Kosova
MPJ, thirrje kosovarëve të shmangin udhëtimet në Kinë
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës fton të gjithë shtetasit kosovarë që ndodhen jashtë vendit të evitojnë daljet nëpër vende ku ka dyshime për ekspozim ndaj këtij virusi
Në një komunikatë të saj të publikuar sot, Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje shtetasve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt Kinës. Virusi vdekjeprurës i quajtur “coronavirus”, i cili shpërtheu muajin e kaluar në qytetin Wuhan, është shfaqur edhe në Tibet, dhe kështu konfirmohet prania e tij në të gjithë territorin kinez, thuhet në komunikatë.
Autoritetet kineze të shëndetit publik kanë bërë të ditur se deri më tani janë konfirmuar 7,711 veta të infektuar në Kinë, ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë coronavirus-i është përhapur edhe në të paktën 15 shtete të tjera të botës, përfshirë Francën dhe Gjermaninë.
Numri i vdekjeve nga coronavirus-i, që dyshohet të ketë shpërthyer nga një rezervuar kafshësh, është rritur në 170 veta, ndërkohë që përpjekjet shkencore për të gjetur vaksinën vrasëse të virusit janë intensifikuar, edhe pse sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka rrezik që zbulimi i saj të mos ndodhë edhe disa muaj.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës fton të gjithështetasit kosovarë që ndodhen jashtë vendit, të evitojnë daljet nëpër vende ku ka dyshime për ekspozim ndaj këtij virusi, meqë shqetësimi më i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është bartja e tij prej njeriut tek njeriu.
Po ashtu ftohen të gjithë shtetasit kosovarë që mund të jenë të bllokuar në Kinë, apo kanë simptoma të infeksionit nga ky virus (pavarësisht vendndodhjes), të kontaktojnë Ambasadën më të afërt për ndihmë.
Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje edhe institucioneve përkatëse shëndetësore dhe atyre të sigurisë kombëtare, të zbatojnë masat e nevojshme të parandalimit të kësaj epidemie në kufijtë e Republikës së Kosovës, duke ndaluar në pikat kufitare të infektuarit dhe të dyshuarit e mundshëm, përfshirë izolimin nga kontakti me njerëz, futjen në karantinë dhe monitorimit e gjendjes së tyre shëndetësore.
Të dhëna më të hollësishme për publikun rreth rrezikut nga epidemia, mund të gjenden në ueb-faqen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila po ashtu ka paralajmëruar se së shpejti do të mund të marrë vendim për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, emergjente, për mbrojtje nga virusi vrasës.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze Në kuadër të World Economic Forum (WEF) 2026 në Davos, një nga ngjarjet më prestigjioze globale... -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO -
Amerikë
Shqiptarja hyn në histori me emërimin në administratën e lartë të SHBA-së -
Amerikë/Shqipëri
Talent shqiptar nga Amerika që po sjell ventrilokizmin në skenën shqiptare -
Mynih
Zamira Gashi, juristja shqiptare që po ndërton karrierë të suksesshme në Mynih
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç












