Sport

Futbolli, faktori që po bashkon më së shumti shqiptarët

Si ka arritur Shqipëria të marrë nga Zvicra një numër kaq të madh lojtarësh? Përgjigjet për këtë dhe detaje të tjera sjellin për albinfo.ch njohësit e futbollit, gazetarë sportivë nga Shqipëria, përfaqësues të FSHF-së dhe vetë lojtarët

Futbolli është sporti që momentalisht bashkon më së shumti shqiptarët! Kombëtarja shqiptare ka arritur sivjet të kualifikohet për herë të parë në garën e madhe të futbollit evropian që organizohet çdo katër vjet.

Surpriza që ka sjellë Shqipëria në këtë kompeticion nuk ka kaluar pa vëmendjen e medieve të huaja, ndërsa veçmas në fokus të ekipit kombëtar janë lojtarët e rritur jashtë vendit. Zvicra është furnizuesi më i madh i kombëtarës shqiptare me lojtarë shqiptarë që janë rritur, shkolluar dhe pjesërisht edhe lindur në vendin helvetik.

Gjersa zviceranët nuk e kuptojnë si mund të luajë për një vend tjetër një lojtar i tyre që më parë ka luajtuar në të gjitha grupmoshat e përfaqësueses së tyre, shqiptarët shfaqen të habitur me faktin se pse duhet bindur një shqiptar për të luajtur për vendin e tij.

Sipas përfaqësuesit të FSHF-së, Sokol Dauti, është për të ardhur keq pse duhet një lojtar shqiptar ta bindësh që të luajë për kombëtaren e vendit të tij.

«Kombëtarja është e të gjithëve dhe ka vend për të gjithë shqiptarët», siguron ai.

Por si ka arritur Shqipëria t’ia marrë Zvicrës një numër kaq të madh lojtarësh që më parë kanë qenë pjesë e ekipeve të shpresave në ekipin helvetik. Përgjigje rreth kësaj dhe shumë detaje të tjera sjellin për albinfo.ch njohësit e futbollit, gazetarë sportivë nga Shqipëria, përfaqësues të FSHF-së dhe vetë lojtarët.

Mbi 15 lojtarë nga Zvicra dhe Gjermania

Kontaktet me lojtarët shqiptarë që luajnë në Zvicër kanë qenë dhe janë maksimale, thotë Dauti. «Nga Zvicra dhe Gjermania deri tani janë mbi 15 lojtarë që luajnë aktualisht për moshat e kombëtares nga U17 deri te U21. Së fundmi janë Naser Aliji dhe Berat Gjimshiti të Kombetarës A», tregon përfaqësuesi i FSHF-së për albinfo.ch Sokol Dauti.

Por janë dhe disa që janë shprehur në mënyrë direkte që nuk duan, pasi duan të luajn për Zvicrën, thotë ai. «Ne kemi bërë disa seleksionime (kamp) në Zvicër dhe në këto seleksionime kemi derguar afër 130 ftesa, pra të gjithë lojtarëve që luajnë në ekipet e moshave që ekipet e para i kanë në elitën e fubollit zviceran» zbulon ai detaje nga puna e FSHF-së për sjelljen e lojtarëve të rinj në kombëtare.

Interesante thotë ai është se në momentin që janë kontaktuar të gjithë shprehen të gatshëm, por kur gjërat bëhen më konkrete, atëherë nisin të hamenden me arsyetime që duan kohë të mendohen apo nuk i lejon klubi. Ka dhe nga ata që nuk e hapin telefonin apo që presin ftesë nga Zvicra dhe në momentin që nuk i fton Zvicra atëherë lajmërohen vetë.

Gjithsesi, rezultatet e mira që ka Shqipëria kohën e fundit, kanë bërë që këta të rinj të duken më të vendosur për t’ju bashkuar kombëtares, deklaron Dauti.

