Feja

Nostalgji për vendlindjen ngjallin pashkët në Zvicër

I veshur bukur, Lulzim Saliquni, besimtar i krishterë nga Klina e Kosovës, me vendbanim në Will të Zvicrës, bashkë me familjen e tij ia kishte mësyrë të dielën në mesditë kishës së Frauenfeldit, një qytezë e Turgaut.

Saliquni tha se ishte i gëzuar bashkë me familjen e tij për Festën e Pashkëve, siç e quajti ai të paqes.

„Festa e Pashkëve ka një porosi, atë të ringjalljes“, tha Saliquni.

Sipas tij, nuk ka festë të Pashkëve pa triditëshin, duke filluar nga Kreshma, e më pas e Premtja e Zezë dhe Dita e Ringjalljes.

„Këtu jemi larg vendlidjes, në një shtet të civilizuar, po asnjëherë nuk i kremtojmë Pashkët pa traditat tona shqiptare“, tha për Albinfo.ch Saliquni. 

Përveç Saliqunit, edhe besimtarët e tjerë të krishterë shqiptarë në Zvicër kanë kremtuar Festën e Pashkëve, ditën e ringjalljes së Krishtit.

Mesha kryesore për Zvicrën lindore u mbajt në kishën e qytetit të Frauenfedlit dhe u drejtua nga meshtari Don Franë Kolaj.

Besimtarë katolikë këtë të diel duke vijuar ritet e tyre fetare u lutën për më shumë paqe, mirësi, begati dhe për më shumë dashuri mes njëri-tjetrit.

Meshtari Don Franë Kolaj, i cili e udhëhoqi meshën në gjuhën shqipe para besimtarëve të ardhur nga qytete të ndryshme të Zvicres, bëri thirrje që në frymën e Pashkëve të ndihmohen personat me nevojë dhe të bashkëpunojnë në harmoni me njëri-tjetrtin për të ardhme të begatë të tyre.

“Me këte gëzim të Pashkëve ftoi të gjithë qytetarët  shqiptarë që të ndërtojnë jetën në paqe, harmoni, lumturi dhe gëzim e shpresë, që familjet tona të jetojnë në një realitet të ri, me atë të paqes“, tha para besimtarëve prifti Kolaj.

Pashkët shënojnë ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit, ringjallje që simbolizon besimin te Zoti, shpresën për të gjithë bësimtarët.

„Pashkët janë festë e ringjalljes, festë e fitores të së mirës mbi të keqen, e lirisë mbi robërinë, e dritës mbi errësirën, e jetës mbi vdekjen. Për këtë fitore ka nevojë secili njeri. Secili njeri ka nevojë për paqe, aq e nevojshme për secilën familje, për shoqerinë tonë shqiptare dhe për mbarë njerëzimin“, thekson Don Franë Kolaj.

Gjatë meshës, Don Franë Kolaj iu lut Zotit që ta bekojë, ta ruajë dhe ta mbushë me paqe e dashuri jetën e shqiptarëve kudo që janë.

Për Albinfo.ch, prifti Kolaj tha se gjatë Festës së Pashkëve nosotalgjia është shumë e theksuar për vendlindjen.

„Për festa gjithkund jemi bashkë. Mirëpo, nostalgjia është më e madhe, nuk ka gëzim më të madh që festat tona t’i festojmë në vendlindje, por ne bëjmë përpjekje që këtë mjedis të atdheut ta krijojmë këtu, duke mbajtur mesha dhe liturgji në gjuhën shqipe. Kjo na ngushëllon“, tha Kolaj.

Pas meshës besimtarët vizitojnë njëri-tjetrin me shpresë se kjo festë do të sjellë mirëqenie në familjet e tyre.

Tri misione katolike në Zvicër janë në shërbim të besimtarëve të krishterë shqiptarë, misioni në Lucern, Argau dhe në Turgau.

Festa e Pashkëve është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik.

Ceremonitë e kësaj dite të rëndësishme të besimit të krishterë që kulmon me një seri ritesh dhe ceremonish fetare që nga Kreshma, e më pas e Premtja e Zezë dhe Dita e Ringjalljes.

Sipas kalendarit fetar, Pashkët kremtohen të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit, që zakonisht kremtohen brenda 22 marsit dhe 25 prillit.

Festa e Pashkëve simbolizon ringjalljen e Krishtit, pas kryqëzimit të tij dhe është festa me e shenjtë për besimtarët e krishterë.

Sipas interpretimit biblik, me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq, në të Dielën e Pashkëve kur ringjallet.

Festa e Pashkëve shënohet nga besimtarët katolikë, protestantë dhe ata ortodoksë në gjithë botën.