Shkurt.ch
„FEMIA“, fituese e çmimit për barazinë gjinore
Çmimi ndahet nga këshilli i qytetit të Zürichut dhe ka vlerë materiale prej njëzetmijë frangash
Në prani të një numri të madh të të ftuarve, në foajenë e ndërtesës së komunës së Zürichut, të hënën është ndarë në mënyrë solemne çmimi vjetor për barazinë gjinore. Për kontribut të jashtëzakonshëm dhe punë të palodhshme shumëvjeçare në lëmin e barazisë gjinore, ky çmim për vitin 2012 iu nda shoqatës FEMIA me seli në Zürich. Çmimi ndahet nga këshilli i qytetit të Zürichut dhe ka vlerë materiale prej njëzetmijë frangash.
Të pranishmit i përshëndeti anëtari i qeverisë së qytetit të Zürichut, Gerold Lauber. Ai në fjalën e tij të pranishmëve u shpjegoi se ky çmim vjetor për herë të parë është ndarë në vitin 1979 dhe se, me përjashtim të një rasti, atë e kanë fituar gjithmonë institucionet apo shoqatat e udhëhequra nga femrat. „Mirëpo edhe pse këto çmime u ndahen femrave për angazhimin e tyre dhe punën e tyre ato fatkeqësisht në realitet ende nuk trajtohen të barabarta“. Prandaj Lauber shpreson që në të ardhmen e afërt nuk do të ketë nevojë të ndahet një çmim i tillë dhe e mban shpresa që do të vijë një kohë kur të dy gjinitë do të jenë të barabarta në të gjithë lëmenjtë e jetës.
Ai në vazhdim theksoi se Femia është një shoqatë e cila shumë herët ka identifikuar problematikën e migrantëve dhe ka filluar që të ofrojë kurse të mësimit të gjermanishtes, të cilat vizitohen shumë nga gratë migrante.
Vetëm në vitin 2011 këto kurse i kanë ndjekur mëse 250 gra, të cilat së bashku kanë realizuar më shumë se 2000 orë mësimi. Në këto kurse migrantet informohen edhe për sistemin shkollor dhe mundësitë që edhe ato të angazhohen në shkolla e në institucione tjera dhe të kenë të drejtën e fjalës dhe të vendimit. „Këto të drejta të cilat janë të siguruara edhe me ligj këtu në Zvicër, fatkeqësisht njihen shumë pak nga të huajt. Një fakt që i pengon në këtë drejtim është edhe mosnjohja e gjuhës së vendit ku jetojnë. Prandaj për këshillin e qytetit është primare që të investohet edhe më tej në kurset për arsimim të prindërve“, tha veç tjerash Lauber.
Në vazhdim, Aida Kalamujiq, kryetare e kryesisë së shoqatës, bëri një përshkrim të shkurtër të punës së Femias. Ajo e falënderoi qytetin për çmimin e ndarë dhe apeloi që të gjithë të angazhohen dhe të ndihmojnë në integrimin e femrës migrante në mënyrë që asaj ti lehtësohet përditshmëria.
Fjalën e rastit e mori edhe udhëheqësja e kësaj shoqate, Myrijam Zanovello-Müller. Ajo i falënderoi punëtorët e Femia-s, anëtarët, mësimdhënëset dhe të gjithë ata që ndihmuan këtë institucion në mënyrë vullnetare.
„Vetëm me punë të palodhshme të të gjithëve kemi arritur që tash e 25 vite të punojmë në integrim dhe aftësim për punë e për jetë të grave migrante“, tha Zanovello-Müller.
Më tutje kryetarja i prezantoi projektet e shoqatës të planifikuara për në të ardhmen, duke theksuar se në fokus të punës do të jenë kurset e gjuhës dhe ato kundër analfabetizmit. Duke u nisur nga fakti se në botë femra ende është e diskriminuar dhe asaj i ofrohet shumë pak mundësi për shkollim dhe arsim, ajo është e mendimit se një gjë e tillë duhet të korrigjohet. „Grave të cilat janë të izoluara dhe nuk kanë qasje në insitucionet e punës dhe në shoqërinë zvicerane duhet tu ndihmohet e tu ofrohet nje e ardhme më e mirë. Kërkesa për këto kurse sa vjen e po shtohet gjë që është edhe një barometër që tregon se femra migrante është vetëdijësuar se duhet që t`i ndihmojë vetvetes që të dalë nga vetizolimi“ shtoi ajo.
Müller në vijim tha se falë përkrahjes për integrim që jep qyteti i Zürichut, aktualisht kurset e gjuhës janë duke u vizituar nga 150 pjesëmarrëse, të cilave paralelisht me kurset u ofrohet edhe kujdesi për fëmijët e tyre. Këto kurse ndiqen nga gratë me prejadhje nga të katër anët e botës.
Përveç kurseve të gjuhës, në kuadër të kësaj shoqate ofrohen edhe kurse kuzhinierie ku mund të mësohet për traditat e ndryshme të ushqimit dhe përgatitjes. Në kuadër të shoqatës funksionon edhe një kor që në repertorin e tij ka këngë në shumë gjuhë të botës.
Müller i fton të gjitha gratë të vizitojnë kurset e Femias. Këto kurse janë të subvencionuara nga qyteti i Zürichut që do të thotë se gratë ndihmohen edhe financiarisht në rast se nuk kanë mundësi ta paguajnë kursin.
Në një bisedë me udhëheqësen e kësaj shoqate, znj. Müller, u informuam se edhe gratë shqiptare me prejardhje nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia vizitojnë këto kurse. Ajo i fton ato që edhe më tej mos të hezitojnë dhe të vizitojnë këto kurse.
Të pranishmit i argëtoi edhe grupi muzikor i ashtuquajtur „Bakllava“. Në fund u ofrua edhe një apero me specialitete nga vende të ndryshme e organizuar nga një projekt integrues për gratë migrante të quajtur „Paprika“.
(Lokalet e shoqatës Femia janë në Kalkbreitestrasse 37, 8003 Zürich. Tel. nr. 044 493 04 96. www.femia.ch)
E-Diaspora
-
Würenlos: Dy të rinj shqiptarë aksidentohen duke ikur nga policia Një 28-vjeçar dhe një 33-vjeçar shqiptar u arrestuan në vendngjarje. Njëri prej tyre kishte pësuar plagë... -
Agon Sejdiu – piloti shqiptar që i dha krahë ëndrrës së fëmijërisë -
E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit -
Aksident tragjik në Itali, humbin jetën dy të rinj shqiptarë -
Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës
Jeta në Austri
-
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti Vjena ul emetimet e CO₂ me 5.8%, duke tejkaluar mesataren e Austrisë. Politikat e forta për... -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa









