Lajme

Lidhja e kriptovalutave me botën e krimit

Rritja e vlerës së kriptovalutave ka bërë që shumë persona, ndër ta edhe kriminalë, të investojnë në to.

“Një monedhë për kriminelët”.

Kështu e kanë etiketuar Bitcoin disa politikanë dhe ekspertë bankarë, të cilët thonë se kjo është një ndihmë e përkryer për evazionin fiskal, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Trendin rritës të kriptomonedhave, ekonomisti Vjoldi Danaj për Albanian Post e shpjegon me arsyetimin se furnizojnë tregun e zi.

Për më tepër, Bitcoin është i hapur për të gjithë dhe nuk nevojitet leje për ta përdorur atë – dhe kjo, natyrisht, ka anët e veta negative.

Megjithatë Danaj ravijëzon se, me dëshirën e shteteve që “t’i fusin në shina”, kërkesa dhe oferta do të jenë pak a shumë në të njëjtin nivel.

Edhe çmimi do të jetë “me këmbë në tokë”.

Investimi në terrorizëm

Gazetari italian, Davide Frattini, i ka dedikuar një artikull organizatës palestineze “Hamas” dhe pasurimit të saj me miliona dollarë. Të gjitha këto, nëpërmjet kriptovalutave.

Grupet terroriste, sipas tij, së bashku me ata që pastrojnë paratë janë zhvendosur në hullitë virtuale të pasurimit, ku nuk të ndihmojnë dot shqisat për t’i gjetur.

Frattini, më tej, shkruan se organizata që ka mbizotëruar Gaza-n që nga viti 2017, pasi mori kontrollin e saj me një grusht shteti kundër Autoritetit Palestinez, ka ngritur ekipet e saj kibernetike. Të inkuadruara, këto në trupat e parregullta të brigadave “Ezzedin Al Qassam”.

Anëtarë të grupit terrorist “Hamas”

“Kështu quhet krahu i ashtuquajtur ushtarak që administron fondet në internet dhe merr pjesën më të madhe”, shpjegon gazetari italian.

Ngjashmëritë me firmat piramidale

Sipas një shkrimi në Financial Times, marketingu i shkëlqyeshëm dhe premtimet e larta të firmave piramidale gjatë vitit 1996 në Shqipëri shndërruan një ekosistem informal, të decentralizuar, lehtësues të krimit në një mani të zakonshme që tërhoqi turma njerëzish, të pakontrolluar nga paralajmërime të dobëta.

Sipas FT-së, është e qartë që paralelet midis skemave piramidale shqiptare dhe ekosistemit të sotëm ‘kripto’ janë më shumë konceptuale sesa konkrete. Por të dyja vareshin plotësisht nga flukset e vazhdueshme të parave në hyrje.

A është e vërtetë që Bitcoin mund të përdoret për të gjitha sa më sipër?

Sipas Besmir Semanajt, ekspert IT-je, kriptovalutat janë krijuar për t’u përdorur në tregun e zi.

“Kriptovalutat fillimisht janë nisur të prodhohen dhe funksionojnë si ndërmjetësuese pagesash në ‘DarkWeb’, hapësirë e internetit ku kryhen aktivitetet e paligjshme”, thotë ai për Albanian Post.

Një përdorim, veçanërisht i profilit të lartë të Bitcoin për qëllime kriminale, është në rastet e shantazhit të ransomware, ku hakerët bllokojnë sistemet kompjuterike të kompanive, qeverive, madje edhe shkollave apo spitaleve përpara se të kërkojnë një shpërblim në Bitcoin.

Shuma e parave të dorëzuara në formën e kriptomonedhës në sulme të tilla u rrit me mbi 300 për qind në vitin 2020 – këtë e dëshmojnë të dhënat e fundit nga firma amerikane e analizës, Chainalysis.

Por gjithashtu tregon se sasia totale e mashtrimeve, shantazheve dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme nuk është më e lartë në sektorin e kriptove sesa në ekonominë e zakonshme, ku kriminelët dhe mashtruesit ishin aktivë shumë përpara Bitcoin.

Semanaj, nga ana tjetër, nuk është aspak i mendimit që kriptovalutat janë kaq të padëmshme, sepse “shumë shtete po mundohen ta rregullojnë me ligje përdorimin dhe shitblerjen e këtyre monedhave”.

Chainalysis vlerëson gjithashtu se pjesa kriminale e të gjitha transaksioneve të kriptove në vitin 2020 ishte nën një për qind.

Transferat e Bitcoin, të gjurmueshme

Një studim i kryer nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets në Shtetet e Bashkuara pretendon se ka vlerësuar të gjitha transaksionet e Bitcoin deri më sot dhe ka arritur në përfundimin se vetëm tri për qind e tyre kishin lidhje me aktivitetin kriminal.

Nëse këto të dhëna janë të sakta, elementi kriminal i Bitcoin nuk është më i madh se në tregjet tradicionale, dhe tregtia e drogës, shantazhi dhe mashtruesit ekzistonin të gjitha përpara themelimit të Bitcoin në 2009.

Një ndryshim kryesor këtu është se transaksionet e Bitcoin janë në fakt të gjurmueshme. Mund të mos jetë publike se kush është pas çdo adrese, por pasi të bëhet lidhja, autoritetet mund të ndjekin shpejt paratë. Tregtarët dhe kriminelët e tjerë janë arrestuar në këtë mënyrë në të gjithë botën, duke dëshmuar pse mafia italiane, për shembull, preferon të qëndrojë me para të thata në vend të Bitcoin.