Uncategorized

Kriza greke prek edhe rajonin

Nëpër Konsullatat shqiptare në Athinë, Selanik dhe Janinë, të gjitha shërbimet do të kryhen vetëm me parat në dorë. Maqedonia ndërkaq ka tërheq paratë nga Greqia  

Kriza e rëndë financiare që ka përfshirë Greqinë, duke u mbyllur edhe bankat greke, ka ndikuar edhe tek komuniteti shqiptarë në Greqi, por edhe tek shtete e rajonit. Nëpër Konsullatat shqiptare në Athinë, Selanik dhe Janinë, të gjitha shërbimet do të kryhen vetëm me parat në dorë (cash).

“Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Greqi njofton se, për shkak të pezullimit të punës në sistemin bankar në vend, të gjitha pagesat për veprimet konsullore do të kryhen me para në dorë pranë këtij posti konsullor. Kjo procedurë do të jetë e vlefshme deri në një njoftim të dytë”, thuhet njoftimin e tri konsullatave shqiptare.

Edhe Maqedonia i ka urdhëruar bankat e veta që t’i tërheqin parat e veta nga bankat e Greqisë dhe të ndërmarrin “masa parandaluese” për ta kufizuar largimin e kapitalit në fqinjin e saj jugor, që kërcënohet nga një krizë me thellë financiare.

Kjo lëvizje nga Banka Qendrore e Maqedonisë u bë dje, pasi Athina ka shpallur se do të ndërmarrë kontroll të kapitalit dhe do t’i mbyllë bankat, meqë kreditorët ndërkombëtarë refuzuan ta vazhdojnë kredinë, ndërsa kursimtarët janë rreshtuar për tërheqjen e parave të tyre të gatshme.

Banka Qendrore e Maqedonisë në Shkup tha se masat e saj janë “të karakterit të përkohshëm, që kanë për qëllim shqyrtimin e rrezikut të një rrjedhjeje më të maadhe të kapitalit nga Maqedonia te fqinji jugor, që mund të shkaktoj shkatërrim të konsiderueshëm të bilancit të pagesave dhe të stabilitetit të sistemit financiar”.

Ndryshe, kërcënimi i autoriteteve greke për të dalë nga eurozona, ka alrmuar edhe vendet e rajonit. Analistët mendojnë se shpresat që shteti helen të mbetët në euron, janë vetëm 15 për qind.

Parashikimet e koluministit ekonomik të agjencisë Bloomberg, Mohamed El Erian, nuk shohin opsion tjetër veç këtij skenari. “Aq është mundësia. Sepse 85 për qind unë shoh mundësinë e shtrëngimit të saj për t’u larguar nga zona e monedhës së përbashkët, jo sepse kështu dëshiron, por sepse nuk është e aftë të qëndrojë më”, deklaroi El Erian, raporton TCH.

Edhe nëse deri para pak ditësh ekzistonte një lloj optimizmi se zgjidhja do të gjendej, shpresat u fashitën pas mesnatës së të premtes, me thirrjet e Aleksis Tspiras për referendum, një apel i lëshuar vetëm pak ditë para skadimit të afatit të dorëzanisë dhe të shlyerjes së borxhit prej 1.7 miliardë dollarësh që Athina i detyrohet FMN-së.

Tregjet aziatike ishin të parat që ndjenë tërmetin e frikës se kriza greke mund të përhapet e të prekë edhe shtete të tjera të bllokut. Euro ra në nivelin më të ulët të këmbimit kundrejt dollarit amerikan që prej fundit të janarit.

“Nëse donin referendum, që në vetvete është një rrugë relativisht pozitive për të treguar nëse grekët duan të qëndrojnë në Eurozonë ose jo, mund ta kishin bërë javë më parë”, mendon Shane Oliver, kreu i strategjisë së investimeve në kompaninë “AMP Capital Investors” në Sidnej.

“Me zvarritjen e këtij vendimi deri në momentin kur duhej paguar borxhi i FMN-së dhe kur shembet programi i tyre i huamarrjes, nuk bënë gjë tjetër veçse garantuan një maksimum pasigurie dhe kaosi”, shton Oliver, i cituar nga “Financial Times”.