Sport

Nora i ka fituar dy medalje, të Kampionatit Evropian dhe atë të Lojërave Evropiane

E pashë Driton Kukën përderisa mbuloi sytë me të dy duart dhe u duk se po fshinte lotët. Me të pasur një gullumuq në fyt edhe vetë mund të kisha ndjenjën e përafërt se cilat kemikalie liroheshin në trurin e trenerit. Ishte kjo disa sekonda pas përfundimit të luftës së parë të Nora Gjakovës, në Lojërat e Para Evropiane dhe Kampionatin Evropian në Xhudo që po mbahet në Azerbajxhan gjatë qershorit 2015.

Në momentet emocionale medalja ishte edhe disa fitore larg. Mirëpo, gëzimi ishte i madh, pasi kundërshtarja ishte goxha një emër dhe fitorja arriti papritmas.

Për ndryshim prej sporteve të tjera pjesëmarrëse në këto Lojëra, kjo garë për sportin e xhudos ishte edhe Kampionati Evropian, pasi mbajtja e tij në Skotlandë ishte anuluar për shkak të sponsorit të gabuar. Skotlanda kishte marrë përsipër organizmin e Kampionatit Evropian në xhudo, por si sponsor kishte gjetur Federatën e e Sporteve të Përziera Luftarake (MMA). Federata Evropiane e Xhudos kishe konsideruar se MMA promovon dhunën dhe rrahjen, ndërsa xhudo edukimin dhe për këtë ua ka anuluar skotlandezëve evropianin dhe e ka bartur atë në Baku.

Ishte kjo një arsye pse Nora Gjakova qysh në rundin e parë u takua me një sportiste kulminante, Laetitia Bolt, dy herë kampione e Francës, dy medalje të arta në Grand Slam dhe Grand Prix. Laetitia vjen nga një shtet që ka më shumë xhudiste se sa banorë qyteti i Norës. Në Francë janë gjysmë milioni xhudistë të regjistruar, Peja nuk ka as gjysmën e këtij numri si banorë.

Një konkurrencë shumë e fortë dhe një fitore spektakulare ishte arsyeja pse Dritoni mbuloi sytë dhe mua m’u bë gullumuqi në fyt. Vetëm pesë sekonda larg nga humbja, Nora kthen rezultatin negativ në një fitore spektakulare 110:0. Ka qenë më dramatike se goli i Iniestës në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve më 2009, kur Bracelona me 10 lojtarë anuloi kualifikimin e sigurt të Chelseat. Këtu Nora ishte Barcelona me 10 lojtarë.

Po të ishte vonuar Nora pesë sekonda komentatorë të Facebookut do thoshin se Kosova po zë vetëm vendin e fundit dhe kështu kaloi edhe xhudo. Dhe se ky sport e ka vetëm një sportist. Ata tash kanë gjetur dikënd tjetër të shajnë.

Lufta e parë e Norës 1/32 të finales tregon se sa e fortë ka qenë konkurrenca në xhudo më 25 qershor në Baku. Gati secila pjesëmarrëse ka qenë kandidate për të arten. Për të parë se sa ngushtë ishte e tërë puna në këtë garë, Nora në luftën e saj të tretë u takua me medaljen e argjentë të Lojërave Olimpike Londra 2012, dhe fitoi. Gara zgjati gjashtë minuta në vend të katër minutave, pasi në kohën e rregullt nuk pati fitues. Gara shkoi “zhag” deri në momentin kur superioriteti fizik i Norës dha rezultate dhe thjesht rumunën Caprioriu e lëshoi fuqia dhe mori një vërejtje që i siguroi Norës vazhdimin e garës.

Gati një vit më herët u takova me një sponsor potencial të Xhudos dhe të Norës. Gjithçka ishte OK, sponsori pranoi të përkrahë xhudon, edhe Norën, por pa pasur ndonjë besim te ajo. Nora para dy vjetëve kishte lënduar gjurin, duke e këputur ligamentin. Me ligament të këputur futet në garë dhe arrin një ndër rezultatet e saja më të mira. Kjo e bën lëndimin edhe më të rëndë.

Pas asaj Nora bën një CT të gjurit dhe detyrohet të shkojë në Austri, ku mjeku i saj, Florim Ramadani, e thërret dhe i bën operacionin, duke e sponsoruar punën e vet. Ky mjek me vonë do të bëjë operacion edhe Majlinden, kur Spitali Amerikan në Kosovë bëhet edhe sponsor i xhudistëve të Kosovës.

