Integrimi

Konsullata në Gjenevë festoi dy ditë me radhë pavarësinë

Edhe në Gjenevë u shënua trevjetori i Pavarësisë së Kosovës. Të martën konsulli Benjamin Nikoliqi me bashkëshorten e tij pritën në lokalet e konsullatës mbi 50 mysafirë shqiptarë.  Për herë të parë konsullata e Kosovës me seli në Gjenevë pati kënaqësinë të ftojë gjithë bashkatdhetarët e saj.

Gjatë mbrëmjes së parë albinfo.ch pati nderin të takojë mjekë, inxhinierë, politikanë, ndërmarrës shqiptarë, si dhe disa figura shqiptare të Zvicrës. Të gjithë të pranishmit ushqenin mbrëmjen me sjelljet e tyre gazmore. Një lloj krenarie mbretëronte në mesin e tyre. “Tani bëhen 20 vjet që jetoj në Zvicër. Pas kaq shumë vuajtjeve, sot po festoj Pavarësinë në konsullatën tonë. Normalisht që kam shumë emocione dhe ndihem krenar”, shprehet një punëtor shqiptar. Ndërsa gotat cingëronin, dukej që konsullata ishte shndërruar në një vend takimi të shokëve të dikurshëm. Aty-këtu plasnin emocionet dhe dëgjoheshin zëra: “Qe sa vjet nuk të kam parë. Ku ke humbur kështu?”, etj. 

©albinfo.ch

Ndër mysafirët e shquar ishte po ashtu David Hiller, këshilltar shtetëror i Gjenevës. Ndër të tjera ai vërën se diaspora kosovare ka ndryshuar shumë. “Aktualisht shumë persona kanë arritur të zbërthejnë në zanatet e tyre. Nuk kemi më të bëjmë me një klasë punëtore sikur më parë”, vështron z. Hiller për albinfo.ch. Këshilltari shtetëror i gëzohet këtij përparimi dhe uron që gjeneratat e reja të dëshmojnë sa më shumë potencialin e tyre.

Sapo salla u mbush rreth e qark, konsulli Nikoliqi mori fjalën për t’u uruar mirëseardhjen mysafirëve të tij. Ai tha që ishte shumë i lumtur për fatin që kishte të organizojë një ceremoni të tillë për nder të pavarësisë. Kurse më vonë, z. Nikoliqi tregoi për albinfo.ch se për të ishte shumë e rëndësishme që çdo kosovar të ndihet mirë në konsullatën e tij. “Sonte qytetarët kosovarë janë të ftuar në konsullatë që ne duam ta gëzojnë sikur konakun e tyre”.

Ndërsa mbrëmja e parë përfundoi në një atmosferë festive, të nesërmen konsullata me seli në Gjenevë priti përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të ndryshme në Grand Hôtel Kampinski që gjendet në breg të liqenit. Përfaqësues të ndryshëm, konsuj të përgjithshëm, ambasadorë dhe diplomatë të shumtë të misioneve permanente të akredituar pranë OKB-së. Konsulli Nikolliqi tregoi për albinfo.ch që në mesin e personaliteteve të mbrëmjes kishte po ashtu përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës: Gana, Timori Lindor, Vatikani, Siria, Sudani, Uganda, Sierra Leone. .

Ishin të pranishëm edhe ambasadorët shqiptarë për Kosovën, Naim Malaj, për Maqedoninë, Aziz Pllozhani dhe Ramadan Nazifi, si dhe për Shqipërinë, Sejdi Qerimaj. Duke mos harruar personalitete të ndryshme që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër.

Edhe pse pritej që disa personalitete të Këshillit Shtetëror të Kantonit të Gjenevës të jenë të pranishëm, albinfo.ch takoi përfaqësuesin e Zyrës së Protokollit, z. Dominique Louis. Po ashtu duhet përmendur Konsulli i Pergjithshem i Portugalise, Austrise si dhe prej Ambasadoreve, mbrëmjen e kan nderuar: Amb. i Frances Jean-Baptiste Mattéi, Amb i Gjermanise Reinhard Schweppe, Nuncio Apostolik i Vatikanit Silvio Tomassi, Amb. i Japonise Kenichi Suganuma. “Sot jam posaçërisht i nderuar dhe krenar që jam nikoqir i pritjes për Festën Kombëtare për herë të parë në Gjenevën e bukur dhe diplomatike. Tre vjet më parë, përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike nga populli shpallen Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Nëpërmjet Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës tonë, në mënyrë të parevokueshme jemi zotuar që plotësisht t’i përmbushim të gjitha obligimet e përmbajtura në Propozimin Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të përpiluar nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Presidenti Marti Ahtisari, përfshirë të ardhmen demokratike dhe multietnike të Kosovës si dhe dispozitat lidhur me mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha konsulli Nikoliq. Ai, gjatë fjalimit, rikujtoi të gjitha peripecitë dhe vuajtjet e popullit shqiptar deri te arritja e shpalljes së Pavarësisë.

Po ashtu, z. Nikoliqi tregoi që Republika e Kosovës ka shënuar përparime të mëdha në të gjitha fushat e zhvillimit dhe shtoi se Kushtetuta kosovare si dhe Korniza Ligjore janë në përputhje të plotë më kërkesat e BE-së si dhe me shumicën e standardeve bashkëkohore ndërkombëtare.

Si në mbrëmjen e kaluar, të ftuarit cingëruan gotat për nder të Festës së Pavarësisë. Për një çast bashkatdhetarët shqiptarë lanë mbas të gjitha shqetësimet e shkaktuara aktualisht nga skena politike kosovare.