Kultura

Ervina Halili me “Gjumin e oktapodit” në Graz

Hapjen e bëri Ervina Halili, autorja shqiptare nga Kosova. Ajo në këtë aktivitet ka prezantuar njëkohësisht edhe librin e saj me poezi, në gjuhën gjermane dhe shqipe, të promovuar rishtas në Panairin e Librit në Laipzig, me titullin “Der Schlaf des Oktopus” (Gjumi i oktapodit)

Në një orë leximi letrar që është mbajtur mbrëmjen e të martës në Graz të Austrisë,  poezitë e saj i ka lexuar edhe autorja nga Prishtina, Ervina Halili. Krahas poetes së re shqiptare, me krijimet e tyre poetike janë prezantuar edhe Mario Hladzic dhe Bernardete Schiefer.

Mbrëmja ka qenë pjesë e kolanës “Ost-West” në të cilën qendra kulturore Minoriten prezanton rregullisht autorë nga Evropa Juglindore dhe ajo Qendrore, shkruan tt.com.at.

“Poezia, në botën e sotme të letërsisë kufizohet me njëfarë ekzistence në hije: lidhur me këtë gjendje të saj patën mundësinë të binden ata dhjetëra njerëz të interesuar që erdhën mbrëmjen e të martës për të dëgjuar dy autore të reja por tashmë me shumë përvojë dhe një autor. Ata lexuan nga krijimtaria e tyre, e cila pjesërisht ishte ende e pabotuar.

Hapjen e bëri Ervina Halili, autorja shqiptare nga Kosova, transmeton albinfo.ch. Ajo në këtë aktivitet ka prezantuar njëkohësisht edhe librin e saj me poezi, në gjuhën gjermane dhe shqipe, të promovuar rishtas në Panairin e Librit në Laipzig, me titullin “Der Schlaf des Oktopus” (Gjumi i oktapodit).

Poezitë e Halilit, siç e thotë dhe ajo vetë, janë fjalëkryqe fragmentarë, përmes të cilave përvijohet realiteti. Ajo në poezinë e saj punon me copëza mitologjike, figura përrallash dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me të magjishmen. Poezia e Ervinës, së paku për aq sa ndjehet nga përkthimi kumbues i Andrea Grill, priret nga ritmika markante, përcjell albinfo.ch. Sado që tekstet duken të shkëputura nga realiteti banal, megjithatë mund të pikaset se ato merren me historinë më të re luftarake të vendit të saj dhe me të gjitha tmerret e kësaj historie”, shkruan veç tjerash portali austriak.