Një vit Nora qëdroi jashtë garave. Pati një kthim të bukur me titullin e Kampionit Evropian për të rinj. Mirëpo, pastaj ajo luftoi shumë mirë në shumë gara. Fatkeqësisht mungoi elementi i fundit që e bëri më 25 qershor. Ajo bënte gara të mira dhe humbjet e saja ishin për detaje. Gjatë kësaj kohe emri i saj hiqet nga mediat. Nuk kishte rezultat “çka kush ka fitu”, kështu që raportimi i detajuar se si vete forma nuk mbushi asnjë rresht.

Me këtë, edhe emri i saj u largua nga mediat, Nora nuk njihej si favorite, edhe pse forma e saj ishte e mirë.

Për formën e Norës më foli trajneri Driton Kuka: “Nora mundet me na befasu me medalje, e ka formën shumë të mirë”, më kishte thënë ai.

Nora Gjakova është tip në vete, tregojnë kolegët e saj. “Ajo vendos vetë kur mund ta japë 100 përqindëshin e vet”, tregon njëri nga xhudistët e klubit Ippon Pejë. E tillë është ajo, nuk i dihet, shtoi ai. Ndoshta mbase edhe ia ka qëlluar, pasi po i njëjti koleg i Norës dy minuta para luftës me rumunën më tha se ka ardhur koha të mundet rumunja. Ashtu edhe ishte.

Por, unë mendoj se Nora nuk e ka dhënë 100 përqindëshin e vet, ajo me më shumë fat ka mundur ta tejkalojë edhe hungarezen Hedvig, e ndoshta edhe Telma Monteron, kampionen e tashme botërore dhe evropiane. Nora mund të arrijë fitore të tjera, Nora ka 22 vjet, medalje në Baku kanë marrë 35-vjeçaret. Xhudoja e Kosovës vetëm sa ka filluar dhe nëse nuk e ndalë dikush me zor, do të tregojë edhe shumë, ndoshta duhet menduar për ekip kombtar që Kosova të marrë pjesë edhe në gara ekipore.

Në këtë kontekst, medalja e Norës dhe mbulimi i kësaj ngjarjeje nga mediat botërore, siç u mbulua Majlinda para Lojërave Olimpike 2012, dhe tash nga CNN, më solli në mend një bisedë timen me kryetarin e një federate të një sporti me popullaritet në Kosovë. Në një bisedë me të dhe një ish-gazetar u akuzova se nuk jam objektiv kur e vlerësoj xhudon dhe sukseset e xhudisteve. Për të ma vërtetuar këtë Kryetari më pyeti, edhe sa xhudistë të tjerë i njoh?

Për budallallëkun në pyetjen e tij, unë e njoh vetëm një lojtar të golfit, por kjo nuk tregon asgjë për këtë sport. Kurrë nuk do t’i matja arritjet e njerëzve me popullaritet të një sporti, më shumë do ta matja me popullaritetin që ai sport i bjen vendit të sportistit. Ose edhe më me rëndësi, cili sport do të mund të motivonte të rinjtë kosovarë se edhe ata mund të garojnë dhe të fitojnë, se nuk duhet që të jesh Diasporë apo amerikan për të mos qenë inferior.

Mund të citoj sfondin që i ka vënë Associated Press tekstit për Norën: Si komb me dy milionë banorë anëtarsimi i Kosovës në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik nuk do ta dridhë skenën sportive botërore, por ka disa fuqi befasuese, shkruan AP.

“Kombi me banorë kryesisht myslimanë në Evropën Jug-lindore është bërë fuqi në Xhudo, ne veçanti me një ekip të fortë të femrave. Bashkë me Gjakovën, Kosova ka dhënë edhe kampionen e tashme botërore Majlinda Kelmendi që nuk mori pjesë për shkak të lëndimit”, përshkruan AP.

Vetëm do të shtoja se krijimi i një sportisti si Nora, të cilin nuk e ka Shqipëria, nuk e kanë edhe shumë vende të tjera, ka kushtuar më pak se një ekip basketbolli apo futbolli  për një sezon. Nora është 22-vjeçe.

(Autori punon vullnetarisht për ekipin olimpik të Xhudos së Kosovës).

* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.