Zhvillim

Nis procesi për trajtimin dinjitoz të diasporës

Në një konferencë në Prishtinë të organizuar nga “Diaspora për Zhvillim” u kërkua që mërgata të përfshihet në vendimmarrje, në Kuvend dhe në zgjedhje. U pa e nevojshme edhe formimi i një Task-Force për diasporën

Për herë të parë institucionet e Kosovës, partitë politike dhe shoqëria civile, kanë nisur ta trajtojnë diasporën kosovare si element të fuqishëm edhe në aspektin e vendimmarrjes.

Në një konferencë organizuar nga projektit “Diaspora për Zhvillim” u konsiderua e nevojshme që diaspora të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me disa deputetë dhe të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

Madje nga kjo konferencë u kërkua që në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të qartësohet përfaqësimi i diasporës në Kuvend të Kosovës me vende të rezervuara sikurse për pakicat kombëtare. Ndërsa u konsiderua e nevojshme formimi i një Task-Force për diasporën.

Konferenca me titull: “Përmirësimi Politik i Diasporës në Vendimmarrje” është  organizuar nga Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) dhe Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim (IMD) në kuadër të projektit “Diaspora për Zhvillim”, i cili financohet nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli e vlerësoi lartë prezantimin e studimit “Përfaqësimi politik dhe pjesëmarrja e diasporës në vendimmarrje”. Ai tha se një studim i tillë është i mirëseardhur.

Me këtë rast, ai e falënderoi dhe e inkurajoi “Demokracinë për Zhvillim” që të bëjë studime të ndryshme, të cilat janë në interes të hulumtimit të formave që do të mundësonin krijimin e politikave të duhura për diasporën.

Makolli kërkon 5 ulëse në Kuvend për diasporën

“Ia kam dorëzuar komisionit për ndryshime kushtetuese amendamentet për përfaqësimin e diasporës në Parlament. Këto amendamente janë: që diasporës t’i rezervohen 5 vende në Kuvendin e Kosovës. Nëse ka nevojë, të rritet numri i deputetëve të Kuvendit, në mënyrë që diaspora të ketë zërin dhe përfaqësuesit e saj në vendimmarrje”, tha Makolli.

Ai tha të ketë kërkuar që ky përfaqësim të ndahet në tri pjesë: dy pjesët e këtij përfaqësimi t’i takojnë Evropës, ndërsa një kontinentit amerikan.

“Po, ashtu, tani jemi duke i organizuar dëgjimet publike në 17 shtete, ku është më shumë e koncentruar mërgata jonë; gjithsej 33 dëgjime publike, që t’i marrim nga afër mendimet, idetë dhe propozimet e mërgimtarëve tanë në procesin e hartimit të strategjisë për diasporën”, theksoi Makolli.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Markus Baechler, drejtor i Zyrës zvicerane për bashkëpunim me Kosovën, i cili tha se “Demokracia për Zhvillim” do të punojë ngushtë me autoritetet e Kosovës që të arrihet një integrim më i madh i diasporës kosovare me vendlindjen.

Baechler: Diaspora kosovare më e madhja në Zvicër, pas asaj në Gjermani

“Do ta japim ndihmën tonë për krijimin e urave dhe të bashkëpunimit mes asociacioneve të biznesit dhe atyre profesionale në diasporë, në mënyrë që nëpërmjet tyre të krijohen kushte të mira për zhvillimin e Kosovës”, u shpreh Baechler.

Në Zvicër, sipas tij, jetojnë 150 deri 170 mijë kosovarë, ku, siç tha ai, jeton diaspora më e madhe kosovare, pas asaj në Gjermani.

Në këtë konferencë, pas paraqitjes së punimit, të pranishmëve iu drejtuan pjesëtarë nga diaspora, si Ylfete Fanaj, deputete nga kantoni i Lucernit, Zvicër, Bashkim Iseni, drejtor i platformës Albinfo.ch, Hafiz Gagica nga Gjermani, Ekrem Krasniqi, etj.

