Shkurt.ch

Numër rekord i refugjatëve të dëbuar nga Zvicra

Bëhet fjalë për gjithsej 327 të dëbuar, të cilët janë transportuar me 65 fluturime

Gjatë vitit që po përfundon, është arritur një rekord sa i përket numrit të azilkërkuesve që janë dëbuar nga Zvicra. Bëhet fjalë për gjithsej 327 të dëbuar, të cilët janë  transportuar me 65 fluturime, shkruan srf.ch. Ky numër i të dëbuarve është për një të tretën më i madh se në dy vitet e kaluara dhe po për kaq më i madh është edhe numri i fluturimeve.

Më shumë se 30 herë Zvicra gjatë vitit 2016 ka organizuar fluturime së bashku me shtetet e BE-së dhe në këtë kuadër ka dëbuar afër 90 refugjatë, transmeton albinfo.ch. Dëbimet që i bën përmes shteteve tjera, i kushtojnë Zvicrës për 4 herë më pak se ato që i organizon me fluturime dhe aeroplanë të vendit.

Fluturimet përmes shteteve tjera janë po ashtu të leverdishme për faktin se kështu ka më shumë destinacione në dispozicion për riatdhesimin e refugjatëve, ka thënë një zëdhënës i SEM (Sekretariati Shtetëror për Migracion).

Rritja e  numrit të atyre që janë dëbuar ka të bëjë edhe me numrin e shtuar të refugjatëve që kishin ardhur në Zvicër në vitin 2015. Kjo domethënë se në përpjesëtim me numrin e të ardhurve është rritur edhe numri i atyre që është dashur të dëbohen, (nuk u është njohur azili).