Opinione

Fati i shqiptarëve ngjan me atë të Krishtit

 

Nga Bekim Dalipi

Jeta dhe vuajtjet e Krishtit janë të ngjashme me jetën, sakrificën dhe ringjallen e popullit shqiptar, ishte vlerësimi i një prifti në një meshë që pata ndjekur unë disa vjet më parë në kuadër të një reportazhi që bëja për një politikan të ri e të suksesshëm në Zvicër, nga ku kam shkëputur disa pjesë për t’i ndarë me ju. Duke veçuar këtu krahasimin që i bënë prifti shqiptar vuajtjeve të popullit tonë me vuajtjet e krishtit. A nuk është historia e popullit tonë e mbushur përplot me martirë- pyet ai. Populli ynë është ndoshta ndër popujt e vetëm në Evropë, jeta e të cilit më së shumti i ngjan jetës së Krishtit. Populli ynë gjatë tërë historisë ka qenë i dënuar padrejtësisht me vdekje e turpërim.

Nga e ka marrë populli ynë këtë fuqi për t’u ringjallur, pyeste prifti shqiptar duke krahasuar forcën e popullit tonë për mbijetesë e ringjallje me forcën Krishtit dhe ringjalljes së tij. …dhe sot, shtoj unë, kjo forcë na duhet më shumë se kurrë, duke parë situatën e rënduar politike të shkaktuar nga politikanët tanë dhe rreziku me pandeminë e Corona virusit që ka përfshirë mbarë globin dhe jo pak shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe kudo ata jetojnë, të cilët në këto ditë feste të Pashkëve nuk do të mundë te mblidhen të dielën në meshë për të shënuar ditën e ringjalljes së krishtit.

Por, ata dhe ne bashkë me ta, mund të lutemi në shtëpi e me bukë të bekueme për ditë më te mira, për jetë e për ringjalljen jo vetëm të krishtit, por edhe të vendit tonë, Kosovës, e cila sot ka nevojë, edhe një herë, për ata martirë, e mbi gjitha për ata politikanë që ardhmerinë e vendit e vënë mbi ardhmerinë e tyre personale e partiake.

Historia për “Bukën e Bekueme” që e gatuajnë shqiptarët

Shqiptarët kremtojnë festën e ringjalljes së Krishtit me bukën e bekuar. Një ditë më parë, natën e së shtunës, besimtarët shqiptarë e bekojnë „Bukën e Bekueme“ tek prifti dhe mëngjesin e se dielës e shtrojnë për ta ngrënë bashkë në familjet e tyre. Ky është një ritual i vjetër shqiptar që praktikohet për kremten e Pashkëve.

Shumë familje shqiptare i bashkohen për çdo vit me të gjithë anëtarët e familjes ritualit me „Bukën e Bekueme, e cila shtrohet në tavolinë me vezë të ngjyrosura e gjëra tjera përcjellëse. Vezët dhe lepujt i japin gjallëri festës më të rëndësishme katolike, ato simbolizojnë jetën e bashkë më të dhe ringjalljen e Krishtit. Ky është një ritual fetar që shqiptarët katolikë në Kosovë e praktikojnë për çdo vit për festën e Pashkëve.

Kurse “Buka e Bekueme“ për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit lidhet edhe me mallin për vendlindjen, shtëpinë, të afërmit, e tokën e të parëve.

Festa më e vjetër fetare në botë

Pashkët janë festa më e vjetër fetare në botë. Fjala Pashkë, vjen nga fjala hebreje Peshka që përkthyer në shqip do të thotë, kalim. Për besimtarët kjo festë nënkutpon kalimin e Krishtit nga vdekja në jetë dhe festohet të dielën, pra ditën e ringjalljes. Prandaj krishterët nuk besojnë Krishtin e vdekur, por Krishtin e ringjallur.

Gëzuar Pashkët! Frohe Ostern!