Opinione

Mediacioni si formë e ndërmjetësimit të konflikteve

Si formë e zgjidhjeve apo, më mirë të them, të ndërmjetësimit të konflikteve është mediacioni apo ndërmjetësimi

Pjesa më e madhe e njerëzve nuk i donë konfliktet, pa marrë parasysh natyrën e tyre. Po ndodh ndonjëherë të jetë e pamundur të largohemi nga ndonjë konflikt që mund të jetë i natyrës që prek fusha të ndryshme jetësore.

Pra, raportet sociale në shoqërinë që është duke u bërë edhe më shumë komplekse dhe e shumëllojshme në këndvështrimin e gjerë, ku raportet shoqërore janë më komplekse e dinamike, kërkohet të gjenden forma më të shpejta, më alternative e më pak të shtrenjta të gjetjes së zgjidhjeve të problemeve jashtë kuadrit klasik juridik, ekonomik, social etj.

Si formë e zgjidhjeve apo, më mirë të them, të ndërmjetësimit të konflikteve është mediacioni apo ndërmjetësimi.

Termi «mediacion» rrjedh nga gjuha latine «Médiaire», që do të thotë «të jesh në mes», pra si ndërmjetësues, që shërben si pajtues. Duke u bazuar nga ky shpjegim, mund të konstatojmë që ky definim i profesionit ekziston që moti, po në realitet edhe tani, në ditët e sotme, nuk është aq lehtë të definohet apo të shpjegohet qartë ky profesion edhe në shtetin e përparuar, siç është Zvicra.

Në faqën zyrtare të internetit të kantonit Vaud të Zvicrës, www.vd.ch duke shtypur fjalën kyçe “mediacioni”, mund të gjeni shumë informata rreth ndërmjetësimit në Zvicër dhe, në veçanti në kantonin Vaud. Për shembull, mund të gjeni informata mbi ndërmjetësimin civil, ndërmjetësimin për shëndetin dhe aftësitë e kufizuar, ndërmjetësimin në administratë, ndërmjetësimin ligjor, ndërmjetësimin në shkollë si dhe informata të ndryshme përshkruese mbi ndërmjetësimin në përgjithësi.

Gjatë aktivitetit tim profesional për shtrukturat shtetërore të kantonit Vaud, vërej se sa e lehtë është të gjesh informata mbi ndërmjetësimin, metodën e parandalimit dhe zgjidhjes të konflikteve me mjete më të shpejta, më ekonomike dhe, mbi të gjitha, më konstruktive sesa procedura ligjore, e prapëseprapë kjo metodë mbetet një praktikë ende pak e përdorur?

Ky fakt më bëri të përcaktohem për këtë shkrim që është më shumë si hyrje për të pasur njohuri të përgjithshme e të vazhdueshme në praktikat apo në format e mediacionit.

Mediacioni është një ndër metodat më të shpeshta, të cilat aplikohen  si metoda të zgjidhjeve alternative të konflikteve, e cila është vlerësuar si mënyrë më e shpejtë, efikase dhe njëherësh më ekonomike e zgjidhjeve të kontesteve. Si edhe si mënyrë më e mirë e shkarkimit të punës pranë gjykatave. Si rezultat i këtyre vetive, mediacioni i ka të gjitha predispozitat për t’u bërë mënyra dominuese e zgjidhjeve alternative të konflikteve. Mediacioni është mënyrë e zgjidhjes së konflikteve dhe tejkalimit të mosmarrëveshjeve përmes palës të tretë, e cila është neutrale dhe e cila paraqitet në rolin e mediatorit, respektivisht të ndërmjetësuesit në mes të dy palëve, të cilët kanë kontest mes vete.

Citojmë faktin që mediatori duhet të jetë profesionist, neutral, i pavarur, dashamirës, por në të njëjtën kohë, të demonstrojë aftësinë për të kuptuar shpejt natyrën e konfliktit, duke i lënë hapësirë përvojës së bazuar në aftësinë për t’i bindur palët, në mënyrë që ata të gjejnë vetë zgjidhjet për mosmarrëveshjen e tyre .

Për të qenë në gjendje të ndiejë vlerat, ndjenjat dhe nevojat, mediatori duhet të jetë i disponueshëm, i pranishëm dhe i vëmendshëm. Mediatori duhet të jetë në gjendje të dëgjojë, t’i njohë vuajtjet e palëve dhe që personat që i drejtohen mediatorit të kenë besim në profesionalizmin e tij, të respektohet dhe të ketë një vend në vendimin “përfundimtar”.

Mediatori fokusohet në njohjen e problemeve. Në të vërtetë, konfliktet lindin kryesisht nga mungesa e njohjes së njerëzve. Mungesa e njohjes gjeneron përbuzje dhe vuajtje të padurueshme, nga ana tjetër, njohja e njerëzve krijon kushtet për një kërkim të përbashkët për zgjidhje të problemit.

Fazë shumë e rëndësishme është përzgjedhja e vendit të ndërmjetësimit, ku palët në konflikt gjejnë një hapësirë të përshtatshme të komunikimit. Ky vend komunikimi bëhet në një farë mënyre dëshmitar i sekuencave të jetës së ndërmjetësuesve.

Si pjesë e punës sime në Zyrën Kantonale për Integrimin e të Huajve dhe Parandalimin e Racizmit në Kantonin Vaud, janë, ndër të tjera, konsultimet. Jam përgjegjës për konsultime për personat që janë të diskriminuar dhe mediacioni bën pjesë në veprimet e mia për ndërmjetësimin e konflikteve.

Duke qenë i specializuar edhe në Mediacion të konflikteve, i kam dhënë hapësirë komunikimit paraprak mbi fushat ku mund të intervenoj si mediator. E të gjitha veprimet i kam përmbledhur në një protokoll  të shkruar enkas për pasqyrimin e punës sime.

Qëllimi i protokollit është të sqaroj rolin e zyrës ku punoj në fushën e luftës kundër diskriminimit dhe, në veçanti përshkrimin e procedurës për marrjen, monitorimin, referimin dhe shoqërimin e viktimave të diskriminimit.

Në praktikën time i kushtoj më shumë rëndësi aftësisë për të krijuar një komunikim të mirë. Mesazhet e dhëna që në fillim të kontaktik me viktimat e diskriminimit më ndihmojnë që t’i shmangim  keqkuptimet.

Hapësirën e pritjes dhe dëgjimit të krijuar për njerëzit e prekur nga diskriminimi dhe koha e dhënë për ta pa i kufizuar, i jep mundësi viktimës të marrë vetëbesimin që i ka munguar dhe që viktimat kanë vuajtur nga fakti që askush nuk ka besuar në versionin dhe pikëpamjet e tyre të treguara.

Nga praktika ime profesionale disavjeçare mund të them që mediacioni është edhe si formë parandaluese shumë efikase e konflikteve dhe kontesteve.

Fushat e veprimit të mediacionit janë të ndryshme dhe praktikat po ashtu.

Mbrojtësit e mediacionit si formë e zgjidhjes së konflikteve thonë që «Procedura juridike ndërton mure, ndërsa ndërmjetësimi ndërton ura… »