Lajme
Keln: Lista me 471 persona nga Ballkani që përballen me dëbim hap debat për procedurat e largimit
Një listë me 471 persona nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët kanë pasur vendime përfundimtare për largim nga Gjermania, ka nxitur debat politik dhe institucional në qytetin e Këlnit.
Lista iu dërgua në nëntor të vitit 2024 Zyrës së të Huajve në Këln nga Zyra Qendrore për të Huajt në Coesfeld, në landin Nordrhein-Westfalen. Në të përfshihen shtetas të Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë e Hercegovinës, Shqipërisë dhe Kosovës.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, autoritetet e Coesfeldit kishin ofruar edhe ndihmë për sigurimin e dokumenteve të përkohshme të udhëtimit për personat që nuk posedonin pasaporta, me qëllim realizimin e procedurave të dëbimit.
Megjithatë, nga Këlni është dhënë përgjigje vetëm për një pjesë të personave, ndërsa autoritetet lokale kanë shqyrtuar edhe mundësinë që disa prej tyre të fitojnë të drejtën për qëndrim të përhershëm. Rreth 40 persona janë hequr nga lista e atyre që konsideroheshin për largim, pa një sqarim të detajuar publik mbi arsyet.
Hetime ndaj 152 personave
Të dhënat e publikuara nga mediat gjermane tregojnë se, që nga dërgimi i listës në Këln, 152 persona janë përfshirë në procedura hetimore për vepra të dyshuara penale.
Në total, në Nordrhein-Westfalen janë zhvilluar ose vazhdojnë rreth 12 mijë procedura hetimore ndaj rreth 2,100 shtetasve të huaj nga Iraku dhe vendet e Ballkanit, të cilët kanë marrë vendim për largim ose dëbim.
Autoritetet dhe mediat gjermane theksojnë se bëhet fjalë për hetime dhe jo për dënime përfundimtare. Rastet përfshijnë vepra të ndryshme, nga akuza për vepra të rënda deri te kundërvajtje më të lehta.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë kërkuar që rastet të trajtohen individualisht dhe kanë paralajmëruar kundër përgjithësimeve mbi bazë etnike.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut në listë
Numri i saktë i shtetasve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në listën prej 471 personash nuk është bërë publik. Megjithatë, RMV është një nga pesë vendet e Ballkanit Perëndimor që përfshihen në këtë listë.
Sipas statistikave gjermane për vitin 2024, Gjermania ka realizuar 1,396 dëbime të shtetasve të Maqedonisë së Veriut.
Në Këln dhe rrethinë jeton një komunitet i konsiderueshëm me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Një pjesë e personave që qëndrojnë në Gjermani kanë statusin “Duldung”, që nënkupton tolerim të përkohshëm të qëndrimit edhe pas refuzimit të kërkesës për azil, kur dëbimi nuk mund të realizohet përkohësisht për arsye të ndryshme.
Debati politik në Gjermani
Çështja ka shkaktuar përplasje politike mbi mënyrën se si autoritetet e Këlnit e kanë trajtuar listën.
Deputeti i CDU-së, Detlef Seif, ka kritikuar autoritetet lokale, duke pretenduar se janë neglizhuar udhëzimet federale për zbatimin e dëbimeve.
Nga ana tjetër, një verifikim i brendshëm i Zyrës së të Huajve në Këln nuk ka konstatuar se administrata e qytetit kishte marrë një vendim për të bllokuar në mënyrë të përgjithshme dëbimet.
Sipas raportimeve, ende nuk është e qartë pse autoritetet e Këlnit nuk iu përgjigjën në mënyrë gjithëpërfshirëse ofertës së Coesfeldit dhe sa raste nga lista janë proceduar konkretisht për dëbim.
Organizatat e romëve kundërshtojnë përgjithësimet
Organizatat që mbrojnë të drejtat e romëve kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si rasti po paraqitet në opinionin publik.
Ato theksojnë se një pjesë e personave në listë janë romë dhe kërkojnë që individët të mos identifikohen kolektivisht me kriminalitetin për shkak të përkatësisë etnike.
Organizatat për të drejtat e njeriut kërkojnë respektimin e prezumimit të pafajësisë dhe vlerësimin e secilit rast veçmas, veçanërisht pasi një hetim penal nuk nënkupton automatikisht se personi është shpallur fajtor.
Çështja pritet të shqyrtohet më tej
Rasti vjen në një periudhë kur migrimi dhe dëbimet janë ndër temat kryesore të debatit politik në Gjermani.
Këshilli i qytetit të Këlnit pritet ta shqyrtojë sërish çështjen, ndërsa juristët e administratës lokale po analizojnë listën dhe rrethanat e secilit rast.
Sipas të dhënave zyrtare, nga zona e Këlnit vitin e kaluar janë dëbuar 245 persona, ndërsa gjatë këtij viti deri në publikimin e të dhënave janë realizuar 115 dëbime. Mbetet e paqartë se sa prej këtyre rasteve lidhen drejtpërdrejt me listën prej 471 personash.
E-Diaspora
-
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore Shkëmbimet tregtare mes Zvicrës dhe Kosovës kanë shënuar zhvillim dinamik gjatë viteve të fundit. Vetëm në... -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë -
Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2026 -
“Re:Connect” bashkoi 16 të rinj nga Zvicra dhe Kosova në Prizren
Jeta në Austri
-
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së Ministrja austriake për Evropën, Claudia Bauer e ÖVP-së, ka përsëritur thirrjen e saj për një buxhet... -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë? -
Vjena shqyrton qasjen falas në të gjitha tualetet publike











