Lajme

KE shpërblen Shqipërinë dhe Kosovën

Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit, sipas të cili, Shqipëria merr statusin e Vendit Kandidat, Kosova datën për MSA, ndërsa Maqedonia merr vërejtje

Komisioni Evropian nxori të mërkurën raportet vlerësuese për vendet e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar progres drejt integrimit në BE, ndërsa Maqedonia ka mbetur në një vend. Sipas KE-së, Shqipëria merr statusin e Vendit Kandidat, Kosova datën për MSA, ndërsa Maqedonia merr vërejtje.

Komisioneri për Zgjerimin i BE-së, Stefan Fule duke paraqitur Raportin e Progresit për Shqipërinë ka theksuar se Komisioni Evropian i ka rekomanduar Këshillit të BE-së dhënien e statusit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim me Tiranën. Por, sipas Fule, kjo duhet të ndodhë pas plotësimit të 5 kushteve.

“Implementimi i reformave në administratën publike; Pavarësia e sistemit të drejtësisë; Lufta kundër korrupsionit; Lufta kundër krimit të organizuar dhe: Mbrojtja e të drejtave të njeriut”, mbesin pesë kushtet ku Shqipëria duhet të këtë sukses, konsideron Fule.

Sipas komisionerit për zgjedhim, zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit kishin marrë shumë poena pozitiv nga ana e BE-së.

“Populli u dha një mandat të qartë liderëve të tyre. Duke parë se Shqipëria ka bërë hapat e kërkuara, Komisioni Evropian rekomandon se, Këshilli i BE-së duhet t’i japë Shqipërisë statusin e vendit e kandidat. Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh Fule.

Edhe Kosova ka marrë vlerësime pozitiv sa i përket datës për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ndërsa, si zakonisht, raporti ka pas edhe vlerësime negative, kryesisht sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku në një konferencë për media tha se negociatat zyrtare për Marrëveshjen e Stabilizimi Asociimit (MSA) në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian do të fillojnë me 28 tetor.

“Qeveria e Kosovës mirëpret publikimin e sotëm të Raportit të Progresit 2013 nga ana e Komisionit Evropian. Raporti paraqet gjendjen reale dhe faktike të zhvillimeve një  vjeçare të Republikës së Kosovës duke evidentuar të arriturat dhe sfidat e të gjitha institucioneve shtetërore”, tha ajo. Qeveria e Kosovës, sipas saj, maksimalisht është përkushtuar në përmbushjen e detyrave të saja në kuadër të procesit integrues në BE.

Kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq e falënderoi Komisionin Evropian, për punën që po bënë në mbështetje të institucioneve dhe shoqërisë kosovare, dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, për avancimin e proceseve që kanë të bëjnë me përmbushjen e obligimeve për rrugën e integrimeve evropiane.

“Raporti i Progresit është pozitiv dhe real, që vlerëson raportet e Kosovës me shtetet fqinje, si një e arritur për paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi” theksoi kryeministri Thaçi gjatë pranimit të Raportit të Progresit.

Thaçi, shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë fuqishëm me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë në implementimin e të gjitha prioriteteve tona të përbashkëta, për zbatimin në jetë të të gjitha kritereve demokratike, qoftë reformat në drejtësi, në ekonomi, dhe në politikë.

Ndërsa për Maqedoninë, komisionari Fule përsëriti refrenin që e ka thënë tash e pesë vjet, që “Maqedonia t’i fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Ndërkohë sot komisari për zgjerim krahas negociatave, rekomandon edhe fillimin e negociatave me Greqinë për çështjen e emrit, sikurse kërkoi më shumë angazhim në drejtësi dhe drejta të njeriut.  Të gjithë këtë, sipas raportit, bëhen me qëllim që të ruhet kredibiliteti i zgjerimit të BE-së.

Në lidhje të marrëdhënieve bilaterale me vendet e tjera, vërehet relacion dhe përparim i shkëlqyeshëm në marrëdhëniet me Serbinë, Shqipërinë, Kosovën, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Turqinë. Në lidhje me Bullgarinë vërehet se ato janë të prekura për shkak të interpretimit të historisë.