Kompanitë kroate synojnë tregun e Kosovës

Kompania kroato-sllovene e ndërtimit, "Trimo Grup" ka prezantuar produktet ndërtimore edhe në Kosovë

Në këtë prezantim i pranishëm ishte edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq.

Mesiq, i cili e vlerësoi lartë produktivitetin dhe cilësinë e kompanisë “Trimo Grup”, ka thënë se Kosova mund të jetë një treg i mirë për prodhimet e kësaj kompanie.Investimet, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ekonomik, sipas tij, janë shumë të rëndësishëm për të dy shtetet si dhe për bizneset e Kosovës dhe të Kroacisë. Ilirjana Shehu, drejtoreshë e Odës Ekonomike të Kroacisë në Kosovë, ka thënë se interesimi i kompanive kroate për të investuar në Kosovë është duke u shtuar në vazhdimësi.

Visar Bajra, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka deklaruar se është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha firmat serioze, që kanë qëllime serioze dhe qasje profesionale.

Trimo ekzekutivët nga Sllovenia dhe Kroacia, bënë prezantimin e kompanisë, ku treguan se kompania ka bërë shumë ndërtime në formë të para-fabrikateve në shumë vende të botës, duke filluar nga Dubai, Spanjë, Holandë, Slloveni, Turqi e shumë e shumë vende të tjera.

Kompania bën ndërtime në shumë sektorë, si në salla të sportit, qendra tregtare, depo etj.

Kompania “Trimo Grup” prodhon konstruksione të materialeve të ndryshme për objekte, të cilat plasohen në shumë vende të botës.Kjo kompani synon edhe tregun e Kosovës. Interesimi i afaristëve kosovarë për të parë këto konstruksione ishte i madh.