Integrimi

Dy shqiptarë nga Gjeneva, vullnetarë humanitarë në Afrikë

Albani dhe Lumbardhi kanë një rrëfim shumë interesant për ta ndarë me të tjerët. Ata, së bashku me një grup të madh vullnetarësh, kanë qenë pjesë e një projekti humanitar të realizuar në një fshat të varfër në Madagaskar, Afrikë

 

“Një  grup i të rinjve zviceranë që jetojnë në Gjenevë, nën udhëheqjen e edukatorit të BUUP «Bus unité prevention parcs» Humberto Lopes kishin organizuar një projekt humanitar për dërgimin e ndihmave në Afrikë, në një fshat të Madagaskar. Ndihmat e destinuara për atje ishin duke filluar nga artikuj higjenikë, barna, materiale shkollore veshmbathje të ndryshme veshje sportive, lodra të ndryshme fëmijësh etj. Në këtë projekt ku ishin të angazhuar 89 të rinj, bënim pjesë ne të dy”, tregojnë për albinfo.ch  Alban Veseli dhe Lumbardh Ferati nga Gjeneva, me prejardhje nga Kosova.

Kërkojnë punnë Gjenevë për të grumbulluar para për projektin humanitar në Afrikë

Sigurisht, për tu realizuar një projekt kaq i rëndësishëm duhej edhe një buxhet mjaft i lartë. Për ta siguruar atë, me ndihmën e z.Humbert, këta të rinj fillimisht u desh të gjenin punë. Parapërgatitja për projekt zgjati rreth një vit e gjysmë, kështu që ata gjatë kësaj kohe punuan në Gjenevë nëpër restorante, kopshte, në ngjitjen e reklamave në rrugë, shpërndarje të gazetave, në shitjen e ushqimeve të ndryshme etj. E gjithë kjo për tu siguruar një bazë sado e vogël  për aksionin humanitar. Në fund, nga ky angazhim i të rinjve u siguruan 84 mijë franga. Pastaj, ata u ndihmuan edhe nga sponsorë të tjerë, duke u grumbulluar kështu gjithsej 217 mijë franga.

Për të vazhduar realizimi i këtij udhëtimi, të rinjtë janë ndarë në dy grupe. Njëri grup udhëtoi në dy javët e para të muajit prill ndërsa grupi i dytë dy javët e fundit të shtatorit. Në grupin e dytë patën fatin të jenë së bashku Albani dhe Lumbardhi.

Nuk mund të imagjinosh se ekziston në botë një vend kaq i varfër!

Pas kthimit, ata tregojnë për albinfo.ch me plot emocion eksperiencën e tyre nga ky udhëtim. Për dy javë të rinjtë nga Zvicra kanë jetuar me banorët e këtij fshati. Fillimisht janë vendosur në një stallë me dyshekë fare të thjeshtë. Ata tregojnë se aty kishte edhe minj dhe insekte të ndryshme. “Ishte aq e vështirë për ne sa që nuk mund të prisnim deri sa të vinte mëngjesi. Pastaj, me zbardhjen e dritës ne u zgjuam në një botë tjetër. Thjesht, nuk mund ta imagjinosh se ekziston në këtë tokë një vend aq i varfër. Edhe sot kur e kujtoj, nuk mundem të fle”, thotë Albani.

“Ne kishim shkuar me qëllimin që të ndërtonim një shkollë mirëpo kishin ndodhur ndryshime meteorologjike kështu që u detyruam të ndërronim projektin” tregon Lumbardhi tek rrëfen se si jetuan jetën me banorët e fshatit afrikan. “Aty, i madh dhe i vogël punonin që nga ora  6 e mëngjesit deri në orën 18. `Nëse punon ke për të ngrënë`: kjo ishte motoja. Më kujtohet se si një fëmijë 4 vjeçar thyente gurë me një çekan të vogël. Këta gurë thyheshin në mënyrë që prej tyre të bëhej betoni  për ndërtim. Dhe, të  gjithë ata punonin për 1 euro në ditë. Edhe ne sigurisht që iu bashkëngjitëm atyre. Punonim në një temperaturë të lartë 34 -35 gradë ndërsa ujin e kishim me dozë të caktuar, rrëfejnë Albani dhe Lumbardhi. “Për ushqim na jepnin nga një pjatë të vogël me pak oriz dhe pak mish pule, asnjëherë mjaftueshëm. Ndërsa ne edhe atë pjatë e ndanim me banorët sidomos me fëmijët. Ishte e dhimbshme t`i shihje ata sy lutës, sikur kërkonin ndihmë nga ne…”

Projekti do të shtrihet edhe në Kosovë

Ata, gjatë aksionit, i kanë bartur materialet ndërtimore të gjitha me krah, për ndërtimin e fshatit. Gjatë qëndrimit të tyre në fshat, këta të rinj kanë organizuar aktivitete të ndryshme si futboll, basketboll, boks vallëzim, vizatim etj.

Duke evokuar kujtimet nga mjerimi që kishin parë, dy bashkëbiseduesit tanë sikur ndjehen me faj që vetë janë kthyer në jetën e rehatshme të Zvicrës dhe ata i kanë lënë në mjerim. “Mund ta imagjinoni, ne u kthyem, po ata i lamë atje. Ende më dalin para syve të gjithë ata njerëz aq të varfër por që nuk dorëzoheshin” thotë Albani. Ndërsa Lumbardhi shton: “po të kisha mundësi, së paku fëmijët do t`i merrja me vete. E kishim të vështirë të ktheheshim në jetën e përditshme në Zvicër”, thonë të dy.

Në vitin që vjen, projekti do të vazhdojë ne Senegal, ku dy të rinjtë shqiptarë janë sërish në të njëjtin grup. Ndërsa pas Senegalit projekti do të shtrihet edhe në Kosovë, me shpresën që të mos të ketë varfëri askund ne botë.

Lumbardhi dhe Albani thonë se në të ardhmen mendojmë të vazhdojnë rrugën e Humbertos “i cili  na motivon me aksione humanitare. Nuk do të thotë asgjë të jesh i pasur materialisht por e rëndësishme të jesh i pasur dhe human shpirtërisht”, thonë ata.