Lajme

Ja cilët janë njerëzit më të paguar në Kosovë

I pari në ranglistë është drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust), Adrian Zalli, paga mujore e të cilit është 5 mijë e 213 euro ose 62 mijë e 567 euro në vit

Udhëheqësit e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të ndryshme janë njerëzit që paguhen më së shumti në Kosovë dhe jo krerët e institucioneve shtetërore.  Kështu, përkundër pakënaqësive që shkakton kjo te shtresa me paga normale ose pa to, kjo kategori fiton nga 3 mijë deri 5 mijë euro në muaj

I pari në ranglistë është drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust), Adrian Zalli, paga mujore e të cilit është  15 herë më të lartë se paga mesatare në vend. Zalli pagë mujore merr 5 mijë e 213 euro ose 62 mijë e 567 euro në vit, shkruan KosovaPress.

I dyti, menjëherë pas Zallit është Agron Mustafa, kryeshef ekzekutiv në Telekomin e Kosovës, i cili merr pagë mujore 4 mijë e 451 euro.

Ndërsa Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Bedri Hamza merr pagë mujore 4 mijë e 301 euro, ose 51 mijë euro pagë vjetore.

Pas tij vjen Avni Jashari, ud. i drejtorit menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), i cili fiton 3 mijë e 979 euro në muaj, ose pagë vjetore 47 mijë e 749 euro.

Një pagë shumë solide e ka edhe Sejdi Hoxha, kryeshef i Postës së Kosovës, i cili merr pagë mujore 3 mijë euro.

E Bahri Nuredini, kryeshef në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) merr pagë mujore 2 mijë e 970 euro, kurse drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Arben Gjukaj ka pagë mujore 2 mijë e 413 euro.

Ndryshe duken pagat e krerëve të  shtetit të Kosovës, dukshëm më të ulëta se këto që u përmendën më lart.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga merr pagën mujore 2 mijë e 800 euro, kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli 2 mijë e 724 euro.

Kryetari i Qeverisë së Kosovës Isa Mustafa nuk ka deklaruar pagën e kryeministrit në fletën e deklarimit të pasurisë në ueb-faqen e Agjencisë Kundër Korrupsion, përveç pagës që merr nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, 15 mijë e 422 euro në vit dhe pagës vjetore nga Fakulteti Ekonomik, që kap shumën prej 10 mijë e 145 euro në vit.

Ndërsa, paga mujore e një ministri aktual në Qeverinë e Kosovës është rreth 1 mijë e 200 euro. Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi pagë vjetore merr 14 mijë euro, që i bie se ai merr pagë më të ulët se bashkëshortja e tij, e cila fiton 18 mijë euro, brenda një viti në një kolegj privat në Prishtinë.

Menaxheri i programit anti-korrupsion në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Artan Canhasi për KosovaPress thotë se rrogat e mëdha të cilat i marrin menaxherët e NP-ve dhe Agjencive të pavarura nuk i meritojnë. Ai tha s e nuk i meritojnë për shkak se këto kompani në shumicën e rasteve operojnë me humbje të përgjithshme neto.

Sipas Canhasit, nuk duhet që të mbështeten tutje, por të sanksionohen këta udhëheqës, mirëpo në Kosovë ndodh e kundërta. Ai thotë se këto ndërmarrje publike apo agjencitë e pavarura shpesh herë shërbejnë si vend për akomodimin e militantëve politikë. Njerëzit të cilët shpeshherë kanë kandiduar në zgjedhje dhe nuk kanë fituar apo janë shpenzuar politikisht.

Sipas tij, kjo shërben si një lloj bonusi për ata persona të cilët i kanë kryer partisë favore të ndryshme, thotë Canhasi.

Ai shton se në vendet e zhvilluara pagat janë të niveluara në fushën që drejtohen ndërmarrjet publike apo agjencitë e pavarura.

Eksperti i ekonomisë Muhamet Sadiku për KosovaPress thotë se me këto paga marramendëse, nuk është rastësi që bordet dhe udhëheqësit e ndërmarrjeve janë kryesisht politike. Ai thotë se për fat të keq këto paga nuk kanë lidhshmëri me suksesin e ndërmarrjeve publike.

Sipas tij, partitë politike në pushtet zakonisht i dërgojnë njerëzit e vet të cilët pak marrin vesh me qeverisjen korporatave, kurse nga ana tjetër jashtë këtyre pozitave lihen njerëzit që kanë eksperiencë dhe ekspertizë për funksionalizimin e këtyre ndërmarrjeve publike.
Sadiku thotë se edhe pse janë asete publike, duhet të rritet efikasiteti i shfrytëzimit të tyre.

“Për fat të keq kjo është një pengesë e madhe, edhe është burim i pakënaqësisë së njerëzve kur dëgjojnë për këto paga marramendëse, ndërsa në sektorë të tjerë pagat nuk janë të larta, sillet mesatarja diku 300 euro për të punësuar. Kosova duhet të ndjekë shembullin e vendeve tjera përderisa ekonomia nuk është e privatizuar. Ndërmarrjet publike duhet të qeverisen nga ekspertë, pa ndikime politike dhe duke ndjekur parimet e qeverisjes korporatave”, thotë Sadiku.

Pagat e këtyre zyrtarëve publik janë nxjerrë në bazë të fletëve të deklarimit të pasurisë në ueb-faqen e Agjencisë Kundër Korrupsion.