Integrimi

Kujdes nga lajmet spekulative mbi vizat B për shqiptarët pa dokumente!

Në adresën e albinfo.ch kanë ardhur pyetje dhe kërkesa të personave të prekur ose të familjarëve të tyre që duan të dinë më shumë për mundësinë e re

Një tekst që po bën xhiron në mediat shqiptare flet për “20 mijë” shqiptarë pa dokumente në Zvicër të cilët pritet të marrin Vizën B. Një lajm i tillë, sidomos titulli i tij është spekulativ dhe si i tillë ngjall shpresa të rreme te shqiptarët që kanë këtë status. Për pasojë, edhe në adresën e albinfo.ch kanë ardhur pyetje dhe kërkesa të personave të prekur ose të familjarëve të tyre që duan të dinë më shumë për mundësinë e re.

Lidhur me këtë, redaksia e albinfo.ch u preferon të interesuarve që të lexojnë informatën burimore të dalë nga konferenca për media që kanë mbajtur zyrtarët kompetentë dhe të mos mbështeten në lajme të natyrës spekulative sikur ai i përmendur më lartë.

Albinfo.ch ndërkohë ka publikuar tekstin nga konferenca për media që ka mbajtur të martën në Gjenevë drejtuesi i departamentit për siguri dhe ekonomi Pierre Maudet. Aty, sigurisht, nuk bëhet fjalë për 20 mijë shqiptarë dhe as për shifra komunitetesh të ndryshme veç e veç. Ajo që theksohet aty është se nga iniciativa e Kantonit të Gjenevës për të lehtësuar legalizimin e qëndrimit të të huajve pa dokument, nën kushte të caktuara në mënyrë rigoroze do të mund të përfitojnë rreth 13 mijë persona nga kjo kategori, sa llogaritet se jetojnë në këtë kanton.

Më poshtë, teksti i publikuar nga konferenca e përmendur për shtyp.

Kantoni i Gjenevës ka vendosur të lehtësojë legalizimin e të huajve pa letra “Sans-Papiers” dhe në të njëjtën kohë të luftojë kundër punës në të zezë. Programi inovativ me emrin “Papyrus” ka gjetur mbështetje edhe nga Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM), shkruan sda.ch.

Programi i përmendur, bën të mundur që disa mijëra persona “Sans-Papiers” në vitet në vijim do të fitojnë lejen e qëndrimit (Viza B), ka deklaruar të martën drejtori kantonal për siguri dhe ekonomi, Pierre Maudet para mediave në Gjenevë.

Në konferencë ishte e pranishme edhe ish ministrja federale nga SP-ja, Ruth Dreifuss, transmetonalbinfo.ch. Ish politikania e shquar ka thënë me këtë rast se Gjeneva gjithmonë ka marrë mbi vete përgjegjësinë që i takon ndaj kësaj kategorie të shoqërisë e cila i kontribuon ekonomisë së vendit, ka thënë Dreifuss.

Programit të përmendur i ka paraprirë një fazë testuese nga fundi i vitit 2015, në të cilën janë legalizuar 590 persona, në mesin e të cilëve 147 familje. Projekti kishte gëzuar mbështetjen e Sekretariatit Shtetëror për Migracion (SEM), i cili kishte zbutur kriteret. Këto kritere ishin ndër të tjerat që familjet që përfitojnë duhet të kenë fëmijë që vijojnë shkollimin dhe të kenë qëndrim prej të paktën pesë vitesh pa ndërprerje  në Gjenevë. Ndërsa çiftet pa fëmijë dhe personat pa familje duhet të kenë jetuar prej dhjetë vitesh në Kantonin e Gjenevës.

Po ashtu integrimi i suksesshëm, njohja e mjaftueshme e gjuhës, biografia pa delikte dhe pavarësia financiare janë po ashtu kritere që duhen plotësuar. Fillimisht kantoni i Gjenevës do ta bëjë një ekzaminim paraprak dhe pastaj SEM do të vendosë për secilin rast të veçantë.

“Programi u referohet personave Sans-Papiers që kanë një jetë fare normale” ka thënë me këtë rast Maudet. Numri i personave pa letra ose pa status të rregulluar qëndrimi në Gjenevë vlerësohet të jetë rreth 13.000 sish, përcjell albinfo.ch. Ata vijnë kryesisht nga Amerika Latine, Ballkani dhe Filipinet, punojnë në ekonomitë familjare, një sektor në të cilin ka veçanërisht shumë punë në të zezë dhe dumping pagash.

Në të njëjtën kohë me programin për Sans-Papiers, Gjeneva ashpërson kontrollimin e punës në lëmin e  ekonomisë shtëpiake.

Në fund të prillit do të fillojë një fushatë informimi të punëdhënësve mbi këtë temë. Në Zyrën për Migracion në Gjenevë po ashtu do të hapet një byro informative për personat Sans-Papiers.