Futboll

Kosova, papritur bëhet pengesa kryesore për kualifikimin e Zvicrës në Botëror

Jakin: "Është e jashtëzakonshme ajo që po bën Kosova. Por nëse kualifikimi ynë duhet të vendoset në ndeshjen finale, atëherë do ta pranojmë atë sfidë"

Fitorja e Kosovës si mysafire ndaj Suedisë dhe rezultati baraz, i pakënaqshëm i Zvicrës ndaj Sllovenisë, ka ndryshuar ndjeshëm pozitën e Nati-t në garat për Botërorin 2026. Kështu, Kosova bëhet papritur pengesa më serioze për kualifikimin direkt të Zvicrës në Kupërn e Botës, që, deri dje konsiderohej çështje e kryer, shkruan albinfo.ch.

Kjo “befasi” është temë numër një e lajmeve dhe analizave sportive që po publikohen në mediat zvicerane. Kosova, me 7 pikët e fituara, tani mbetet pasuesja e vetme e Zvicrës (që ka 10 pikë) në grupin ku garojnë bashkë. Nëse Zvicra nuk fiton në ndeshjen kundër Suedisë, më 15 nëntor, Kosova mund t`ia rrezikojë Zvicrës jo vetëm kualifikimin e drejtpërdrejtë në Botëror por edhe kualifikimin në përgjithësi. Natyrisht, nëse Kosova do ta fitojë ndeshjen kundër Zvicrës, më 18 nëntor.

Zvicra ruajti të paprekur portën edhe në ndeshjen e saj të katërt kualifikuese për Kupën e Botës. Megjithatë, fitorja e synuar në Slloveni nuk u arrit. Ndeshja e radhës në shtëpi kundër Suedisë është tani edhe më e rëndësishme, thotë kryetrajneri Murat Yakin per mediat zvicerane, blick.ch, 20 minuten, bluewin.ch.etj.

Sidoqoftë, Bileta e Kupës së Botës do të duhet të presë. Me një fitore në Slloveni dhe ndihmën e Suedisë, ekipi kombëtar mund ta kishte vulosur tashmë pjesëmarrjen- tani situata është krejtësisht e ndryshme: Për shkak se Kosova fitoi në Suedi dhe Zvicra mundi të arrinte vetëm një barazim 0-0 në Slloveni, kosovarët janë vetëm tre pikë larg nga ekipi i Murat Yakinit.

Zviceranët ende duhet të udhëtojnë për në Kosovë për ndeshjen e tyre të fundit kualifikuese. Për të shmangur një finale emocionale, ata kanë nevojë për një fitore kundër Suedisë në Gjenevë më 15 nëntor, trasnmeton albinfo.ch. “Nëse luajmë lojën tonë, jam i bindur se mund të fitojmë përsëri. Patjetër që do të luajmë për fitore në shtëpi kundër Suedisë”, tha Yakin.

Ai nuk ka frikë nga një finale në Prishtinë. “Është e jashtëzakonshme ajo që po bën Kosova. Por ne nuk kemi frikë nga askush. Dhe nëse (kualifikimi) duhet të vendoset në ndeshjen finale, atëherë do ta pranojmë atë sfidë”.