Luani, njeriu i guximit, sakrificës dhe vizionit

“Luani përbën zingjirin e dëshmorëve që po na mbajnë mbi shpatulla siç e mban themeli shtëpinë”, ka thënë kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj

Shënimi i 15 vjetorit të rënies së Luan Haradainajt, i shpallur Hero i Kosovës, ka mbledhur në Schlieren të Cyrihut një masë të madhe bashkatdhetarësh.Një numër personalitetesh nga institucionet kosovare, gjegjësisht deputetët si Donika Kada-Bujupi, Zenun Pajaziti, kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj  dhe veprimtari i njohur Ali Lajçi, kishin ardhur po ashtu për të nderuar Haradinajn. Nuk kanë munguar as ambasadorët shqiptarë të tre shteteve; Mehmet Elezi, i Shqipërisë, Naim Malaj i Kosovës dhe Ramadan Nazifi, i Maqedonisë.

© albinfo.ch – Deputetja Donika Kada-Bujupi

Deputetja Donika Kada-Bujupi duke ngritur lartë figurën e Luan Haradinajt në fjalën e saj ka thënë se “sot po përkujtojmë bashkë me pietet të madh njeriun që ngërthente në vete sakrificën, guximin dhe vizionin për ardhmërinë.”

Ndërsa kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, pasi ka falënderuar Zvicrën që siç tha ai “na dha strehë dhe mundësi ta duam vendin tonë”,  ka thënë se “Luani e përbën atë zingjirin e dëshmorëve që janë duke na mbajtur mbi shpatulla siç e mban themeli shtëpinë. Ai është emër prej të cilit ne marrim identitetin tonë kombëtar”.

© albinfo.ch – Kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj

Në fjalën e tij, ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Mehmet Elezi, ka çmuar lartë sakrificën e Luan Haradinajt dhe të gjithë familjes Haradinaj. Por, ai ka ërkuar më shumë punë nga shqiptarët për të sendërtuar idealet e Luanit dhe të dëshmorëve të tjerë.

Ndërsa ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Naim Malaj ka thënë se gjaku i Luan Haradinajt dhe i të gjithë dëshmorëve tjerë është më meritori për lirinë që ne po e gëzojmë sot. Sipas tij, Luan Haradinaj është njëra ndër figurat më emblematike të kombit shqiptar.

Ambasadori i Maqedonisë në Zvicër, Ramadan Nazifi pasi ka vlerësuar figurën e Luanit dhe të familjes Haradinaj ka shprehur besimin se drejtësia do të fitojë dhe Ramush Haradinaj do të lirohet nga burgu i duke nderuar shembëlltyrën e Luan Haradinajt, ka çmuar lart edhe kontributin e mërgatës shqiptare në botë për të gjitha proceset e zhvilluara në Kosovë. Ajo, sipas tij, vazhdon të jetë në krye të misionit për realizimin e aspiratave kombëtare. 

Konsulli i Kosovës në Cyrih, Sali Sefa duke iu drejtuar të pranishmëve veç tjerash ka thënë: “Dëshmorët janë sot gjallë kudo në mesin e shqiptarëve pasi të tillë i ka bërë vepra e tyre e pavdekshme”.

Ndërsa Lan Avdiu në emrin e Këshillit Organizativ ka shprehur dëshirën dhe besimin që sa më shpejtë të kthehet i lirë në Kosovë Ramush Haradinaj.

Në një fjalim emocionues, në emër të familjeve të dëshmorëve, Agim Pajaziti, vëllai i heroit Zahir Pajaziti, ka shfaqur shqetësimin e kësaj kategorie me rrjedhën që po marrin proceset në Kosovë. Ai është shprehur kundër politikanëve që kanë ngritur pasuri në emrin e gjakut të dëshmorëve si dhe kundër lëshimeve që po këta politikanë, sipas tij, po bëjnë në raport me statusin e shtetit të Kosovës.

Një program i pasur artistik është shfaqur në vazhdim të tubimit, ku me këngë kushtuar dëshmorëve janë paraqitur këngëtarët e njohur si Arif Vladi, Niman Mushkolaj e Mentor Mushkolaj. Po ashtu ansambli “Vatra” dhe “Drita” janë paraqitur me një numër vallesh folklorike. 

© albinfo.ch- Shfaqje e ansambleve “Vatra” dhe “Drita”