Lajme
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
Në një ceremoni homazhi në Gjenevë, të përgatitur nga familja dhe miqtë e dashamirët e tij, u kujtua me emocion jeta dhe vepra e artistit

Të premten që shkoi, më 20 dhjetor iu dha lamtumira e fundit, në Gjenevë, aktorit dhe veprimtarit Adem Muji, i cili ishte ndarë nga jeta, më 16 dhjetor, në moshën 66 vjeçare.
Po atë ditë, në një ceremoni homazhi në “chapelle de l`Ange”, të përgatitur nga familja dhe miqtë e dashamirët e tij, u kujtua me emocion jeta dhe vepra e artistit. Takimin e moderoi aktivistja dhe poetja, Mirishahe Limani – Hiler, mike e familjes Muji, ndërsa dy nga fëmijët e të ndjerit, Iliri dhe Afërdita evokuan kujtime për babanë e tyre.
Me fjalë dashurie për gjyshin e tyre, në këtë takim përkujtimor janë paraqitur edhe nipërit dhe mbesa: Noli, Andi dhe Adea.
Adem Muji ishte i lindur më 25 prill 1958 në fshatin Bresalc të komunës së Gjilanit dhe kishte mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës. Krahas pjesëmarrjes në aktivitetet e kohës, ai, duke filluar nga vitet `80 u aktivizua në jetën teatrore dhe konkretisht, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, ku mbahet mend për një sërë rolesh të suksesshme.
Në rrethanat e vështira, të krijuara në fillim të viteve `90 sikur shumë moshatarë të tij, edhe ai u detyrua të braktiste Kosovën dhe u zhvendos në Zvicër, në Gjenevë. Këtu, për të mbajtur familjen, atij iu desh të punonte punë të rënda, si në ndërtimtari, hoteleri etj., ndërsa aktiviteti i tij i fundit profesional ishte si asistent social në Hospic General. Në këtë vend pune, siç e thotë zonja Limani-Hiler “ai, shtegtari migrues, tani ishte i angazhuar në pritjet e emigrantëve më të rinj që vinin nga atdheu i tij, apo edhe nga vise të tjera të Ballkanit”.
Megjithëse në këto kushte ai nuk mund t`i përkushtohej ëndrrës së tij, teatrit, Adem Muji nuk qëndroi duarkryq: ai përgjatë disa viteve u angazhua në shoqatën kulturore të shqiptarëve të Gjenevës “Igballe Prishtina”. Me këtë shoqatë ai ka realizuar, veç tjerash edhe disa shfaqje teatrore.
Pak vite pas luftës, ai u kthye për një kohë në Kosovë, ku u angazhua në një serial të njohur të atyre viteve me titullin “Qyteti pa lumë”, me regjisor, Ilir Kabashin.
“Ndërkohë gjendja e tij shëndetësore përkeqësohet, prehja e tij ishte dhe mbeti arti. Ai së fundmi, ishte i angazhuar për të vënë në jetë një projekt të ri “Adami dhe Eva”, përmes teatrit modern”, thotë veç tjerash, zonja Limani-Hiler. ”Artistët lënë gjurmë që të mos i humbim rrugët”, ka përfunduar ajo fjalën e saj lamtumirëse për artistin.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kosova, e vetmja përfaqësuese e librit shqip në Panairin e Frankfurtit Kosova përfaqëson letërsinë shqipe në Panairin Ndërkombëtar të Frankfurtit...
-
Ekspozitë: “Migracioni – E ardhmja në retrospektivë”
-
Gazeta zvicerane: “Islami shqiptar po bëhet gjithnjë më konservator”
-
Shqipe Sylejmani sjell romanin e tretë: “Stolz und Widerstand” – Krenari dhe Rezistencë
-
SHBA
Rron Zeka shpallet studenti më i mirë i shkëmbimit në Universitetin Augustana
Jeta në Austri
-
Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese Vjena gjobiti supermarketet për etiketa çmimesh të rreme dhe mungesë zbritjesh pas 1,200 inspektimeve; rrjetet e...
-
Mashtrues në Vjenë: Paraqiten si punonjës uji për të vjedhur apartamente
-
Tronditëse: Foshnje e porsalindur gjendet e vdekur në çatinë e një garazhi në Graz
-
Rregulla të reja për punonjësit e pavarur në Austri nga viti 2026
-
Austri: Promovohet romanit autobiografik „KREUZTANNE“ nga Fate Velaj