Lajme

Ekonomia shqiptare pritet të tkurret për 7.5% këtë vit

FMN ka bërë thirrje për rritjen e të ardhurave dhe një sistem më transparent fiskal si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar, pasi pritet rritje e kredive me probleme

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë një deklaratë përmbyllëse të ekipit të Misionit të Monitorimit Pas Programit për shpërndarje të menjëhershme.

FMN në këtë deklaratë të fundit pas përfundimit të misionit virtual në Shqipëri ka bërë të ditur se ekonomia pritet të tkurret me 7.5% ketë vit, nga -5% që ishte pritshmëria në prill, shkruan tch, përcjell Albinfo.ch

Sipas raportit të saj, parashikohet që ekonomia do të rimëkëmbet duke filluar nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2020 dhe do të fuqizohet gradualisht gjatë vitit 2021, me zbutjen e efektit të goditjeve dhe me vijimin e rindërtimit pas tërmetit.

Fondi ka bërë thirrje për rritjen e të ardhurave dhe një sistem më transparent fiskal si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar, pasi pritet rritje e kredive me probleme.

Më tej ata shtojnë se inflacioni parashikohet të vijojë të jetë i ulët.

“Ne e përkrahim qëndrimin e Bankës së Shqipërisë për të ndjekur një politikë lehtësuese monetare dhe regjim të lirë të kursit të këmbimit. Mbështetja për ekonominë duhet të vijojë në vitin 2021, por me rimëkëmbjen e rritjes ekonomike, buxheti duhet të përpiqet të arrijë edhe një rënie modeste të nivelit të borxhit”, shkruhet në raport.

“Ka nevojë për të përgatitur masa rezervë në rast të një pandemie më të rëndë. Financat publike—baraspeshim mes mbështetjes për ekonominë dhe adresimit të hendeqeve në zhvillim, me nevojën për të rikrijuar hapësirë për manovrim me politika buxhetore dhe për të ulur borxhin Rritja e konsiderueshme e defiҫitit fiskal në vitin 2020 për të zbutur ndikimin e krizave është e përligjur”, shkruan FMN.

Përsa i përket rimëkëmbjes së ekonomisë ata parashikojnë se mund të tkurret me 7.5% në vitin 2020. Deri në fund të këtij viti parashikohet që borxhi publik të rritet pak mbi 80% të PBB-së.

“Për shkak të varësisë ndaj turizmit dhe ndaj dërgesave të emigrantëve, ekonomia parashikohet të tkurret me rreth 7,5% në vitin 2020. Defiҫiti fiskal parashikohet të rritet në rreth 7 përqind të PBB-së dhe borxhi publik pak mbi 80 përqind të PBB-së deri në fund të vitit 2020. Mbështetja financiare ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të FMN-së, si dhe emetimi i Eurobondit në qershor do të ndihmojë në mbulimin e nevojave për financim.

Vendimi i Bankës së Shqipërisë për t’i lehtësuar përkohësisht rregullat për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive mund të vonojë kohën kur ndikimi i goditjeve në cilësinë e aktiveve dhe pozicionin e kapitalit mund të vlerësohet me saktësi. Ne theksojmë rëndësinë e ruajtes së rregullave për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive në mënyrë që humbjet e mundshme të bankave të vlerësohen sa më saktë është e mundur”, shkruan FMN.

FMN deklaron se rindërtimi duhet të bazohet në transparencë.

Deklaratë përmbyllëse e ekipit të Misionit të Monitorimit Pas Programit për shpërndarje të menjëhershme:

Deklarata përmbyllëse përshkruan konstatimet paraprake të ekipit të FMN-së në mbyllje të një vizite virtuale nga një ekip zyrtar (ose “misioni”). Misionet kryhen si pjesë e konsultimeve të rregullta (zakonisht vjetore) në bazë të Nenit IV të Statutit të FMN-së, në kuadër të një kërkese për të përdorur burimet e FMN-së (hua nga FMN), si pjesë e diskutimeve të programeve të monitoruara nga ekipi ose si pjesë e monitorimeve të tjera që u bën ekipi zhvillimeve ekonomike.

Autoritetet kanë dhënë pëlqimin për publikimin e kësaj deklarate. Pikëpamjet e shprehura në këtë deklaratë janë të ekipit të FMN-së dhe nuk përfaqësojnë medoemos pikëpamjet e Bordit Ekzekutiv të FMN-së. Mbështetur në konstatimet paraprake të këtij misioni, ekipi do të përgatisë një raport i cili, në varësi të aprovimit nga instancat drejtuese, do t’i paraqitet Bordit Ekzekutiv të FMN-së për diskutim dhe vendimmarrje. Uashington, D.K. – 28 shtator 2020.

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zonjës Yan Sun, zhvilloi një vizitë virtuale gjatë periudhës 17-28 shtator 2020, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të parë Pas Programit (MPP). Procesi i MPP-së është instrument mbikëqyrjeje i rregullt në ato vende që kanë një nivel kredie të pashlyer të FMN-së, në mbi 200 për qind të kuotës.

Misionet e MPP-së kanë fokus të veçantë te pikat e dobëta dhe risqet për aftësinë ripaguese ndaj FMNsë. Në përfundim të vizitës, misioni doli me këtë deklaratë: Pikat kryesore Tërmeti i muajit nëntor 2019 dhe pandemia e COVID-19 kanë pasur pasoja të mëdha për jetën e njerëzve dhe ekonominë e Shqipërisë. Falë menaxhimit të përshtatshëm të politikave dhe kushteve financiare lehtësuese në botë, stabiliteti makroekonomik dhe financiar i Shqipërisë është ruajtur.

Kapaciteti i Shqipërisë për t’i kthyer huanë Fondit është gjerësisht i përshtatshëm, por risqet janë rritur për shkak të krizave. Krahas një pandemie botërore më të rëndë, risqet kryesore vijnë nga defiҫitet dhe borxhi i rritur publik, dobësitë në financat publike dhe nga një nivel relativisht i lartë i kredive me probleme. Menaxhimi i këtyre risqeve mes pasigurive të mëdha do të kërkojë mbështetjen e vazhdueshme për ekonominë, duke rikrijuar gradualisht hapësirën për manovrim të politikave ndërkohë që rimëkëmbja të hedhë rrënjë, si edhe mbikëqyrje më të afërt të sektorit financiar.