Sport

Hitzfeld: Xhaka, Schweinsteiger i dytë

Ai është një talent jo i zakonshëm dhe ka një karrierë të madhe para vetes, thotë trajneri i kombëtares zvicerane

Trajneri i skuadrës përfaqësuese të futbollit zviceran, Ottmar Hitzfeld, nuk i kursen komplimentet kur flet për Granit Xhakën. Në një intervistë për 20minuten.ch, ai e krahason lojtarin shqiptar që këto ditë ka mbushur të 19-at me yllin, ndër më të mëdhenjtë të futbollit të sotëm botëror, gjermanin Bastian Schweinsteiger, të Bayern-it.

“Unë do t`ua përkujtoj lojtarëve gjatë grumbullimit që do të bëjmë, suksesin e FC Baselit në ndeshjen kundër Mançesterit dhe do t`i uroj personalisht lojtarët për suksesin madhështor. Ata kanë bërë reklamën më të mirë për futbollin zviceran. Disa djelmoshave nga kjo skuadër do t`u takojë e ardhmja dhe prej tyre do të përfitojë edhe më tutje kombëtarja e Zvicrës”, ka thënë Hitzfeld.

Për angazhimin e tyre në ndeshjen me Mançesterin, Hitzeld ka lavdëruar në veçanti portierin Yann Sommer, Fabian Frei dhe para së gjithash Granit Xhakën, të cilët, sipas tij,  në këtë ndeshje “kanë tejkaluar edhe veten”.

Në fakt Xhaka, ndonëse ka luajtur vetëm dy ndeshje për kombëtaren A të Zvicrës, ka fituar vendin e titullarit në sistemin e lojës që praktikon Hitzfeld: 4-2-3-1. Një dëshmi e fortë për besimin që gëzon te trajneri, është edhe inkuadrimi i Xhakës në ndeshjen kundër Bullgarisë, përkundër faktit se ai kishte pasur gjashtë javë pauze për shkak të lëndimit dhe veç kësaj kishte përvojë të pakët loje.

Granit Xhaka ia kishte shpërblyer besimin trajnerit të tij me performancë të mirë. Hitzfeld nga ana e tij thotë: “Xhaka është jashtëzakonisht i pjekur dhe ka aftësi të mira teknike. Ai është gjithnjë i gatshëm për angazhim. Disponon një inteligjencë të lartë loje, “e lexon” lojën mirë dhe reagimet i ka gjithmonë me vend.

Te ai shoh ngjashmëri të madhe me Bastian Schweinsteiger-in, të cilin unë e pata inkuadruar në përbërjen e parë të Bayernit kur ai kishte vetëm 18 vjet.

“Graniti dhe Schweinsteiger janë tipa të ngjashëm”, i jep të drejtë edhe trajneri i FC Basel-it Thorsten Fink, ish shefit të tij të dikurshëm në Bayern. Dhe Fink, si ish bashkëlojtar i “Schweini”-t të famshëm dhe si trajner aktual i Xhakës, duhet ta dijë mirë këtë që e thotë, komenton gazeta.

“E njoh mirë Bastianin nga koha ime në Munih dhe unë po ashtu e shoh zhvillimin e ngjashëm të të dyve”, thotë Fink. Graniti sot është afërsisht në atë nivel në të cilën ka qenë Bastian në moshën që ka sot ylli më i ri i Baselit dhe Zvicrës. Graniti po ashtu nuk e njeh frikën, rrezaton me qetësi dhe ka shumë vetëbesim. Ai është i sigurt në top mu sikurse “Schweini”, ka gjuajtje të mirë dhe mbikëqyrje të mirë. Kam kënaqësi të veçantë të kem një lojtar të tillë në skuadër”.

“Djelmoshat kane nevojë për angazhim në lojë dhe kur t`ua japësh besimin, ata ta kthejnë me sukses, sikur për shembull Xherdan Shaqiri në ndeshjen kundër Bullgarisë (ku i shënoi tre gola). Jam optimist se edhe të tjerët do ta bëjnë këtë. Ndërsa sa i takon kreatorit të lojës së kombëtares, Granitit, Hitzfeld është madje i sigurt: “Graniti është një talent jo i zakonshëm. Ai ka një karrierë të madhe para vetes. Graniti është bërë që tash lojtar i rëndësishëm për kombëtaren”.