Pa gola në Shkodër

Në ndeshjen në mes të FC Thun dhe KF Vllaznia me rezultat 0:0, për FC Thun u angazhuan edhe Rama dhe Demiri

Ndeshja e xhiros së dytë, e vlefshme për Ligën Evropiane në mes të Vllaznisë së Shkodrës dhe FC Thun të Zvicrës e luajtur në Shkodër, përfundoi pa gola.

Është luajtur një ndeshje e fortë por me mungesë golash.

Megjithatë, në këtë thatësi golash  sulmuesi shqiptar i FC Thunit, Milaim Rama në minutën e dhjetë pati një shans shumë të mirë për të shënuar gol, shkruan 20minuten.ch.

Ndeshjen e parë të Thunit për një kupë evropiane pas vitit 2006, trajneri zviceran Bernard Challande e ka parë “me ndjenja të përziera”. Ai është i kënaqur që skuadra e tij nuk ka pësuar humbje dhe as nuk ka marrë ndonjë gol. Por nga ana tjetër, sipas tij, skuadra nga Zvicra ka kaluar disa momente mjaft delikate.

Për FC Thun, Muhamet Demiri ka luajtur gjatë gjithë ndeshjes ndërsa Milaim Rama deri në minutën 62. 

Ndeshjen, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës,  e kanë shikuar rreth 5 mijë vetë.