Lajme

Komuniteti serb bojkoton fushatën zgjedhore

Kryetarët e 9 komunave serbe në Kosovë po vazhdojnë t’i bojkotojnë zgjedhjet. Ata po kërkojnë rikthimin e 10 vendeve të rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës

Përfaqësuesit e nëntë komunave të Kosovës që drejtohen nga serbët, po e bojkotojnë pjesëmarrjen në fushatën zgjedhore, ndërsa kanë kërcënuar se nuk do të marrin pjesë as në zgjedhjet e 8 qershorit, nëse nga listat e fletëvotimeve nuk hiqen logot që tregojnë shtetësinë e Kosovës.

Po ashtu një kusht tjetër i liderëve serbë është rikthimi i 10 vendeve të rezervuara për pakicat, që do t’u mundësonte serbeve edhe minimum 5 vende më shumë në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i komunës së Mitrovicë së veriut, Leposaviqit, Graçanicës, Zveçanit, Zubin Potokut, Prteshit, Ranillugut dhe Kllokotit, kanë vlerësuar se për shkak të shkeljeve të principeve themelore të demokracisë dhe vlerave evropiane, edhe më tutje nuk ekzistojnë kushte për  pjesëmarrje të popullit serb në zgjedhjet në Kosovë.

“Qëndrimi i KQZ-së me të cilin vendosen rregulla të reja për caktimin e numrit të mandateve të fituara në bazë të rezultateve të zgjedhjeve paraqet shembull të pastër të shkeljes së Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, si dhe në mënyrë indirekte zvogëlojnë të drejtën e popullit serb dhe të bashkësive tjera etnike joshqiptare”, thuhet në një komunikatë të përbashkët.

Këto nëntë komuna drejtohen nga kryetarët që i përkasin listës “Srpska” e cila  dirigjohet nga Beogradi. Këta liderë komunal vërejtjet themelore i kanë tek vendet e rezervuara, të cilat iu mundsojnë serbëve të kenë minimum edhe 5 deputetë më shumë në Kuvendin e Kosovës.

Aktualisht, në Kuvendin e Kosovës minoritetet i kanë të garantuara 20 vende, prej tyre 10 i takojnë pakicë serbe, ndërsa 10 pakicave të tjera. Në kuvendin e kaluar, në bazë të Pakos së Ahtisarit, pakicat i kanë pasur edhe 10 vende të rezervuara, të cilat i kanë ndarë në bazë të pjesëmarrjes në zgjedhje.

Mirëpo vendet e rezervuara kanë qenë të determinuara vetëm për dy palë zgjedhje, por jo edhe për zgjedhjet e 8 qershorit. Por, liderët serbë kanë kërkuar me kusht që këto vende t’u rezervohen edhe për dy parë zgjedhje, kusht ky që nuk është përkrahur nga lidershipi kosovar.

“E ftojmë bashkësinë ndërkombëtare që të jetë më aktive dhe të kyçet në zgjidhjen e problemit, i cili për ne është parakusht për pjesëmarrje të serbëve dhe të joshqiptarëve në jetën politike në Kosovë. Pasojat e mospjesëmarrjes së popullit serb në zgjedhjet e 8 qershorit do të mund të jenë të paparashikueshme në kuptimin e mossuksesit të demokracisë”, thuhet në komunikatën e kryetarëve të komunave serbe.

Liderët serb të Kosovës kanë kërkuar ndihmë edhe nga Beogradi, që të influencojë në zgjidhjen e problemit.   

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha se Serbia ende nuk ka marrë qëndrim rreth pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje. “Qeveria ende nuk është deklaruar për këtë çështje”, tha Daçiq dhe shtoi se “kemi theksuar se konsiderojmë se duhet të krijohen kushte të nevojshme për daljen e serbëve të Kosovës në zgjedhje”.

Më tutje, ai ka theksuar se Serbia “nuk është e kënaqur me atë që Prishtina e keqpërdorë dykuptimësinë e disa marrëveshjeve për të cilat bisedohet në Bruksel”.

Megjithatë ai konsideron se do të ishte mirë që serbët të jenë më mirë të përfaqësuar në jetën politike të Kosovës.

Ndryshe serbët e Kosovës kanë kërkuar që edhe nga vendvotimet dhe fletëvotimet të hiqen logot e shtetit të Kosovës. Siç kanë thënë ata zgjedhjet duhet të reflektojnë status neutral.