Liri Lushi: Është koha të investojmë për fëmijët tanë

Aktorja e njohur Liri Lushi, e cila prej vitesh jeton në Zvicër, flet për projektin e saj më të ri “Kultura – Shtëpia ime”

Zonja Lushi zbulon për lexuesit tanë detaje të projektit ambicioz “Kultura – Shtëpia ime”, në krye të të cilit është vënë së fundi. “Podiumi”, Teatri i fëmijëve “Më shumë se ëndërr” dhe Gala “Albanian Award”, janë tri nga shtyllat mbi të cilat mbështetet projekti. Ajo shpalos planet që për synim të fundit kanë pasurimin e jetës kulturore, artistike të komunitetit tonë, vënien në pah të vlerave kulturore të kombit tonë në mjedisin ku jetojmë dhe integrimin e suksesshëm në këtë shoqëri përmes vlerave më të mira që përfaqësojmë.

Zonja Lushi është duke ndjekur Shkollën e Lartë ZHAW në Winterthur (School of Menagement and Low, Master in Arts Management), master për menaxhimin e Kulturës. Ajo shprehet se përmes kësaj shkolle ka ndërtuar një këndvështrim të ri përsa i përket shoqërisë dhe bazave të saj siç janë politika, ekonomia, sociologjia dhe kultura. “Sigurisht, një sfidë e madhe e cila sa vjen e bëhet më e bukur dhe kërkon luftë për ta fituar”, shprehet Liri Lushi. 

albinfo.ch: Zonja Lushi, ju keni iniciuar një projekt për gjallërimin e jetës kulturore në mesin e shqiptarëve në Zvicër. Çfarë do të përmbajë ky projekt? Në çfarë drejtimi i keni fokusuar përpjekjet Tuaja?

Liri Lushi: Projekti i  emërtuar „Kultura – Shtëpia  ime“ lindi si një kërkesë e përcaktuar nga rrethanat në të cilat njerëzit  me prejardhje të huaj jetojnë, si një mundësi  e realizimit të mendimeve të tyre, si nga  ana racionale po ashtu edhe emocionale dhe kryesisht për të shpërfaqur dhe çuar më tej vlerat kulturore të cilat janë një trashëgimi e pasur dhe e lashtë që kanë shqiptarët, ato janë fundamenti i jetës njerëzore. Për të ruajtur e zhvilluar imazhin e njeriut me formim të qartë e perëndimor. 

albinfo.ch: Projekti është i ndarë në tri faza. Çka mund të na thoni për fazën “Podiumi”, si pjesë e parë e projektit? Çfarë përmban ai, si mendoni ta realizoni?

Liri Lushi: Në Podium do të trajtohen temat që kanë të bëjnë me shoqërinë tonë të vendosur në perëndim. Unë mendoj që mbas fazës së parë, e cila  do të realizohet nëpërmjet komunikimit dhe postës elektronike ne do të organizojmë fazën e dytë dhe konkretisht një konferencë me një dimension të gjerë, ku do të referohet dhe do të debatohet për mënyrën se si kultura të mund t`i vihet në shërbim shoqërisë dhe fenomeneve të reja që i shfaqen asaj në rrethanat e sotme.

albinfo.ch: E bukur duket ideja për Teatrin e fëmijëve “Më shumë se një ëndërr”. A na e shpjegoni më hollësisht se si do të duket në praktikë realizimi i saj?

Liri Lushi: Teatri i fëmijëve „Më shumë se një ëndër” është pjesë e këtij projekti. Unë e mendoj këtë si një instrument tejet efikas për arritjen e qëllimit. Fëmijët  tanë janë të vendosur në një pozicion dual: në njërën anë familja me gjuhën dhe traditat e sjella nga vendlindja dhe në anën tjetër shoqëria me kërkesën e ligjshme për integrim brenda saj. Këto janë probleme  të cilat ne do të mundohemi t`i trajtojmë dhe të ndihmojmë në zgjidhjen e mëtejshme të tyre.

albinfo.ch: Teatri për fëmijë do të funksionojë njëherësh si shkollë apo vetëm si grup teatror?

Liri Lushi: Do të përpiqem që të ketë funksionin e një shkolle por jo vetëm në kuptimin e artit, sepse akoma më e rëndësishme për mua është roli i teatrit në  formimin socio-kulturor. Sigurisht, në këtë drejtim kanë punuar dhe punojnë shoqata dhe institucione të ndryshme si private ashtu dhe shtetërore, por ne do të përpiqemi të japim kontributin tonë në një fushë të tillë që është sa e rëndësishme dhe e bukur po ashtu dhe shumë komlekse dhe kërkon forcë e formim profesional. 

albinfo.ch: Cilat mosha do të përfshihen dhe në cilën gjuhë do të realizohen shfaqjet?

