Kosova

Kosovë: Qeveria shfuqizoi disa vendime të marra për të parandaluar pandeminë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sonte ka marrë vendim që Aeroporti i Prishtinës të hapet më 28 qershor. Po ashtu, u mor vendim të lejohet puna e autoshkollave e hapja e pishinave.

Përveç këtij vendimi që konsiderohet si i një rëndësie jetike për ekonominë kosovare, qeveria ka shfuqizuar edhe disa vendime të mëhershme të marra në kuadër të masave për parandalimin e koronavirusit.

Më poshtë janë vendimet që janë shfuqizuar sonte nga Qeveria e Kosovës:

Shfuqizohet: Vendimi ku ndalohet eksporti i medikamenteve mjekësore nga operatorët ekonomikë.

Shfuqizohet: Pezullimi i përkohshëm i fluturimeve nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm.

Shfuqizohet: Pezullimi i të gjitha linjave ajrore.

Shfuqizohet: Vendimi me të cilin ndalohen aktivitetet publike dhe jopublike që kanë mundur të mbahen pa praninë e publikut, tubimet sportive, konferenca, tryeza të rrumbullakëta etj.