Kosova

Kosova një hap larg Botërorit 2026 pas një kthese të jashtëzakonshme

Kosova, vetëm dhjetë vjet pas pranimit në FIFA, është shumë afër kualifikimit për herë të parë në Kupën e Botës. Pas një nisjeje të dobët dhe humbjes së thellë ndaj Zvicrës në shtator, ekipi i Franco Fodës bëri një kthesë të madhe, duke regjistruar tri fitore, dy barazime dhe duke siguruar plejofin me 11 pikë, përcjell albinfo.ch.

Ndryshimet taktike të trajnerit – kalimi nga 4-3-3 në një 4-4-2 më të disiplinuar – si dhe prurjet e reja në mesfushë (Rexhbeçaj, Avdullahu, Hoxha) dhe mbrojtje (Gallapeni, Hajdari) kanë qenë vendimtare. Edhe pse ylli Edon Zhegrova ka luajtur më pak, skema e re ka dhënë rezultate të qarta.

Kosova do të luajë në mars gjysmëfinalen e plejofit kundër Sllovakisë në Bratislavë, ndërsa finalja e mundshme në Prishtinë do të jetë ndaj fituesit Turqi–Rumani. Sipas analistëve, shanset ndaj Sllovakisë janë reale, ndërsa Turqia shihet si kundërshtar më i vështirë.

Kualifikimi në Botërorin 2026 do të ishte paraqitja e parë e Kosovës në një turne të madh dhe një arritje historike për futbollin dhe shtetin.