Integrimi
Filmi i Dea Gjinovcit, në kërkim të gjurmëve të identitetit
Dea Gjinovci: “Në komunitetin e kineastëve të diasporës ekziston një introspeksion mbi kuptimin e identitetit – rritja me ndjesinë se nuk i përkisje plotësisht asnjërit identitet, të bën ta perceptosh ndryshe botën përreth”
Dea Gjinovci është një regjisore e re shqiptarozvicerane e filmit. Ajo, veç tjerash ka studiuar për Ekonomi dhe Politikë në SOAS në Londër si dhe për shkenca në Paris. Ka kryer master për Antropologji dhe Film Dokumentar. Në rrugëtimin e saj të deritashëm prej krijueseje, Dea është vlerësuar me disa çmime të rëndësishme për punën e saj.
Filmi i saj më i ri, “le beaute del anee” (Bukuria e gomarit) ka pasur premierën botërore në festivalin prestigjioz ZFF në Cyrih, ku ka marrë pjesë në konkurrencë zyrtare. Me këtë rast Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me Dea Gjinovcin.
Albinfo.ch: Filmi juaj le beaute del anee ka marrë pjesë në festivalin prestigjioz ZFF në Cyrih, ku kishte një pritje mjaft të ngrohtë nga publiku. Si do ta përshkruanit ju, si autore, idenë e filmit, çfarë keni dashur të veni në fokus me këtë film?
Dea Gjinovci: Ideja kryesore e filmit tim ishte të vë në pikëpyetje idenë e “kthimit” – si mund të bëhet ai kur gjithçka me të cilën je rritur është zhdukur? Ky film është një përpjekje për t’u rilidhur me një vend që është transformuar, dhe për të parë se si brezat – nga babai im, tek unë dhe motrat e mia – mund të bëhen sërish pjesë e strukturës së fshatit ku ai u rrit; dhe mënyra për ta bërë këtë është përmes krijimit të një filmi mbi të kaluarën e fshatit, bashkë me të gjithë njerëzit që jetojnë aty sot.
Albinfo.ch: A është filmi juaj një përpjekje për të ndriçuar të pathënat e luftës, plagët që ajo lë në shoqëri, në këtë rast në shoqërinë kosovare?
Dea Gjinovci: Në një kohë kur po përjetojmë një gjenocid dhe shkatërrim të madh material në Gaza, si edhe tre vitet e fundit të luftës në Ukrainë, e po ashtu shfarosjen absolute njerëzore dhe kulturore që po ndodh në Sudan – kemi nevojë për filma që reflektojnë mbi pasojat e luftës, jo vetëm teksa po ndodhin, por edhe dekada më pas. Në Kosovë, pasojat mund të shihen ende qartë – mbi 90% e fshatrave u shkatërruan gjatë luftës. Shumë pak nga trashëgimia jonë historike dhe materiale ka mbetur në këmbë. Për mua ishte e rëndësishme të vija në pah se sa shumë kemi humbur, por edhe sa shumë ka ende për t’u ruajtur, ripërfytyruar dhe regjistruar nga njerëzit që ende jetojnë dhe mund të na tregojnë si kanë qenë gjërat.
Albinfo.ch: Deri më tani keni realizuar disa filma të cilët i lidh si një motiv i përbashkët kërkimi i identitetit, gjegjësisht gjurmimi i përjetimeve traumatike të brezit të prindërve tuaj. Është kjo problematikë tipike për artistët me “sfond migracioni” apo ju keni një motiv shtesë për të realizuar filma me këtë tematikë?
Dea Gjinovci: Po, mendoj se në komunitetin e kineastëve të diasporës ekziston padyshim një introspeksion i thellë mbi kuptimin e identitetit – duke u rritur me ndjesinë se nuk i përkisje plotësisht asnjërit identitet, të bën ta vësh në pikëpyetje botën përreth ndryshe. Mendoj se kërkimi për rrënjët tona – prej nga vijmë? – është një ndër shtysat më të fuqishme për çdo njeri. Duhet të dimë prej nga vijmë për ta kuptuar më mirë veten. Po ashtu, fokusi im mbi imigracionin dhe mërgimin është një akt politik. Për mua ekziston një hendek i madh midis mënyrës se si përfaqësohet migrimi dhe realitetit të tij të përditshëm.
