Lajme

Kthimi në një atdhe të huaj

Greqia dhe Italia janë ndër vendet më kryesore të emigrantëve shqiptarë. Pasi që këto shtete janë goditur posaçërisht rëndë nga kriza, shumë shqiptarë u detyruan të kthehen në atdheun e tyre. Për shumë prej tyre ky është një kthim në një vend të huaj

Jo, vullnetarisht ai nuk u kthye. Artur Metaj u përpoq me të gjitha mundësitë që të qëndojë dhe të punojnë në Greqi. Por kriza ekonomike i zhbëri planet e tij. Atij iu desha që para gjysmë viti t’i mbledhë valixhet dhe së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët  ta lë sallonin e tij të floktarisë në Athinë me të cilin kishte  udhëhequr që nga vitit 1999. Klientët e përhershëm shiheshin gjithnjë e më rrallë në sallon apo kërkonin zbritje të shumta. Dyqanin 140 m2 dhe gashtë të punësuarit e tij Metaj nuk arriti t’i financojë më gjatë. Kështu 38-vjeçari, i cili që në moshën 16 vjeçare së bashku me babanë e paralizuar dhe me gjashtë fëmijë të uritur i kishte ikur varfërisë së atdheut, kthehet në Shqipëri – në një vend , i cili zatën ishte atdheu i tij, por që pas kaq vitesh në dhe të huaj i duket posaçërisht i huaj. 

Shpresat e papërmbushura

Kthimet si të Metajt i has shpesh në rrugicat e Tiranës. E tillë është edhe 54-vjeçarja Violeta, e cila nuk dëshiron ta thotë emrin e saj të plotë. Ajo deri para pak kohësh jetonte në Athinë së bashku me vajzën 27- vjeçare dhe bashkëshortin e saj. Ai punonte në ndërtimtari, kurse ajo pastronte banesat  dhe merrte në kujdes fëmijët. Por në Greqi pothuajse nuk ndërtohet më në këto vitet e fundit dhe ndihmëset shtëpiake klasa e mesme arrin t‘i përballojë gjithnjë e më pak. E paplotësuar mbeti edhe shpresa se vajza pas përfundimit të studimeve të antropologjisë mund të gjejë një vend pune. Kështu pas 20 vitesh familja u kthye sërish në Tiranë, ku ka një banesë dhe me këtë mund t’i kursejë shpenzimet e qirasë. Por vendet e punës janë edhe këtu të pakta. Familja jeton nga kursimet e saj dhe shpreson në kohë më të mira.

Kriza e eurozonës po e godet ashpër Shqipërinë. Në dy deceniet e kaluara vendi eksportonte një pjesë të madhe të varfërisë dhe të papunësisë përmes migrimit dhe importonte në një masë modeste mirëqenien, pasiqëe migrantët nga  një pjesë e të ardhurave të tyre u  dërgonin  remitenca familjarëve të tyre. Si fatal u dëshmua fakti se shumica e të emigruarve u vendosen në vendet e prekura thellë nga kriza, siç janë Greqia dhe Italia. Në këto dy vende jetojnë rreth 85% e të gjithë emigrantëve shqiptarë. Dhe në këto dy vende u vërtetua pandehma se migrantët „last hired, first fired“ („të fundit punësohen, të parët shporren“) janë të parët që hedhen në rrugë.

Se sa shqiptarë u detyruan të kthehen në atdhe për shkak të humbjes së vendit të punës nuk është ekzaktësisht e njohur  për shkak të numrit të madh të qëndrimeve ilegale. Ilir Gedeshi, drejtor i Studimeve Ekonomike dhe Sociale në Tiranë, bën me dije për nje shifër të përafërt duke u mbështetur në rezultatet e regjisitrimit të popullsisë të fundvitit të 2011-ës. Aty vihet re një rritje e fuqishme e numrit të të kthyerve që nga viti 2008. Kështu mes vitit 2008 dhe 2011 janë kthyer rreth 83 000 emigrantë: deri sot do të duhej të jenë mbi 100 000. Sipas një ankete të Gerdeshit vetëm 57% e të papunëve shqiptarë në Greqi apo Itali kanë marrë ndonjëherë edhe ndihmën për të papunët – një dëshmi kjo për numrin e lartë të punësimeve joformale. Tek gratë kjo kuotë sillet rreth 50%, pasi që ndihmëset shtëpiake, kujdestaret e fëmijëve apo punëtorët me orar të reduktuar në restorante rrallë i janë paraqitur sistemit fiskal.

