Integrimi

Diaspora është zemra ekonomike e Kosovës

Opinion nga Viktor Buzhala – analist dhe gazetar i ekonomisë në Prishtinë 

Kur mendon për Kosovën dhe zhvillimin e saj ekonomik, një element mbetet gjithmonë kyç: diaspora. Me rrënjët e saj të shpërndara kryesisht në Gjermani dhe Zvicër, diaspora kosovare vazhdon të jetë jo vetëm urë lidhëse me botën, por edhe gjaku jetik i ekonomisë së Kosovës. Të dhënat e fundit nga Banka Qendrore e Kosovës konfirmojnë këtë realitet: vetëm në vitin e fundit, remitancat kanë arritur shumën marramendëse prej më tepër se 1.3 miliardë eurosh. Që nga shpallja e pavarësisë, diaspora ka dërguar mbi 15 miliardë euro remitanca, duke siguruar stabilitet ekonomik për qindra mijëra familje në Kosovë.

 

Shifra që flasin vetë

Por remitancat nuk janë e vetmja formë e mbështetjes që diaspora i jep vendit. Një fushë e rëndësishme e investimit nga diaspora është blerja e patundshmërive. Afro 600 milionë euro çdo vit kanalizohen në tregun e pasurive të paluajtshme, duke bërë diasporën kontribuesin kryesor të investimeve të huaja direkte. Mbi 165 mijë shtëpi dhe banesa janë në pronësi të qytetarëve tanë nga diaspora, duke paraqitur 25 për qind të totalit të hapësirave banuese në Kosovë. Edhe sektorin e patundshmërive investimi në total shkon në mbi 15 miliardë euro, duke qenë për shumë vjet shtylla kryesore e Investimeve të Huaja Direkte sipas BQK-së.

Ky investim jo vetëm që nxit zhvillimin e sektorit të ndërtimeve, por edhe krijon vende pune dhe gjallëron sektorin e shërbimeve të ndërlidhura.

Një formë tjetër e kontributit ekonomik të diasporës janë vizitat në vendlijde, duke paraqitur bazën kryesore të zhvillimit të turizmit në Kosovë. Gjatë një viti, diaspora realizon mesatarisht 2.3 milionë vizita në Kosovë. Duke marrë parasysh mesataren e një vizite që zgjat një javë dhe bazë shpenzimin prej 100 euro në ditë për person, kjo përkthehet në mbi 1.6 miliardë euro në vit që diaspora shpenzon vetëm për qëndrimin dhe konsumin e përditshëm. Restorantet, hoteleria, tregtia dhe sektori i transportit përjetojnë një rritje domethënëse të qarkullimit falë këtyre vizitave.

Një faktor kyç ekonomik është edhe eksporti i shërbimeve të udhëtimit, i cili ka arritur shumën prej 2.5 miliardë eurosh në vit, ku mbi gjysma e kësaj shume buron drejtpërdrejt nga diaspora. Linjat ajrore, kompanitë e autobusëve dhe të gjitha bizneset që operojnë në sektorin e transportit përjetojnë rritje falë qarkullimit të madh të bashkatdhetarëve që vizitojnë Kosovën.

Pesë miliardë euro në vit: Gjysma e GDP-së së Kosovës

Kur mbledhim të gjitha këto shifra, rezulton se diaspora kontribuon rreth 5 miliardë euro në vit në ekonominë e Kosovës. Kjo përkthehet në afër 50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP), duke e bërë diasporën faktorin më të rëndësishëm ekonomik për vendin. Pa këtë mbështetje financiare, ekonomia e Kosovës do të përjetonte vështirësi serioze, pasi shumë sektorë varen drejtpërdrejt nga kapitali që vjen nga jashtë.

Faleminderit, Diasporë!

Ky kontribut i madh ekonomik nuk mund të kalkulohet vetëm me shifra. Ai reflekton dashurinë e diasporës për vendlindjen dhe ndjenjën e përkushtimit për ta mbajtur Kosovën të fortë. Përderisa sfidat ekonomike vazhdojnë të ekzistojnë, diaspora mbetet një burim shprese dhe stabiliteti.

Prandaj, sa herë që një bashkatdhetar kthehet në Kosovë, nuk po sjell vetëm dashuri dhe mall, por edhe gjallërim ekonomik, zhvillim dhe perspektivë për brezat e ardhshëm. Kështu, një “Faleminderit!” nga zemra për secilin prej tyre nuk mjafton, por mbetet e domosdoshme të vlerësojmë dhe të ruajmë këtë lidhje të fortë që diaspora ka me Kosovën. Sepse pa diasporë, nuk ka mirëqenie.

Le të mbajmë hapur dyert e bashkëpunimit dhe ta vlerësojmë këtë urë të fortë që lidh Kosovën me botën, me një falënderim të madh: Faleminderit, Diasporë!

Viktor Buzhala – gazetar I ekonomisë në Prishtinë