Lajme

Karin Keller-Sutter: “Zvicra duhet të jetë e përgatitur – ne jemi vetëm”

Në një bisedë të gjatë dhe të thelluar, presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, prek një sërë çështjesh kyçe për vendin: rregullimin e sektorit bankar, politikën buxhetore, marrëdhëniet ndërkombëtare e deri te etiketimet që u bëhen grave në politikë. Ajo shpalos bindjet e saj liberale, përvojën jetësore që ka formësuar stilin e saj udhëheqës dhe qëndrimin e saj ndaj përgjegjësive të mëdha të shtetit në një kontekst të paqëndrueshëm global, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Presidentja tregon se politikën e ka mësuar si një proces ku fitoret dhe humbjet janë pjesë e natyrshme e lojës. Qysh në rolet e para si këshilltare bashkiake, ajo ka kuptuar se për të ruajtur energjinë dhe vendosmërinë, duhet të dish të mbash distancën emocionale edhe nga kauzat për të cilat lufton.

Kjo filozofi po vihet në provë në çështjen e reformimit të sektorit bankar. Paketa për rregullimin e bankave të mëdha, e prezantuar nga ajo në qershor, po përballet me rezistencë në Parlament për shkak të ndikimit të lobimit të fuqishëm, veçanërisht nga UBS. Keller-Sutter e pranon se ka rrezik që projekti të dobësohet apo të vonohet, por ajo këmbëngul se vendimi nuk duhet të merret vetëm nga qeveria. “Parlamenti duhet të marrë përgjegjësi, pyetja thelbësore është: kush e mban rrezikun, banka apo taksapaguesi?”

“Ne nuk e shpëtuam Credit Suisse, ne shmangëm dëmin për Zvicrën dhe popullin e saj,” thekson ajo, duke shpjeguar se edhe si liberale, ndonjëherë ndërhyrja shtetërore është e domosdoshme kur në rrezik është stabiliteti i gjithë ekonomisë. Megjithatë, ajo paralajmëron se një garanci e tillë shtetërore për banka nuk mund të jetë pa kushte dhe pa kontrolle të rrepta, transmeton albinfo.ch.

Presidentja shprehet e vendosur që rreziku dhe përgjegjësia duhet të ecin bashkë. Dhe këtë mesazh ua drejton jo vetëm kolegëve të saj politikë, por edhe anëtarëve të partisë së saj FDP, duke i kujtuar parimet e vërteta të liberalizmit ekonomik.

Në pjesën ndërkombëtare të intervistës, ajo përshkruan takimet me liderë të fuqishëm si Emmanuel Macron dhe Donald Trump. Një nga momentet më interesante është përshkrimi i telefonatës së saj me ish-presidentin amerikan Trump, menjëherë pas vendosjes së tarifave ndaj Zvicrës. “Ai ishte shumë respektues. Biseda shkoi mirë. Më tha: ‘Është një nder të flas me ju, zonja presidente’.” Ajo e pranon se aftësia për të komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me liderë të tillë është ndihmuar edhe nga përvoja personale, ajo është rritur me tre vëllezër dhe ka mësuar të përballet me karaktere të forta.

Keller-Sutter është përkthyese dhe pedagoge e gjuhëve në profesionin e saj të parë. Ajo thekson se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe mënyrë për të kuptuar mentalitete dhe identitete të ndryshme. Ka lexuar libra si “The Art of the Deal” i Trump dhe “Hillbilly Elegy” i J.D. Vance për të kuptuar më mirë Amerikën, një qasje që tregon përgatitje të thellë diplomatike, transmeton albinfo.ch.

Në vend, debati është ndezur për paketën e kursimeve “Paketa 27”, ku një ndër masat më të diskutuara është rritja e tatimeve për tërheqjet e mëdha nga fondet pensionale private (shtylla e tretë). Kritikët e akuzojnë se po e rëndon klasën e mesme, por Keller-Sutter përgjigjet: “Nëse nuk e frenojmë rritjen e shpenzimeve, do të duhet të rrisim taksat. Klasa e mesme ka më shumë interes që shpenzimet publike të mbahen nën kontroll.”

Sipas saj, buxheti federal është bërë shumë i rënduar nga subvencionet dhe shpenzimet afatgjata. “Jemi një makinë subvencionesh. Por duhet të rivendosim prioritetet, siç bën çdo familje në Zvicër.”

Duke vështruar përtej kufijve, ajo shpreh shqetësimin për situatën globale ekonomike. Borxhi i lartë në Evropë dhe SHBA mund të kërcënojë stabilitetin financiar ndërkombëtar. “Nuk dua ta quaj krizë financiare, por jemi në një situatë të brishtë.” Dhe kjo, sipas saj, nënkupton se Zvicra duhet të jetë gjithmonë e përgatitur, sepse në fund “ne jemi vetëm”, transmeton albinfo.ch.

Keller-Sutter nuk i shmanget diskutimit mbi etiketime si “Zonja e Hekurt” apo “nëna kumbare” që shpesh u vihen grave të fuqishme në politikë. Ajo thekson se gratë që shfaqin vendosmëri shpesh i frikësojnë njerëzit, por roli i saj është të japë drejtim, jo të jetë e heshtur.

Ajo mohon spekulimet për aleanca të brendshme brenda qeverisë, duke e përshkruar Këshillin Federal si një organ me bashkëpunim të mirë dhe jo si një mini-parlament partiak. “Politika partiake nuk është e mirëpritur në Këshillin Federal,” nënvizon ajo.

Intervista me Karin Keller-Sutter e shpalos një lidere të ftohtë në analizë, të vendosur në qëndrime dhe me një përgatitje të thellë politike, ekonomike dhe kulturore. Ajo nuk ngurron të sfidojë dogmat e vetë partisë së saj, të përballet me liderë botërorë apo të kritikojë realitetin brenda vendit. Mbi të gjitha, ajo përçon mesazhin e përgjegjësisë ndaj qytetarëve, ndaj buxhetit dhe ndaj të ardhmes së Zvicrës, transmeton albinfo.ch.