Kosova

Kosova mund të futet “në një situatë të paqartësisë kushtetuese”

KDI i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që të trajtojë në mënyrë të përshpejtuar lëndët që ka në shqyrtim e “të ofrojë qartësi kushtetuese përpara zhvillimit të procesit zgjedhor”

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) konsideron që vendi mund të futet “në një situatë të paqartësisë kushtetuese”, si rezultat i mos arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.

“Mungesa e përgjegjësisë politike dhe institucionale për arritjen e një marrëveshjeje për një çështje kaq të rëndësishme tashmë rrezikon ta fusë vendin në një situatë të paqartësisë kushtetuese”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.

KDI i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që të trajtojë në mënyrë të përshpejtuar lëndët që ka në shqyrtim e “të ofrojë qartësi kushtetuese përpara zhvillimit të procesit zgjedhor”, transmeton albinfo.ch.

“Asnjë prej proceseve që prekin funksionimin e institucioneve dhe proceset eventuale zgjedhore nuk do të duhej të zhvilloheshin nën një paqartësi kushtetuese. Çdo vonesë në interpretime të tilla krijon pasiguri juridike, institucionale dhe politike”.