Mungesa e rrjeteve

Ngjashëm joformale paraqitet edhe gjendja në Shqipëri, ku ekonomia në hije sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësohet të jetë 60% e brutopordhimit të përgjithshëm. Për këtë arsye edhe vlerësimi se shkalla e papunësisë në vitin 2012 të jetë 14% nuk duket shumë domethënës. Në Shqipëri mund të mbijetojë vetëm kush nuk paguan tatime dhe kush nuk i përmbahet ligjit, thotë Anton Biti. 38-vjeçari punoi për 15 vite në Athinë, së fundi në një shërbim korrierie. Pas falimentimit të punëdhënësit të tij, ai kërkoi për pesë muaj të tërë një punë të re. Për të gjetur nuk gjeti gjë apo vetëm punë të tilla me të cilat nuk i përballonte as shpenzimet e tij të banimit, të cilat tërësisht arrinin shumën prej 600€. Para një viti ai u kthye në qytetin bregdetar të Durrësit, aty ku jeton edhe familja e tij. 

Kërkimi i një vendi të punës në Shqipëri është e vështirë për Bitin. Së pari me 38 vitet e tij ai konsiderohet tashmë i vjetër dhe , së dyti, ai jetoi për një decenie e gjysmë jashtë vendit. „Kjo lë zbrazësira në rrethin e të njohurve“. Një rrjet privat njohjesh i mungon atij dhe në bazë të njohjeve personale ai vështirë se mund të arrijë deri tek vendi i punës. Edhe hapi drejt ngritjes së veprimtarive private është përplot pengesa për të kthyerit, sepse edhe për këtë është i domosdoshëm patronazhi i politikanëve lokalë, të cilët ai i njeh shumë pak dhe tregu për shope të vogla apo restaorante është ashtu-kështu i ngopur. Si shokues për Bitin ishte edhe krahasimi i lartësisë së të ardhurave me Greqinë apo Italinë: „Për një punë të rëndë 11-orëshe në ndërtimtari mund të presësh 200 € në muaj, kurse kontributet e sigurimeve sociale nuk i paguan asnjë punëdhënës në ditët si këto“.

Motra e Bitit i jep të drejtë  atij: Teuta Thanasi  mori si shkas fatin e vëllait dhe motrës së saj (e emigruar në Amerikë) për t’i analizuar pasojat e krizës për emigrantët. Vëllai i papunë ndihmoi përmes intervistave, kurse ekonomistja studioi zhvillimin e remitencave. Këto dërgesa parash arritën këto dy deceniet e fundit deri në 20% e brutoprodhimit të përgjithshëm. Lartësia e tyre kalon në të shumtën e rasteve shumën e të gjitha eksporteve, investimet e drejtpërdrejta dhe mjetet për ndihmë zhvillimore të marra së bashku. Për shumë familje remitencat janë faktor i cilësimit si të varfër apo jo. Por remitencat kontribuojnë pak për zhvillimin e vendit: një pjesë e madhe e parave përdoren për blerjen e gjërave ushqimore apo të mallrave të tjera të konsumit nga importi-dhe kështu paraja del sërish nga vendi.

Nëse para krizës remitencat kanë qenë 12% deri 13% e brutoprodhimit të vendit, sot ato sillen në 8% të brutoprodhimit vendor. Thanasi thekson se kjo rënie nuk mund t’i përshkruhet në mënyrë monokauzale krizës ekonomike botërore.

E rëndësishme është edhe shkalla e lartë e pjekurisë së ciklit emigracional. Me këtë nënkuptohet emigrimi i  vazhdueshëm i anëtarëve të familjes, si i partnerëve bashkëshortorë, fëmijëve apo i prindërve në vendin pritës. Me këtë bie edhe numri i anëtarëve të familjes që duhet të ndihmohen dhe me kalimin e kohës edhe në forcimin e lidhjeve të emigrantëve me vendin pritës dhe në dobësimin e lidhjeve me vendin e prejardhjes.

