Lajme

Kontraceptivët amerikanë të destinuar për shkatërrim në Francë, nxiten polemika të forta

Në mes të korrikut, autoritetet amerikane njoftuan synimin për të shkatërruar  ndoshta në Francë  një sasi të madhe kontraceptivësh për gratë, të blerë për programe shëndetësore humanitare. Vendimi, i denoncuar si ideologjik dhe anti-femëror, ka shkaktuar zemërim në rritje nga organizatat ndërkombëtare dhe aktorë politikë evropianë.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, kontraceptivët (implante hormonale dhe aparate intrauterine – IUD) ishin blerë gjatë presidencës së Joe Biden për përdorim në programe të shëndetit riprodhues, kryesisht në Afrikë. Megjithatë, pas reduktimeve drastike të ndihmës humanitare nga administrata Trump dhe mbylljes së USAID-it, këto produkte janë konsideruar të “panevojshme”.

Vlerë prej 10 milionë dollarësh

Stoku, që vlerësohet në rreth 10 milionë dollarë dhe me afat skadence deri në vitin 2031, është depozituar prej muajsh në Geel, Belgjikë. Sipas burimeve amerikane, kontraceptivët ishin planifikuar për incinerim në Francë në fund të korrikut, ndonëse vendndodhja aktuale dhe nëse janë djegur ende nuk është konfirmuar.

Belgjika ka deklaruar se ka ndërmarrë hapa diplomatikë me ambasadën amerikane për të ndaluar shkatërrimin e tyre, përfshirë opsionet për zhvendosje të përkohshme.

Në Francë, megjithëse Ministria e Shëndetësisë pohon se nuk ka informacion mbi praninë e kontraceptivëve në territorin e saj, disa burime flasin për lëvizje të mundshme drejt vendit. Presidentja e organizatës “Planning Familial”, Sarah Durocher, thotë se një proces i transportimit ka filluar, por ende nuk dihet nëse kontraceptivët kanë mbërritur.

“Pa bazë ligjore” për të vepruar

Qeveria franceze, e pyetur nga organizatat feministe dhe e majta politike, deklaroi se “nuk ka mjete ligjore” për të sekuestruar produktet. Ministria e Shëndetësisë tha se ” nuk ekziston një bazë juridike që i lejon një autoriteti evropian, apo agjencisë ANSM, të ndërhyjë”.

Ndërkohë, kompanitë që përfliten si përgjegjëse për incinerimin  si Veolia dhe Suez  mohojnë çdo përfshirje.

Peticion dhe reagim publik

Një peticion i nisur nga një kolektiv franko-belg më 30 korrik ka mbledhur mbi 21,000 firma në pesë ditë. Ai u bën thirrje presidentit Emmanuel Macron dhe kryeministrit François Bayrou të ndërhyjnë për të ndaluar incinerimin dhe për të shpërndarë produktet përmes OJQ-ve si Médecins sans frontières.

Ndër nënshkruesit është edhe Charles Dallara, nipi i deputetit Lucien Neuwirth, i cili legalizoi pilulën kontraceptive në Francë në vitet ’60. Ai i bën thirrje Macron të mbrojë trashëgiminë franceze në të drejtat riprodhuese.

“Një përgjegjësi morale” për Francën

Marine Tondelier, udhëheqëse e ekologjistëve francezë, deklaroi: “Nuk shoh kush në Francë mund ta pranojë këtë.” Partia Socialiste e quajti vendimin një “katastrofë shëndetësore dhe politike”, ndërsa “La France Insoumise” njoftoi se do të paraqesë një rezolutë në Kuvend për të kërkuar sekuestrimin e stokut.

Planning Familial theksoi se Franca, që nga viti 2024, ka përfshirë të drejtën për abort në Kushtetutë dhe për këtë arsye “ka një përgjegjësi morale për të vepruar”.

Ideologji dhe jo logjistikë, sipas OJQ-ve

Sipas disa organizatave ndërkombëtare, propozimet për të blerë ose riamballuar produktet janë refuzuar nga autoritetet amerikane. Zyrtarisht, shkatërrimi i tyre justifikohet si çështje “logjistike”, për shkak të mbylljes së USAID-it.

Por për OJQ-të, arsyeja është ideologjike: me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, janë shkurtuar miliarda në ndihmë humanitare dhe më shumë se 90% e stafit të USAID është pushuar. Tani programet mbetëse menaxhohen nga Departamenti i Shtetit, nën drejtimin e konservatorit të njohur pro-life Marco Rubio. Në këtë kontekst, të drejtat riprodhuese nuk janë më prioritet për administratën amerikane.