Lajme

“Kartonin e gjelbër e bllokojnë ata që përfitojnë nga anarkia”

Jashari: "Kompanitë e sigurimeve, të mbështetura nga politika kosovare, nuk kanë interes që të aplikojnë për Karton të Gjelbër"

Mustafë Jashari, është një pensionist nga Kosova me qëndrim prej më shumë se tridhjetë vitesh në Gjenevë. Ai ka punuar për shumë vite në selinë e OKB-së në po këtë qytet. Rreth një vit më parë kishte rënë në sy me paraqitjet e tij në mediet e Kosovës duke sensibilizuar opinionin me një problem mjaft të njohur për njerëzit por pothuaj të paprekur nga mediet. Ai ngriti problemin e pagesave që detyrohen t`i bëjnë bashkatdhetarët për të hyrë në kufijt e Kosovës, në emër të sigurimit të automjeteve.

Gati një vit më vonë, gjendja për të cilën kishte alarmuar ai, nuk duket të ketë gjetur ndonjë zgjidhje. I kontaktuar këto ditë nga albinfo.ch, Mustafë Jashari thotë se gjithçka kishte filluar më 7 qershor 2009, kur një letër e hapur lidhur me këtë temë i është dërguar Fatmir Limajt, ministër i Transportit. “Nga një kopje të kësaj letre e kanë marrë edhe Fatmir Sejdiu, ish president, Jakup Krasniqi, kryeparlamentar, Zenun Pajaziti, ish-ministër i punëve të brendshme, Nekibe Kelmendi, ish-ministre e Drejtësisë, Naim Huruglica nga Drejtoria e Doganave, Yves de Kermabon, ish shef i EULEX-it, Piter Faith, shef i ICO-së…”, numëron Mustafa adresat ku i kishte drejtuar shqetësimet e diasporës.

Por, shton ai: “nga 8 qershori i vitit 2009 deri më tash, asnjëherë nuk kam pasur përgjigje nga personat e lartëpërmendur”.

Ndërkohë, Jashari thotë se Avokati i Popullit, Sami Kurteshi e ka pritur dhe i ka krijuar njëfarë besimi. “Ishte për tu lavdëruar mirëkuptimi i tij ndaj shqetësimeve të diasporës. Pasi që e informova në lidhje me kërkesën për ndalimin e urdhëresës në emër të “Sigurimit Kufitar”, ia dorëzova edhe një kopje të letrës, që tashmë ua kishim dërguar personaliteteve që përmenda më lartë.

Z. Kurteshi na premtoi se do të interesohet për këtë çështje”, thotë z. Jashari. Por, shton ai, deri më tani, për fat të keq, nuk kemi pasur, as nga ai, asnjë informatë që mund të na ngjallte shpresat!”. Bashkëbiseduesi ynë tregon edhe për një takim me Osman Ejupin, kryetar të Komisionit Kosovar të Konkurrencës. “Z. Ejupi shprehej kundër praktikës së organizuar dhe të mbikëqyrur nga Banka Qendrore e Kosovës për pagesën e “sigurimit…” famëkeq. Kam pasur edhe dy takime në BQK, por për fat të keq, përgjigja e tyre ishte vetëm një justifikim tjetër i kësaj praktike”.

 “Zvicra ka qenë anëtare e `Kartonit të gjelbër` edhe kur nuk ka qenë anëtare e OKB-së”

Arsyetimi i të gjithë atyre që mbrojnë ekzistimin e “sigurimit kufitar”, sipas z. Jashari është mosnjohja e Kosovës nga ana e shteteve që kanë nënshkruar marrëveshjen për “Kartonin e gjelbër”. Dhe kjo njohje do të vijë vetëm pasi të pranohet Kosova në OKB.

z. Jashari na shpalos edhe përvojat e veta nga kontaktet me sigurimet zvicerane. “Kam pasur një shkëmbim përmes postës elektronike edhe me BNA Suisse (Shoqata Nacionale e Sigurimeve Zvicerane), me qëllim që të kërkoj ndihmë nga ata që t`i evitojmë pagesat e dyfishta. Por nuk jam ndarë i kënaqur me reagimin e tyre ndaj kësaj çështjeje.

BNA na hidhte hi syve duke thënë se Kosova duhet të jetë anëtare e OKB-së për tu bërë anëtare e “Conseil des Bureaux” (Këshillat e Shoqatave Nacionale), për Kartonin e Gjelbër. Ndërkaq, Kartoni i gjelbër, nuk ka asgjë të bëjë me Kombet e Bashkuara. Madje, BNA Suisse, kishte harruar se vetë Zvicra ka qenë anëtare e “Conseil des Bureaux” edhe në kohën sa ende nuk ishte anëtare e OKB-së”.

“Kompanitë e sigurimeve dhe mbështetësit e tyre në institucione nuk kanë interes për anëtarësimin e Kosovës në `Kartonin e Gjelbër`”

 

“Sigurisht se pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, ne do të mundohemi që përmes ambasadave, t`i përkujtojmë byrotë nacionale të vendeve evropiane që t`i rishikojnë politikat ndaj klientëve të tyre, sepse në disa vende, sikur edhe në Zvicër, kosovarët paguajnë më së shtrenjti sigurimin për automjetet e tyre”.

 

Pyetjes se ku qëndron përfundimisht esenca e problemit nëse mos qenia e Kosovës anëtare në OKB nuk qenka pengesë, Jashari i përgjigjet duke hedhur përgjegjësinë te institucionet e Kosovës dhe jo vetëm te ato.

 

“Që Kosova ta fitojë të drejtën për Kartonin e Gjelbër, duhet bërë së paku një kërkesë. Kompanitë private të sigurimeve dhe aksionarët e tyre, të mbështetura nga institucionet kosovare, nuk kanë kurrfarë interesi që të aplikojnë për Karton të Gjelbër! Përkundrazi, ata do të bënin gjithçka për të penguar që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Shoqatave Nacionale (Conseil des Bureaux) për Kartonin e Gjelbër”.

I dëshpëruar me gjendjen aktuale, Jashari, shpresën se çështja do të gjejë një rrugë zgjidhjeje, e bart për kohën pas zgjedhjeve. “Kemi premtime se ky problem mund të zgjidhet me një procedurë të shpejtuar, po qe se të pakorruptuarit arrijnë në Parlament”, shprehet shkurt për fund Mustafë Jashari.

P.S. Mustafë Jashari ka lënë në dispozicion të albinfo.ch edhe korrespondencën që ka zhvilluar me institucionet kosovare dhe ato zvicerane.

1 2 3

Lexoni poashtu mbi këtë temë shkrimet tona:

–  Si të dekodohet misteri i quajtur „Karton i gjelbër”

–  Taksa e automjeteve për mërgimtarët – peng i anëtarësimit të Kosovës në OKB