Kosova

Kosovë: Përleshen prindërit me zyrtarët e Komunës rreth mësimit të fëmijëve

Komuna e Kamenicës tash e sa kohë ka nisur një riorganizim të mësimit, por prindërit nuk po pajtohen dhe kërcënojnë të ndalin fëmijët nga shkolla

Banorët e fshatit Shipashnicë e Poshtme në komunën e Kamenicës në Kosovë kanë bllokuar derën e hyrjes së një shkolle me qëllim për të mos i lënë zyrtarët komunalë që të vendosin brenda kësaj shkolle inventarin për fëmijët parashkollorë, që është pjesë e reformave në arsim të premtuara nga kryetari Qëndron Kastrati.

Kjo ka bërë që të ketë situatë të tensionuar midis këtyre banorëve dhe policisë, pasi zyrtarët komunalë ia dolën të largohen. Policia u detyrua të përdorë sprej për ta futur në kontroll situatën.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili shtoi se spreji është përdorur pasi rreth 50 banorë të fshatit sulmuan zyrtarët komunalë.

“Ju njoftojmë se më 23 maj 2021 te shkolla fillore në fshatin Shipashnicë e Poshtme, komuna Kamenicë, banorët e fshatit e kanë bllokuar derën e hyrjes së shkollës me qëllim për mos t’i lënë zyrtarët komunalë që të vendosin brenda kësaj shkolle inventarin për fëmijët parashkollorë. Në vendin e ngjarjes janë tri patrulla policore të PK-së, mirëpo situata paraqitet e tensionuar. Aty janë mbledhur rreth 50 banorë të fshatit në shenjë pakënaqësie ku me këtë rast janë sulmuar zyrtarët komunalë. Për ta futur situatën nën kontroll është përdorur edhe spreji nga ana e zyrtarëve policorë. Për ngjarjet në vazhdim ju njoftojmë me kohë”, ka thënë ai.

Ndërkohë rreth këtij incidenti ka reaguar edhe u.d. i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili e fajësoi Qeverinë Kurti, për siç pretendon ai, po përdor nxënësit, prindërit dhe mësuesit e Kamenicës si fushëbetejë për inate e ego të sëmura pushteti.

“Sot Policia atje paska përdorë sprej ndaj banorëve që po mbrojnë shkollën nga mbyllja. Në vend që kryeministri e ministrja e Arsimit të ulen me kryetarin e komunës e të gjejnë zgjidhje për hapjen e shkollave në Kamenicë, ata po i përdorin nxënësit për të krijuar drama para zgjedhjeve lokale. Nxënësit duhet të kthehen në shkolla, ndërsa Qeveria e Komuna duhet t’u ofrojnë kushte sa më të mira”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, në reagimin e tij ka akuzuar minitren e Arsimit, Arbërie Nagavci, që me qasjen e saj po hedh “benzinë në zjarr”.

“Në Kamenicë vetëm 3.99% e fëmijëve shkojnë në kopsht. 96% të tjerë apo rreth 1400 fëmijë qëndrojnë në shtëpi. Edhe pse edukimi parashkollor është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e secilit fëmijë, në Kamenicë jo të gjithë e kanë këtë mundësi. Ashtu siç e kemi stërthënë, objektet e shkollave të fuzionuara do të përdoren për qëllimet më të mira për komunitetin. Dhe kështu, ne sot dërguam pajisjet dhe inventarin për çerdhen e Shipashnicës së Poshtme e cila do t’u shërbente fshatrave përreth. Është paraparë që të punësohen rreth 12 punëtorë dhe që dy vitet e para të jenë pa pagesë për fëmijët. Është vërtetë për keqardhje deri në ç’masë është duke u manipuluar komuniteti nga disa të badihavaxhinj. Nuk do ta besoja kurrë që në shekullin XXI një prind më përpara e dëgjon një manipulues sesa zemrën e tij për fëmijën e vet. Për më shumë, ministrja Nagavci me qasjen e saj po hedhë benzinë në zjarr. Kjo është e turpshme dhe e pafalshme”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Në një postim tjetër Kastrati ka shpjeguar edhe situatën me realizimin e punëve në çerdhen në Shipshanicë të Poshtme.

Ai ka thënë se skenat e sotme tregojnë se ka shumë punë për t’u bërë.

“Qysh në tetor të vitit 2019 kemi kontraktuar kompaninë për realizimin e punëve në çerdhen e Shipashnicës së Poshtme. Ua kemi komunikuar banorëve që nga ky fshat i varfër do të punësoheshin shumica e punëtorëve të kopshtit. Për dy vjet dërgimi i fëmijëve do të ishte pa pagesë. Le të ma thotë dikush edhe veç një arsye të qëndrueshme pse nuk duhet hapur çerdhen në Shipashnicë dhe unë jam gati të tërhiqem. Në shoqëritë në zhvillim, fëmija është objekti mbi të cilin prindi ushtron gjithë kontrollin e tij, si ajo shprehja ‘çka me ba tash, a me i nalë fminë prej shkolle a?” Ndërkaq, shoqëritë që synojnë emancipimin e trajtojnë fëmijën si pasuri e detyrim mbarë shoqëror e institucional, ku gjithsecili përkujdeset që të krijojë një klimë sa më të mirë zhvillimi. Skenat e sotme në Shipashnicë tregojnë që kemi shumë shumë punë për të bërë. Ata që dinë duhet të prijnë. Deri më tani ata që kanë ditur kanë këqyr seri. Disa të tjerë e kanë përdorë masën për t’u pasuruar e ngritur sa më lart për vete. Është koha e fundit të përvjelim mëngët. Kësaj radhe jo për politikë, por për të mirën e përbashkët”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Ndërsa reagim ka ardhur edhe nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka mohuar se ministria që ajo drejton ka ndërhyrë në situatën e krijuar mes komunës dhe banorëve.

Nagavci ka shtuar se askush nuk ka të drejtë t’i tejkalojë kompetencat, aq më tepër kur në mes janë fëmijët.

“Më duhet ta bëj të qartë edhe një herë se si ministre e Arsimit e kam obligim Kushtetues që ta realizoj të drejtën e çdo fëmije për shkollim dhe do të punojmë që asnjë fëmije të mos i mohohet kjo e drejtë. Ky duhet të jetë dhe qëllimi i të gjithëve, nuk ka asnjë arsyetim për faktin se më shumë se 440 fëmijë janë privuar nga kjo e drejtë”, ka shkruar ajo.

Ajo tutje ka shtuar se ka kontaktuar me ministrin e Punëve të Brendshme, nga i cili ka thënë se është njoftuar se Inspektorati Policor është duke e hetuar rastin nëse ka pasur tejkalim të kompetencave.

“Kjo është një situatë e krijuar tash e një kohë në mes Kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe banorëve të disa fshatrave atje dhe nuk ka të bëjë asgjë me nivelin qëndror. Ftoj komunën që të jetë në nivel të përgjegjësisë e të mos lejojë asnjëherë më të përsëriten situata të tilla. Prindërit dhe banorët, ndonëse janë përballur e po vazhdojnë të përballen me një situatë jo të lehtë, i lus të jenë të kujdesshëm në mënyrë që të mos krijohen ngjarje si kjo sot e mbi të gjitha të mos rrezikohet siguria e fëmijëve. Fëmijët duhet të jenë në shkollë. Prindërit të kenë në vëmendje të parë kujdesin për fëmijët, e Kryetari duhet të jetë në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar ajo.

https://www.facebook.com/telekomuna1/videos/965469480942810/