Kosova

Kartëmonedha prej 100 eurosh, më e falsifikuara në Kosovë

Rreth 70 mijë euro është vlera e parave të falsifikuara, të cilat ishin vënë në qarkullim në tregun e Kosovës vetëm brenda pjesës së parë të vitit 2019.

Kartëmonedha më e falsifikuar, sipas të dhënave të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, të cilat i janë dërguar Radios Evropa e Lirë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka qenë ajo prej 100 eurosh, ndërkaq prej monedhave kanë qenë ato në prerje prej 2 dhe 1 euro.

Denominimet në vlerë prej 500, 200 dhe 50 euro përbëjnë përqindje më të vogël të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara, përkatësisht rreth 17 për qind.

Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se duke u bazuar në raportet statistikore të pranuara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë për tre vjetët e fundit, shihet një rritje e rasteve të parave të falsifikuara, por, siç thonë ata, kjo rritje nuk është në nivel shqetësues.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova i ka kapacitetet e veta ligjore dhe institucionale për luftimin e dukurisë së falsifikimit të parave. Sipas tij, lufta kundër kësaj dukurie është një aktivitet i përditshëm i të gjitha institucioneve përgjegjëse.

“Bazuar në raportet e fundit të pranuara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, në gjysmën e parë të vitit 2019 janë identifikuar një numër prej 656 kartëmonedhash dhe 2,184 monedhash të falsifikuara, të cilat janë tërhequr nga qarkullimi, kurse shuma e tyre ishte rreth 65,695.00 euro (para letre), përkatësisht 3,244.45 euro (para metali). Pjesa më e madhe e këtyre kartëmonedhave dhe monedhave janë konfiskuar nga institucionet financiare gjatë aktivitetit të tyre të rregullt”, thotë Ahmeti.