E-Diaspora

Kërkohet ndryshim i mënyrës së votimit për diasporën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se mënyra e votimit me postë për mërgimtarët jo vetëm që po shkakton probleme në zgjedhje, por është edhe shkelje e të drejtave të njeriut.  

Haxhiu ka kërkuar që mërgimtarët të votojnë përmes ambasadës. 

“Konsiderohet që nuk është bërë asgjë për problemet e votuesve jashtë vendit. Votimi me postë është shkelje e të drejtave të tyre, kemi folur edhe me Avokatin e Popullit. Kemi një Qeveri që nuk funksionon dhe për këtë ky projektligj nuk u adresua”,  deklaroi Haxhiu në një diskutim publik që u bë lidhur me procedurat e votimit jashtë vendit, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Komisioni për Legjislacion. 

Edhe deputeti Korab Sejdiu ka thënë se ka marrë shumë ankesa nga diaspora për mënyrën e votimit të tyre.  Albulena Hasani nga KDI-ja ka theksuar se problemet janë shfaqur që nga aplikimi për votim, ku janë bllokuar llogaritë e shumë personave, përcjell albinfo.ch.

Driton Qeriqi nga D4D ka thënë se analizat e bëra tregojnë se nuk ekziston asnjë instrument ndërkombëtar për votim jashtë vendit. Instituti Demokratik i Kosovës ka marrë kërkesë nga Komisioni për Legjislacion për të hulumtuar mënyrat e votimit jashtë vendit dhe të sjellë praktikat më të mira, të cilat më pas mund të përdoren edhe me diasporën e Kosovës.