Kosova

Ish-presidentja Jahjaga thirret në Gjykatë, gratë kosovare i dalin në mbështetje

Ish-presidentja  Atifete Jahjaga pas doli në mbrojtje të së drejtës së zonjës Shyrete Berisha, të cilës i është vrarë burri dhe fëmijët, për të mbajtur pronën e saj, është paditur nga familja e ish-burrit. Gratë i kanë dalë në mbrojtje

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i kanë dal në mbrojtje ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga e cila është paditur nga një familje në Suharekë, pasi ajo i kishte dal në mbrojtje një gruaje që i ishte cenuar e drejta e pronës, pasi burri dhe fëmijët iu kishin vrarë në luftë. Ish presidentja është thirrur të paraqitet para gjykatës me 14 shkurt.

“Presidentja Jahjaga ngriti zërin për Shyhrete Berishën, një grua që pothuajse e humbi shtëpinë e saj kur familja e burrit të saj u përpoqën t’ia merrnin pronën. Tani familja e burrit të Shyhretes padit Presidenten Jahjaga pas fjalimit të saj që doli në mbrojtje të së drejtës së zonjës Berisha për të mbajtur pronën e saj. Kjo padi është thjesht një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga trajtimi çnjerëzor i kësaj familjeje ndaj znj.Berisha, pasi e kanë bërë atë të kalojë me vite nëpër procese gjyqësore për të kërkuar zbatimin e të drejtës së saj të pamohueshme në pronë”, thuhet në reagimin e RRJGK-së.

Ky rrjet që mbledh rreth vetes gratë kosovare shprehet optimist se presidentja Jahjaga është paditur padrejtësisht pasi që ka ngritur zërin për të drejtat e zonjës Berisha dhe për të drejtat e të gjitha grave për të zotëruar pronën.

“Ne besojmë se gjykata do ta konsiderojë këtë padi të paarsyeshme dhe se drejtësia do të mbizotërojë. Më gjerësisht, këtë e konsiderojmë një përpjekje për të heshtur ata dhe ato që flasin kundër padrejtësisë dhe guxojnë të ngritin zërin kundër shkeljeve të të drejtave të grave. Vet ideja për të mbrojtur të drejtat e grave zëshëm do të konsiderohej shpifje kundër një familjeje të mveshur në një kulturë tradicionale të patriarkatit, e cila mbron interesat e atyre në pozita të pushtetit, pra burrat, duke shkelur dhe duke i mohuar të drejtat e grave”, konsideron ky rrjet.

“Pretendime të tilla të pajustifikuara shërbejnë për të minuar punën dhe lirinë e fjalës së mbrojtësve të të drejtave njerëzore të gruas, si Presidentja Jahjaga, me qëllim të ruajtjes së status quos dhe marrëdhënieve ekzistuese të pushtetit”, thuhet më tej në reagimin e RRGK-së.

Presidentja Jahjaga, sipas kësaj komunikate, vazhdimisht ka ngritur zërin për të drejtat e grave.

“Ajo ka qëndruar fuqishëm me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke luftuar që t’u njihet statusi, të nderohen dhe të trajtohen në mënyrë të drejtë. Ajo është ngritur kundër padrejtësive të kryera kundër grave si Znj. Berisha dhe shumë të tjerave si ajo, të cilat rrezikojnë të humbasin pronën e tyre për shkak të normave tradicionale patriarkale që trajtojnë “të drejtat e familjes” si më të rëndësishme se sa të drejtat e grave. Më shumë se një vit pas largimit nga presidenca, Presidentja Jahjaga vazhdon të avokojë fuqishëm për të drejtat e qytetarëve të Kosovës, veçanërisht të grave. Dhe kjo është arsyeja pse tani duhet të ftojmë të gjithë të qëndrojmë me të, në solidaritet”< thuhet në fund të reagimit.

Ndryshe, znj. Berisha forcat serbe ia kishin vrarë gjithë familjen, burrin dhe fëmijët, ndërsa ajo vetëm kishte shpëtuar.  Pas luftës ajo kishte kërkuar shtëpinë ku kishte qëndruar me burrin dhe fëmijët, por familja e burrit tani e ka dëbuar nga shtëpia dhe nuk ia ka dhënë trashëgiminë, pavarësisht se ajo e kishte fituar me bashkëshortin. Kundër kësaj padrejtësi kishte ngritur zërin ish presidentja Jahjaga, e cila më pas është paditur nga familja e burrit t vrarë të Shyretës.