Kosova

Ministri serb Jevtiq: Mësimi i gjuhës shqipe nga serbët, i domosdoshëm

Jevtiq mendon se vendimi i Listës Serbe për të mbështetur qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ish-komandant i UÇK-së, i cili u lirua nga akuza për krime lufte, ka treguar se ka qenë një zgjedhje e mirë

Ministri serb i Qeverisë së Kosovës, Dalibor Jevtiq thotë se serbët dhe shqiptarët duhet të ndërtojnë besimin ndërmjet vete, ndërsa e konsideron të domosdoshme që fëmijët serbë të Kosovës ta mësojnë gjuhën shqipe për të siguruar komunikim ndërmjet komiteteve. Ai thotë se shumica e gjeneratave të moshës së mesme dhe atyre më të vjetër të shqiptarëve e njohin serbishten, gjë që nuk është rasti me popullsinë serbe dhe kjo duhet të ndryshojë gjithashtu.

Jevtiq, anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi që ka shërbyer si ministër në tri qeveri të Kosovës, ka thënë se në përvojën e tij profesionale dhe personale ka mësuar që gjithmonë të vendosë jetën e njerëzve të zakonshëm para politikës.

“Politika e jetës para politikës, ka provuar veten të jetë shumë e frytshme, pasi gjatë disa viteve të kaluara nuk kemi parë ndonjë incident me një rezultat vdekjeprurës midis komuniteteve shqiptare dhe serbe. Dhe nëse ne shtyjmë më shumë në këtë drejtim, të kapërcejmë stereotipat dhe të lirojmë të kaluarën në mënyrë që ta bëjmë më të mirë të ardhmen, jeta do të triumfojë në Kosovë”, konsideron ai raporton kallxo.com.

Jevtiq mendon se vendimi i Listës Serbe për të mbështetur qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kryeministri i ri i Kosovës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u lirua nga akuza për krime lufte nga Tribunali i Hagës në vitin 2007, tashmë ka treguar se ka qenë një zgjedhje e mirë.

“Tani po bëjmë njëfarë përparimi për çështje shumë të vështira të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë”, tha Jevtiq.

“Nëse flasim për jetën e serbëve në Kosovë, nuk është e njëjtë në jug dhe në veri të Kosovës. Ky është fakti që duhet të merret në konsideratë nga ndonjë politikë. Kam gjetur se kryeministri është i vendosur të trajtojë çështjet si ajo që kemi në Gjakovë, i cili është ende një qytet i ndaluar për serbët. Ai më tha se do të shkojmë atje së bashku dhe do të zgjidhim këto probleme”.