Liri Lushi: Moshat delikate për formimin e personalitetit të një të riu i cili ndodhet përballë një zhvillimi shoqëror që ndryshon me një shpejtësi marramendëse dhe në se nuk vrapon nuk mund ta arrish. Shfaqjet do të realizohen në të dyja gjuhët, një kombinim i tillë do t`i ndihmonte fëmijët të kuptojnë më mirë lidhjet që kanë me rrethin familjar duke i pasur kështu më të qarta kërkesat dhe detyrat ndaj shoqërisë dhe ligjit.

albinfo.ch: Ideja e gjithë projektit, është gjithsesi e bukur dhe fisnike. Por, ku e mbështetni ju besimin për realizimin e projektit? A keni (apo: a ka) resurse të mjaftueshme materiale dhe profesionale, teknike për realizimin e tij?

Liri Lushi: Besoj se ka ardhur koha që të investojmë të gjithë për projekte që kanë të bëjnë me të ardhmen e fëmijëve tanë. Ata janë kapitali ynë.Mediet Interaktive si Web-2.0-Tools, Blogs apo Twitter kanë hapur mundësi të reja dhe është e qartë që përdorimi i këtyre medieve ndërmjetëson fuqishëm për kontakt me të interesuarit. Kështu, ne kemi mundësi nëpërmjet online Tools të kontaktojmë dhe të na kontaktojnë shumë të interesuar njëherësh, pa humbur kohë dhe duke pasur forma konkrete dhe të thjeshta për të dhënë edhe një kontribut modest për këtë projekt, i cili jam e sigurt që ka shumë për thënë përsa i përket formimit të brezit të ri, prestigjit, imazhit tonë.

Nga shumë kërkime shkencore rezulton  se kur në kulturë investohet 1 frang, atëherë në ekonomi do të kemi 2 franga të ardhura. :-).  Për më shumë informacione, lexuesit e albinfo.ch mund të vizitojnë faqen tonë në internet: www.kult-al-moissi.ch  

   

Sigurisht do të provojmë më tej me sponsorë dhe mecenë, pasi pa këtë bazë ekonomike nuk mund të shkojmë larg. Por fillimisht menduam  që të prezantojmë projektin dhe kështu  të jetë e qartë për mbështetësit tanë ekonomikë se për çfarë duhet të investojnë. 

Realizuesit dhe mbështetësit e projektit “Kultura – shtëpia ime”

Në grupin projektues dhe realizues të projektit, krahas Liri Lushit është edhe Merjona Telo. Ajo ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë, e diplomuar si aktore. Kordinatorët e tjerë të projektit ” Kultura -shtëpia ime” janë Fitore Aliu, studente në marketing në shkollën e lartë, Zürich, Enver Osmani pedagog i diplomuar në sociologji, Besim Rexhiqi sekretar i përgjithshëm i FC Kosova, Driton Aljiji  drejtues Back Office në firmën ENB si dhe Ani Kapo, zëdhënëse, e cila ka studiuar në shkollën e lartë SAL, Zürich, për gazetari. 

Si do të funksionojë komunikimi me projektin

Meriona Telo, si bashkëpunëtore e projektit është përgjegjëse për kontaktet nëpërmjet medieve elektronike. Meriona ka qenë dhe pjesëtare e grupit të punës për themelimin e studios artistike “A.Moisiu”. Ajo vazhdon pranë EB Zurich kursin Web Publishing për Webmasterin.

Duke shpjeguar funksionimin e projektit nga aspekti i punës së saj, ajo thotë: „projekti ynë prezantohet në faqen tonë www.kult-al-moissi.ch. Themeli i saj është media shoqërore si një platformë ideale për të shkëmbyer mendime, përshtypje dhe eksperienca. Njëra shtyllë e projektit është „Podium” që do të jetë një formë komunikimi dhe dialogu me anë të rrjeteve shoqërore elektronike si Twitter, Facebook, etj.

Shtylla tjetër është ajo e teatrit “Më shumë se një ëndërr”, ku, siç sqaron Telo, fëmijët dhe të rinjtë do të kenë mundësi të bëjnë regjistrimin online ndërmjet formularit përkatës në këtë rubrikë si dhe të aplikojnë për Casting në projektin e radhës. Ndërsa përmes shtyllës së tretë “Albanian Award” ftohen të gjithë miqtë tanë në web të dërgojnë propozimet e tyre. Secili mund të propozojë nga 2-3 kandidatë për të konkurruar për tu zgjedhur shqiptari më i suksesshëm me banim në Zvicër. Në bazë të kësaj përzgjedhjeje do të bëhet seleksionimi për në fazën finale”, përfundon Meriona Telo.