshirë citon Hegelin dhe bart pulovër me fyt, si ekzistencialistët francezë. Ai ka një koncept të gjerë teorik, me të cilin vite me radhë argumenton kundër prezencës së bashkësisë ndërkombëtare në „kuazikoloninë“ Kosovë. Ai nuk është i interesaur si shumë të tjerë për të fituar thjesht pushtet apo para. Kurti ka një si „Street-Credibility“. Dhe megjithatë ai është i përcaktuar për të njëjtat tema sikur edhe luftëtarët e vjetër Haradinaj dhe Limaj. Madje „Vetëvendosje“ është e përcaktuar edhe për projektin e „Shqipërisë së Madhe“ të ndaluar me kushtetutë.

Të dielën Kurti u arrestua pas demonstratës. Ai disa ditë më parë kishte hudhur gaz lotsjellës në parlament. Policia sulmoi zyrat e partisë dhe gjeti aty edhe gazmaska. Së bashku me Kurtin u burgosën edhe 90 persona të tjerë.

Aksioni konsiderohet politikisht dhe juridikisht i ndieshëm, sepse Kurti mund të shndërrohet shpejt në martir. Edhe vetë raportuesja speciale e Parlamentit të BE-së, austriakja e të gjelbërve, Ulrike Lunacek, e kritikon momentin e burgosjes së tij. Burgosja nuk shkon në shërbim as të gjetjes së një zgjidhjeje të krizës politike, thotë Lunacek. Lunacek kërkon nga Qeveria dhe nga opozita të ulen në një tavolinë. Dhuna varros procese të rëndësishme, është e mendimit Lunacek. Burgosja e Kurtit indinjon përkrahësit e tij. Edhe në Tiranë tash po organizohen demonstrata për lirimin e tij.

 

„Kjo me gazin lotsjellës është një budallallëk“  

Para burgosjes, të shtunën, Kurti mbajti një fjalim të zjarrtë në Rrugën Nënë Tereza në qendër të Prishtinës. Tri vajza, që kishin ikur nga shi-bora dhe ishin strehuar nën strehën e  një kulmi, janë poashtu përkrahëse të tij. Ato shpresojnë se ai do ta ndërrojë sistemin dhe do ta heqë korrupsionin. Ajo që i dallon ato nga demonstruesit  e tjerë të gjinisë mashkullore është se ato nuk duan dhunë. „Kjo me gaz lotsjellës është budallallëk“, përndryshe çdo gjë tjetër që ai thotë është e drejtë“.

„Vetëvendosje“ adhurohet sidomos nga të rinjtë – e veçanërisht  nga studentët. Edhe kryebashkiaku i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është i „Vetëvendosjes“. Partia mund të krahasohet  me partitë  e tjera protestuese si atë spanjolle „Podemos“ dhe atë greke « Syriza ».

Është krejtësisht e paqartë se si do të zhvillohen më tej ngjarjet. Ashpërsimi  i situatës duket më real.

 

Përkthimi për albinfo.ch Nexhmedin Gerguri