Ndërmarrës transnacional

Edhe floktari Metaj dergonte më herët në shtëpi deri në1000 € në muaj. “Të afërmit e mi ishin çdo gjë tjetër përveç të lumtur kur befas më panë sërish në Shqipëri”. Sepse ai sot nuk mund t’i ndihmojë më të afërmit e tij,edhe pse ai pas kthimit e mori shpejt në dorë fatin e tij duke hapur një sallon floktarie në Tiranë. Ardhja për të nuk ishte e lehtë ndër të tjera edhe për shak të mentalitetit. Shqipërisë i mungon kultura e punës dhe e kredibilitetit, ankohet Metaj. Klientët nuk vijnë në kohën e paraparë për prerjen e flokëve, të punësuarit qëndrojnë në kafene për takime private gjatë orarit të punës dhe ligjet zbatohen kuturu. “ Me këtë mentalitet vendit nuk do t’i buzëqesh asnjëherë fati”. Metaj është i mrekulluar nga Gjermania. Atje vlerësohet puna dhe disiplina dhe shteti funksionon – përkundër Shqipërisë.

Por Metaj nuk është ndër ata që mbyll sytë para realitetit. Ai ështënjëri ndër të kthyerit, i cili përvojat e mbledhura jashtë vendit përpiqet t’i shfrytëzojë si  ndërmarrës. Shembuj si ky ju shërbejnë si dëshmi optimistëve se emigrantët e kthyer nuk bënë të shihen vetëm si ngarkesë e tregut edhe ashtu të thatë të punës, por edhe si shans për transferin e domosdoshëm të dijeve dhe të hopit zhvillimor. Nëpunës qeveritarë dhe ekonomistë janë duke punuar në projekte të ndryshme  nën nocionin “Ndërmarrësia transnacionale” se si emigrimi dhe zhvillimi do të mund të silleshin në raport simbiotik dhe se si ekonomia e Shqipërisëdo të mundë  të përfitonte më mirë nga të kthyerit dhe nga diaspora dhe atë jo vetëm nga remitencat.

Opcioni i fundit

Një kërkesë të qartë e formuloi para disa vitesh Eno Ngjela nga Programi për Zhvillim i Kombeve tëBashkuara (United Nations Development Programme (UNDP) ). Pasiqë vetëm nëvitin 2006  45% e të gjithë akademikëve e braktisën vendin, qeveria deshi që ta stopojë përfundimisht shkapërderdhjen e trurit dhe ta shndërrojë në një kthim të trurit. Studimi kishte të bënte jo vetëm me akademikët, të cilët kishin emigruar në vitet e nëntëdhjeta,por edhe me numrin gjithnjë e në rritje të të rinjve që studionin jashtë vendit (sidomos në Itali) dhe pas studimit qëndronin kryesisht atje. Synohej kështu që njerëz të kualifikuar të silleshin në administratë, universitet dhe në sektorin privat. Kishte përpjekje për përfitimin e kokave të mençura përmes një pakoje joshëse që parashikonte një fitim shtesë prej 4000 deri në maksimum 8000 dollarë amerikanë për dy vite.

Bilanci i suksesit është i  varfër. Kështu gjatë viteve 2008 dhe 2011 u kthyen vetëm 19 të shpërngulur në zyrat e administratës shqiptare. Në universitete ishin 100 të kthyer. Ky kthim kishte të bënte shumë më tepër me liberalizimin e sistemit arsimor sesa me programin e UNDP-së, që bëri që të mbijnë si nga toka shumë universitete private dhe të cilat kërkonin kudo mësimdhënës. Pothuajse pa ndikim mbeti synimi i kthimit të akademikëve në sektorin privat. Që nga viti 2012 nuk pati më përpjekje të tilla për kthim. Kthimi i trurit mbeti një iluzion.

Ekonomisti Gedeshi nuk habitet: “Të ardhurat më të larta nuk mjaftojnë. Akademikët qëndrojnë jashtë vendit, sepse ambienti i  tërësishëm  ekonomik nuk është i mirë, sepse fëmijët nuk kanë perspektivë, sepse vendi është i  korruptuar,sepse fëmijët nuk kanë perspektivë.” Në një studim me të kthyerit, të bazuar në 2500 intervista, vihet deri tek një përfundim që s’lë dilemë: kthimi për shumicën e emigrantëve mbetet opcioni i fundit. Ata e shtyjnë kthimin për sa të jetë e mundur. Para se të ndërmerret hapi i kthimit ata punojnë edhe me rrogë më të ulët, marrin një punë të dytë apo edhe i harxhojnë kursimet. Vetëm nëse e tëra kjo nuk mund të përballohet gjatë, mendohet për kthim. “Vuajtjet në Greqi apo Itali janë për shumicën e  emigrantëve më të pranueshme sesa jeta në Shqipëri “.

 

Thomas Fuster, NZZ

Përkthimi: Nexhmedin Gerguri