Albinfo.ch: Në dy nga filmat tuaj të deritanishëm Sans le Kosovo dhe tani në La beauté de l’âne keni vendosur babain Tuaj, Asllan Gjinovcin, si protagonist ose si njeriun rreth të cilit zhvillohet fabula e filmit. Çfarë ju ka shtyrë të bëni pikërisht këtë zgjedhje dhe sa mendoni se ja keni dalë ta skalisni portretin e mërgimtarit të gjeneratës së vjetër përmes figurës së babait tuaj?
Dea Gjinovci: Me Sans le Kosovo fillova të eksploroja udhëtimin e emigrimit të babait tim në fund të viteve 1960, nga Kosova në Itali e pastaj në Zvicër. Ishte vetëm fillimi i një kërkimi për të kuptuar më mirë efektet dhe sakrificat që lindin nga vendimi për të lënë vendin tënd. Ndërkohë realizova filmin Wake Up on Mars mbi një familje azilkërkuesish në Suedi, dhe më pas ndjeva nevojën të kthehesha për të eksploruar më thellë marrëdhënien time me mërgimin e babait tim, çfarë do të thotë për mua dhe si ka ndikuar ai edhe tek unë. Mendoj se babai im përfaqëson hapjen dhe brishtësinë që mund të zhvillohen tek një njeri teksa ai plaket; gjatë procesit të xhirimit ai mbeti gjithnjë introspektiv dhe i hapur ndaj kërkesave të filmit. Besoj se kjo e ndihmoi edhe atë të përpunonte disa nga pendesat dhe dhimbjet që kishte mbajtur brenda vetes.
Albinfo.ch: Filmi juaj më i ri është vlerësuar veç tjerash për një “realizëm magjik” që e përshkon. Çfarë mund të thoni për qasjen tuaj ndaj kësaj teme, cilat mjete artistike keni përdorur që e bëjnë të veçantë këtë film?
Dea Gjinovci: Inspirimi im në kinematografi vjen nga regjisorë që e kanë trajtuar jetën me poezi, realizëm magjik dhe surrealizëm: Theo Angelopoulos, Fellini, Tarkovsky apo Terrence Malick. Është e vështirë për mua të eksploroj realitetin e njerëzve pa u zhytur në përfaqësimin e kujtesës së tyre apo edhe të botës imagjinare ku ata mund të jetojnë. Gjithmonë mendoj se shtresëzimet e jetës së dikujt duhen përfaqësuar. Kjo është arsyeja pse filmat e mi shpesh i realizoj rreth ndërtimit të skenografive të frymëzuara edhe nga forma teatrale.
Albinfo.ch: Keni punuar një film me aktorë amatorë. Cila është përvoja juaj me këtë “kast” aktorësh dhe cilat janë vështirësitë specifike të punës me aktorë të tillë.
Dea Gjinovci: Shumë nga aktorët e filmit ishin fëmijë nga Makermali, fshati i babait tim. I takuam në mars 2022 dhe filluam xhirimet me ta në gusht 2022. Ishte një përvojë e mrekullueshme të xhiroja me ta, nuk kam parë kurrë fëmijë kaq të hapur dhe bujarë, kaq natyralë para kamerës. Ata e bënë filmin atë që është sot.
Albinfo.ch: Po ashtu mund të na flisni për vështirësitë e natyrës teknike gjatë realizimit të filmit, nisur nga fakti se keni dashur të “rikrijoni” një botë fëmijërore të babait tuaj, që e ka jetuar para më shumë se 60 vitesh.
Dea Gjinovci: Pati shumë sfida teknike pasi duhej të ndërtonim skenografi të mëdha në ambient fshati. Na duhej t’i sillnim skenografitë me traktorë nëpër lokacione, të negocionim me disa njerëz për vendin ku mund të ngrinim shtëpinë që donim të ndërtonim si skenografi. Duhej të gjenim të gjitha materialet në mënyrë lokale dhe, meqë ekipi ynë i skenografisë ishte francez, duhej shumë përkthim. Por sidoqoftë, banorët e fshatit na pritën në mënyrë të mrekullueshme dhe morëm shumë mbështetje prej tyre.