Ata konkluduan se diasporës i nevojitet përfaqësimi në Kuvend, të krijohen më shumë kushte dhe të rritet përkrahja nga institucionet e Kosovës, si në rastin e dhënies së dokumenteve civile nëpër ambasada dhe konsullata etj.

Kuvendi i Shqiptarëve në Zvicër, për krijimin e një Këshilli Trans-nacional

Kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër, Jeton Kryeziu gjatë debatit dy ditor në Prishtinë, kërkoi krijimin e një Këshillit Trans-nacional të diasporës, por edhe emërimin e një përfaqësuesi për t’u takuar me përfaqësuese të vendeve tjera, të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Diasporës dhe partitë politike për të avancuar konkretisht këtë nismë.

„Në këtë  Këshill trans-nacional do të bisedohet për mënyrat e përfaqësimit të diasporës në institucionet e vendit, si dhe për të drejtën për të votuar duke i marrë  parasysh përvojat e vendeve tjera „, tha kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, Jeton Kryeziu.

 
Fanaj: Votimi duhet të jetë elektronik

Po ashtu, ata u shprehën që diaspora të shërbejë jo vetëm si urë lidhëse, por edhe si bartëse e kulturës dhe e vlerave perëndimore të diasporës në Kosovë.

“Duhet të shikohen mënyra dhe forma të ndryshme për të pasur zë më të madh të

diasporës, dhe njëra nga to është përfaqësimi në Parlamentin e Kosovës. Por, para se gjithash duhet të rregullohet çështja e votimit të diasporës”, deklaroi për albinfo.ch, Ylfete Fanaj deputete në kantonin e Lucernit.

Sipas saj, votimi i diasporës duhet të bëhet në mënyrë elektronike. Mirëpo para se të rregullohet çështja e votimit, Fanaj kërkoi që të bëhet regjistrimi i diasporës kosovare. Ndërsa çështjen e përfaqësimit në Parlament, ajo e sheh një çështje pak më afatgjate.

Task- Forcë për Diasporën

Nikoqiri i konferencës, përfaqësues projektit “Diaspora për Zhvillim”, Elbasan Morina është i kënaqur me pjesëmarrjen dhe procesin e kësaj konference. Ai për albinfo.ch tha se në konferencë u publikuan 10 praktikat më të mira të përfshirjes së diasporës në vendimmarrje dhe krahasimi i tyre me Kosovën.

“Gjatë diskutimeve janë propozuar një numër i rekomandimeve, dhe në veçanti u theksua nevoja për ndryshime legjislative në mënyrë që të mundësohet përfaqësimi i diasporës”, tha ai.

Po ashtu, sipas Morinës, pjesëtarët e diasporës pjesëmarrës në këtë konferencë, propozuan krijimin e një Këshilli gjithëpërfshirës të diasporës kosovare në mbarë botën, si pikë referuese për interesat dhe të drejtat e diasporës, dhe vendosja e lidhjeve më të fuqishme me vendlindjen.

“Gjithashtu, u rekomandua që nga kjo konferencë të krijohet një Këshill Transnacional ose Task Force me pjesëmarrësit në konferencë, por edhe pjesëtarë të tjerë të diasporës për të lobuar tek institucionet përkatëse në Kosovë, lidhur me adresimin dhe shqyrtimin e rekomandimeve dhe shqetësimeve të tjera nga diaspora Kosovare”, tha ai.

Këto rekomandime dhe të tjera të cilat janë elaboruar në këtë konferencë do të përfshihen në raportin përfundimtar të publikuar, të cilat do t’i dorëzohen institucioneve të Kosovës për t’u konsideruar gjatë shqyrtimit të politikave qeveritare për diasporën.

Pjesëmarrësit, siç tha Morina, mbesin me shpresë se kjo konferencë është vetëm hapi i parë drejt përfshirjes të diasporës në proceset vendimmarrëse në Kosovë.