«S`ka problem» për t`u marrë vesh mes vete

  • Amir Rrahmani

Si kuptohen këta lojtarë ndërmjet veti, a flasin të njejtën gjuhë, me kënd shoqërohen gjatë kohës së grumbullimit? «S’ka problem», siguron i riu Amir Rrahmani që aktivizohet në Split të Kroacisë. «Në ekipin kombëtar ka futbollistë nga të gjitha trojet shqiptare dhe Kombëtaren shqiptare tashmë e duan të gjithë dhe të gjithë duan të jenë pjesë e suksesit». Sipas tij, në kombëtare nuk ka dallime mes lojtarëve nga Shqipëria, Kosova apo nga diaspora. «Në ekipin kombëtar nuk ka diskutime për futbollistët nga vijnë dhe nuk ka ndasi». Lojtarët nga Zvicra që i janë bashkuar Kombëtares shqiptare, thotë ai, kanë rritur konkurrencën brenda ekipit.

«Në Kombëtare ka shumë lojtarë nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, pastaj Maqedonia, megjithatë ne kemi qenë të bashkuar gjatë gjithë kohës».

Rëndësi ka vetëm suksesi

E rëndësishme është që kemi arritur sukses dhe jo ajo se nga vijnë lojtarët, apelon lojtari i dalë nga Superliga e Shqipërisë. «Unë kam qenë pjesë e Partizanit të Tiranës dhe kam kaluar në Split. Të gjithë lojtarët kanë pasur rastin e tyre. Ata vetëm duhet të kenë durim dhe të punojnë shumë dhe nuk besoj se trajneri do t‘i anashkalojë». Në kombëtare të gjithë jemi shqiptarë, jemi njësoj dhe nuk ka ndasi thotë ai duke vlerësuar mbështetjen e madhe që ua japin tifozët.

Ekipi kombëtar i Shqipërisë ështe paraqitur në ndeshjet e fundit me formacion startues prej 8 shqiptarëve që janë rritur, shkolluar dhe pjesërisht të lindur në Zvicer. Gjithashtu edhe në bankën rezervë ka disa. Çfarë mendimi kanë shqiptarët e Shqipërisë për faktin që ekipi nacional nuk llogaritë thuajse fare në lojtarët vendas, pyet albinfo.ch gazetarin e sportit në Shqipëri, Erjon Halilin.

  • Erjon Halili

Është e vërtetë që pjesa dërmuese e lojtarëve të kombëtares, janë rritur dhe po ushtrojnë karrierën e tyre në shtete të tjera, kryesisht në Zvicër. Por kjo nuk do të thotë që lojtarët vendës janë lënë pasdore pasi në çdo grumbullim kanë qenë pjesë edhe lojtarët më të spikatur të Superligës shqiptare, pavarësisht se në fushë do të luajnë ata që e meritojnë më shume dhe shqiptarët e rritur jashtë kanë treguar se janë një apo disa shkallë më lart, vlerëson ai.

Si përjetohet mungesa e «shqiptarëve të vërtetë» në Kombëtare?

Por a ka diskutime në Shqipëri për faktin se në ekipin kombëtar, nuk ka shqiptarë «të vërtetë»?

«Në fakt, askush nga stafi kuqezi nuk ka bërë haptazi dallime në shqiptarë të Kosovës dhe shqiptarë të Shqipërisë apo shqiptarë të Zvicrës. Në çdo prezantim të tyre janë shfaqur të unifikuar të gjithë në »Shqiptarë«dhe kanë treguar se ndihen shqiptarë të vërtetë, pavarësisht se ku kanë lindur apo janë bërë futbollistë. Ky unitet i grupit gjithmonë ka minimizuar apo ka mbyllur thuajse fare hapësirat për debate në lidhje me »prejardhjen«e shqiptarëve të kombëtares».

Si pranohen atje shqiptarët e ekzilit, na intereson të dijmë. A flasin ata gjuhën si duhet? A është ekipi i ndarë në shqiptarë dhe shqiptarë të Zvicrës?

Të gjithë pjestarët e ekipit kombëtar ndjehen shqiptarë dhe trajtohen si shqiptarë, deklaron Halili. «Duket sikur askujt nuk i intereson nëse futbollistët janë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës apo edhe Zvicrës. Thjesht i gëzohen faktit që ekipi është i bashkuar dhe po shkruan historinë me suksese që deri para pak kohësh ishin të paimagjinueshme as nga tifozi më optimist». Madje, në rastin konkret, edhe shqiptarët e Kosovës duken të bashkuar nën ngjyrat Kuq e Zi, thotë ai.

«Kombëtarja shqiptare do të jetë ajo që për shumë vite do të bëjë bashkë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e të diasporës». (bd)