Albinfo.ch: Në një artikull mbi filmat tuaj kemi hasur edhe një vlerësim interesant mbi sukseset e “valës së re të filmit kosovar”, ku ju vendosin edhe ju. Mund të na thoni në këtë kontekst më shumë lidhur me këtë valë dhe sa e ndjeni veten si pjesë e saj?
Dea Gjinovci: Mendoj se vala e re e filmit kosovar nis me kineastët që kanë lindur dhe janë rritur në Kosovë. Unë e ndjej veten pjesë të saj, por njëkohësisht edhe pjesë e komunitetit të kineastëve të diasporës, pasi shumicën e jetës e kam kaluar në Zvicër. Do të thosha se kjo valë është shumë e fuqishme dhe po bëhet edhe më e fortë. Kinemaja ka qenë një mënyrë për Kosovën të jetë e pranishme në skenën kulturore ndërkombëtare, dhe për një vend të vogël do të ishte shumë e vështirë të ekzistonte ndryshe.
Albinfo.ch: Jeni duke krijuar ndonjë film ose keni në duar ndonjë skenar që do ta realizoni në një të ardhme të afërt?
Dea Gjinovci: Jam tashmë duke punuar në një film tjetër, skenari ende nuk është gati dhe është një film njarja e të cilit është vendosur në kohën e Rilindjes italiane. Për dokumentarin tim të ardhshëm, Sisters Act, do të filloj xhirimet vitin tjetër me kompaninë e prodhimit Contrast Film në Cyrih.
Biografi
Dea Gjinovci është një skenariste, regjisore dhe producente zvicerano-shqiptare. Filmat e saj janë shfaqur premierë në festivale prestigjioze ndërkombëtare filmi, duke përfshirë Tribeca Film Festival, Visions du Réel, IDFA, CPH:DOX, Hot Docs, DocNYC, Winterthur KurzFilmTage dhe shumë të tjerë… Ajo është ish-studente (alumna) e Sundance dhe e Film Independent Fellow e vitit 2019.
Stili i saj kinematografik përzien rrëfimin poetik, realizmin magjik dhe cinéma vérité. Ajo ka fituar disa çmime, duke përfshirë atë “Filmi më i Mirë Kombëtar” në Dokufest 2017, “Talenti më i Mirë i Ri” si në ZagrebDox 2021 ashtu edhe në Biografilm 2020.
Dea është anëtare e Akademisë Zvicerane të Filmit që nga nominimi i saj për “Dokumentarin më të Mirë” për filmin “Wake Up on Mars” në vitin 2022. Dea është gjithashtu anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit. Ajo është në post-prodhim të dokumentarit të saj të dytë me metrazh të gjatë, The Beauty of the Donkey, dhe po shkruan romanin e saj të parë jo-fiktiv me shtëpinë botuese franceze Phébus (Libella).
Gjinovci ka një diplomë BA (Hons) në Ekonomi dhe Politikë nga SOAS, Universiteti i Londrës dhe një diplomë master në film etnografik dhe dokumentar nga UCL, Universiteti i Londrës.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Marigona nis postdoktoraturën si Fulbright Visiting Scholar në Los Angeles Fillon angazhimi akademik i Marigonës në kuadër të programit Fulbright... -
Eksodi i bardhë: Mjekët po i kthejnë shpinën Kosovës -
Gjermani: Policia gjen mbi dy kilogramë kokainë në makinën e shqiptarit -
Oficeri i FSK-së diplomon në SHBA në fushën e Inxhinierisë Ushtarake -
“Parabolat e jetës dhe artit”, një pasqyrë reale e krijimtarisë së Mal Myrtajt
Jeta në Austri
-
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë Studimi i EY: 90% e familjeve austriake përpiqen të kursejnë energji, 17% nuk mund t'i paguajnë... -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 -
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025 -
Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese















