Lajme

“In Between” – Ekspozita e Albana Ejupit, ku piktura takohet me skulpturën

Dialogu artistik i Albanës Ejupi midis dy dhe tre dimensioneve

Artistja kosovare Albana Ejupi prezanton serinë e saj të re “In Between” në Galerie Lukas Feichtner, një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri më 18 tetor 2025. Kjo seri hap një dialog të thellë mes pikturës dhe skulpturës, duke eksploruar pyetje mbi identitetin, origjinën dhe brishtësinë njerëzore, transmeton albinfo.at.

Në punimet e saj, Albana shkon përtej dy-dimensionalitetit të pikturës, duke krijuar një hapësirë të dridhshme midis formës dhe sipërfaqes, mes shfaqjes dhe zhdukjes. Materialet si rëra dhe pëlhura, së bashku me gjestet fizike, i japin veprës një dimension më të gjallë dhe të prekshëm.

“Skulptura nuk është largim, por vazhdimësi e natyrshme e asaj që kisha filluar,” thotë artistja, e cila përmes veprave të saj sfidon idetë mbi origjinën dhe ndarjet identitare, ndërsa kërkon të bëjë të prekshme një gjendje të qëndrueshme mes së kaluarës dhe së tashmes.

Ekspozita u hap me një event të ngrohtë, ku u përshëndet edhe nga profesoresha e doktoraturës së Albanës, Felicitas Thun-Hohenstein. Në plan të mëtejshëm janë pjesëmarrjet në Vienna Contemporary, Düsseldorf dhe Hong Kong. /Albinfo.at