Sport
Familja Bajramaj është krenare me Lirën
Kush i takon prindërit e Fatmire Bajramajt këto ditë, do të hasë në një baba krenar dhe në një nënë të lumtur. Të dy nuk kanë asnjë kritikë

Telefoni celular gjendet në tavolinën e një kafeneje të vogël në Giesenkirchen. Ismet Bajramaj vazhdimisht ia hedh një shikim telefonit. Ajo mund t’i shkruajë edhe një herë. Dhe kjo ndodh vërtet. Derisa zhvillohet biseda për ardhjen e familjes Bajramaj në Gjermani, cingëron telefoni, pasi Lira dërgon një mesazh. “Ajo tash i ka marrë gjashtë bileta. Ajo po mundohet gjithmonë që të sigurojë bileta për të gjithë. Ajo kurrë nuk harron asnjërin. Mendon për vëllezërit dhe për të afërmit”, i thotë Ismet Bajramaj bashkëshortes Ganimete. Kush i takon prindërit e Fatmire Bajramajt këto ditë, do të hasë në një baba krenar dhe në një nënë të lumtur. Të dy nuk kanë asnjë kritikë, transmeton mediat gjermane, portali Koha. Prindërit e Fatmire Bajramaj
Edhe pse Lira tash nuk gjendet në formacionin bazë të Gjermanisë, me gjithë sukseset e fundit, Bajramajt nuk brengosen. “Për ne ka qenë me rëndësi që ajo të ftohet. Në formacionin startues trajnerja zgjedh skuadrën më të mirë”, thotë babai Ismeti. Ai ka dijeni për futboll, pasi edhe vetë dikur ishte marrë me këtë sport. Kishte luajtur sa jetonte në Kosovë. “Atje nuk janë trajtuar të rinjtë si këtu”, tregon Ismeti. Lira kishte mbajtur talentin e saj fshehur nga prindërit për një kohë të gjatë. Si gjashtëvjeçare kishte nisur të luante për ekipin e shkollës dhe ishte yll i skuadrës. Por prindërit kishin një plan tjetër. “Lira ka kërcyer shumë mirë dhe ka kënduar shumë bukur. Ne e kemi paramenduar atë si këngëtare apo valltare”, thotë nënë Ganimetja. Futbolli ka qenë për dy djemtë, Flakronin e Fatosin. Flakroni si fëmijë kishte luajtur për të rinjtë e Borussia Monchengladbachut dhe si 15-vjeçar ishte ftuar në grumbullim nga përfaqësueset e të rinjve të Gjermanisë. “Mirëpo ai ishte i lënduar dhe mjekët na thanë që të pauzojë”, tregon nëna. Prindërit e kishin zbuluar Lirën duke luajtur vetëm kur kishin shkuar të shikonin një ndeshje të djemve të tyre. Sot ata tregojnë me krenari për përshtypjen e parë. Ajo shënoi katër gola. “Ajo luajti për një skuadër të re. Luante kundër djemve në fushë, pa respekt. Kjo më la përshtypje dhe vendosa ta përkrah”, tregon Ismeti. Babanë po ashtu e gëzoi fakti që vajza e tij me talentin që kishte i siguroi familjes qëndrimin në Gjermani. Familja kishte kohë të vështira në Kosovë. Në vitin 1993, Lira ishte pesëvjeçare kur prindërit me tre fëmijë u larguan nga Kosova. Ata u endën nëpër Evropë me synim për të arritur në Gjermani. Me të ardhur në Gjermani, Bajramajt ishin vendosur në një kamp refugjatësh në Remscheid. Në një dhomë të vetme jetonin në kamp, ndonëse në Kosovë kishin një shtëpi të madhe. “Ka qenë një periudhë mjaft e vështirë”, tregon Ismeti. Tetë muaj është dashur të duronin pesë anëtarët e familjes Bajramaj në atë dhomë, derisa Ismeti, gjeti një punë dhe e mori me vete familjen në Monchengladbach. Dy vjet më vonë familja e futbollistes bleu shtëpinë në të cilën jeton ende. Në Botërorin 2011 të femrave babai dhe nëna e Fatmirës gjenden në çdo ndeshje të Gjermanisë në tribuna. Nëna ia ka dhuruar Lirës një figurë të engjëllit për t’i sjellë fat. “Ajo figurë i kishte sjellë fat në Botërorin në Kinë”, tregon Ganimete Bajramaj. Kulmi do të jetë ndeshja e 5 korrikut në Monchengladbach. Në atë ndeshje do të jetë e gjithë familja. Në ndeshjet e tjera Bajramajt do të festojnë me shoqëri pas çdo ndeshjeje. Në oborrin ku Lira kishte luajtur me babanë e saj Ismetin, mblidhen e gjithë familja. Punëdhënësi i Ismet Bajramajt e mbështet familjen.”Unë nuk kam pyetur fare nëse mund të marrë pushim. Ata më kanë dhënë vetë pushimin”, tregon Ismeti. Ai e ka gjithmonë të lirë në ditën kur Gjermania luan, por edhe ditën pas ndeshjes, në mënyrë që të përkrahë vajzën e tij. Familja i gëzohet një ngjarjeje tjetër të madhe që do të vijë pas botërorit. Djali i tyre Flakroni do të martohet. Ai do të martohet në Gjurakoc, në vendlindje, në Kosovë. Edhe Lira do të bëjë tri ditë pushim, para se të nisë stinori i Bundesligës.”Nganjëherë kemi frikë se gjithë kjo është tepër për të”, thonë prindërit. Por, në Kosovë, Lira ndoshta do të pritet si heroinë. “Mediat atje shkruajnë shumë për të. Në fshatin tonë valon tash e dy muaj flamuri i Botërorit”, tregon Ganimetja.
E-Diaspora
-
Një thirrje artistike për drejtësi në zemër të Evropës Dhjetëra fustane të varur në tela për tharjen e rrobave, dhuruar nga të mbijetuara të dhunës...
-
Aksident fatal në Francë, humb jetën një kosovar
-
Shfaqet për here të parë në Zvicër dokumentari “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë” në Riffraff, Zürich
-
Edona Preza diplomoi për Shkenca Biologjike dhe studimet Shqiptaro-Amerikan në Illinois
-
Lyon: Kënga e vallja shqipe jehoj nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Ilirët”
Jeta në Austri
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini Humbja e një vendi pune është një situatë e vështirë, veçanërisht kur leja e qëndrimit është...
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€
-
Austria prezanton pensionin e pjesshëm
-
Austria forcon ligjet për armët dhe sigurinë në shkolla pas tragjedisë në Graz