Kosova

NZZ: Regjimi i ri i kufirit, fitore në etapë e Kosovës në rrugën e njohjes nga Beogradi

Për herë të parë Prishtina ia arrin t’ia dalë  me kërkesën e saj të «reciprocitetit» si bazë e marrëdhënieve me Beogradin. Ky është një sukses, të cilin Kosova nuk guxon ta humbë për shkak të kokëfortësisë

Në shikim të parë në stacionet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë mbetet çdo gjë njësoj si më parë. Për Prishtinën dhe 22 shtete të BE-së këtu kalon një kufi ndërkombëtar. Për Serbinë dhe 5 vende anëtare të BE-së, përkundrazi, një vijë administrative që ndan Serbinë Qendrore nga krahina e saj jugore. Në këtë pikë  nuk do të ndryshojë asgjë shpejt.

Por pajtimi i arritur në fund të gushtit mes presidentit serb, Aleksander Vucic, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që lehtëson pak a shumë formalitetet e kalimit të kufirit, ka domethënie. Ky pajtim, në shikim të dytë, është një fitore e rëndësishme në etapë e Kosovës në procesin e njohjes nga Serbia.

Deri tash Serbia nuk njihte dokumentet e identitetit të Kosovës, por vetëm një dokument zëvendësues të lëshuar nga Serbia. Ky dokument tashmë është hequr.

Në fillim kjo gjë duket si një fitore e vogël simbolike e Kurtit. Shteti serb kështu njeh pa kushte një dokument me simbole kosovare. Në të vërtetë, bëhet fjalë për shumë më tepër. Sepse Kurti, për herë të parë, ka arritur që Serbisë t’ia imponojë njohjen e parimit të  reciprocitetit, pra të dyanshmërisë. Rregulli “Si ti mua, ashtu edhe unë ty”  është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, që ka si implikim që dy subjekte juridike të jenë të barabarta me njëri – tjetrin. Kush njeh reciprocitetin, parimisht e njeh tjetrin si të barabartë.

Pikërisht për këtë arsye Kurti qe një kohë të gjatë, por pa sukses, është munduar që këtë parim themelor ta imponojë në marrëdhëniet bilaterale me Beogradin dhe tash ia arriti kësaj.

Siç ua tha, kjo nuk ndryshon pothuajse asgjë në qarkullimin dhe në përditshmërinë e qytetarëve. Se a duhet të tregojnë qytetarët një apo dy dokumente me rastin e kalimit të kufirit është e parëndësishme. Dhe në horizont po duket tashmë një konflikt i ri për atë se a do t’i ndërrojnë serbët e Kosovës targat e automjeteve të tyre me ato kosovare apo jo.

Por – dhe kjo është vendimtare- konflikti mes Kosovës dhe Serbisë tash po merr tjetër «kornizë». Në dekadat e kaluara flitej vazhdimisht për zgjidhjen e “çështjes së Kosovës”. Ky ishte një problem që shfaqej në mënyrë ciklike në historinë e Jugosllavisë së pasluftës që nga viti 1945 e tutje dhe një obsesion i përhershëm i politikës së brendshme serbe.

Pyetja kryesore që shtrohej në këtë kontekst ishte se si duhet të sillet Beogradi me këtë territor të paqetë të banuar me shumicë nga shqiptarët, me një pakicë serbe në të dhe që, sipas narratives historike të Serbisë, paraqet djepin e kombit  të tyre. Përgjigjet e ndryshme fillonin nga autonomia, ndarja e territorit, integrimi i dhunshëm e deri te pavarësia.

Kurti ia arriti që këtë perspektivë ta shtyjë: në sytë e BE-së si ndërmjetësuese dhe të amerikanëve, që po asistojnë në mënyrë efikase, çështja e Kosovës është shndërruar në një problem bilateral. Për herë të parë Beogradi po e pranon palën kosovare si të barabartë. Kjo natyrisht që nuk paraqet ende njohje në kuptimin e njohjes ndërkombëtare, por është parakusht për këtë.

Por, Prishtina duhet të sillet me kujdes me fitoren e saj etapore. Nëse nuk dëshiron ta humbë, do të duhej të mundësonte që “Asociacioni i komunave serbe” më në fund të bëhet realitet. Para më se dhjetë vitesh Asociacioni është premtuar përmes marrëveshjes, por vazhdimisht është zvarritur. Një autonomi e pjesshme për serbët është i vetmi shans që kjo pakicë të ndihet si pjesë e Kosovës. Sovraniteti i fituar simbolikisht, i nisur nga Kurti, do të duhej të zbatohej  me mençuri.

*Shkrimi është opinion i autorit ndërsa redaksia nuk qëndron patjetër mbrapa këtij opinioni

(Përkthimi: Nexhmedin Gerguri)


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI