Tematike
Dhuna në familje nuk ka të bëjë me etninë dhe kulturën
Dhuna familjare nuk është problem i të huajve. Këtë e dëshmojnë shifrat nga shtëpitë për strehimin e grave
Vrasja e dyfishtë që ndodhi ditë më parë në Pfäffikon të Cyrihut po vazhdon të preokupojë opinionin zviceran. Në emisionin e njohur “Club” që emetohet të martave, temë debati ishin pikërisht këto vrasje, me fokusim në gjetjen e shkaqeve të tyre dhe në mundësitë e parandalimit.
Në këtë emision merrnin pjesë njohës të problematikës, si Carola Ernst, drejtuese e shkollës për integrim “Akrotea.ch”, Fischental, Andreas Brunner, kryeprokuror shtetëror në Kantonin e Cyrihut, Carlo Häfeli, avokat dhe kryetar i organizatës për mbrojtjen e viktimave të dhunës “Weisser Ring” Susan A. Peter, udhëheqëse e fondacionit “Frauenhaus” Zürich Riza Demaj, kryetar i LAPSH-it për kantonin Aargau, po ashtu aktivist i njohur, përkthyes dhe këshilltar juridik dhe Lucie Rehsche, udhëheqëse e Qendrës Sociale “Dorflinde”, Zürich.
Në përpjekje për të zbuluar rrënjët e problemit, pjesëmarrësit shpalosën përvojat dhe njohuritë e tyre nga lëmenjtë specifikë prej nga vijnë. E përbashkët për shumicën e pjesëmarrësve në debat ishte bindja e shprehur se dhuna familjare dhe vrasjet e fundit nuk janë specifikë e një kulture ose një etnie të veçantë.
Kështu për Susan A. Peter, nga “Frauenhaus”, kjo vrasje, me gjithë peshën që ka, nuk është diçka e jashtëzakonshme në përditshmërinë zvicerane. Sipas saj “mesatarisht në çdo 14 ditë në Zvicër vritet një grua nga ish bashkëshorti i saj”. Ajo po ashtu ka këmbëngulur se “dhuna familjare nuk është problem i të huajve ose i imigracionit dhe as problem shtresash shoqërore. Këtë e dëshmojnë shifrat nga shtëpitë për strehimin e grave dhe këshillimoreve. Dhuna familjare është një problem në kontekstin e raporteve në mes të gjinive.
Nevojën për të ushtruar kontroll dhe forcë e kanë edhe meshkujt zviceranë ashtu si dhe ata nga kulturat e huaja. Po këtë e ka vërtetuar edhe Carol Ernst. Ajo ka thënë se në shkollën ku punon ka më së shumti rastet të paraqitura ku burrat zviceranë kanë ushtruar dhunë mbi partneret e tyre me prejardhje të huaj.
Ndërsa pjesëmarrësi shqiptar në këtë debat, Riza Demaj, i ballafaquar me pyetjet nëse tragjedia e fundit në Pfäffikon ka të bëjë me specifikat kulturore të rrethit shoqëror shqiptar, ka mohuar kategorikisht këtë. Ai ka thënë se kjo vrasje nuk mund të vihet në lidhje me kulturën shqiptare. “Vrasja e gruas, nuk ka të bëjë asgjë me kulturën tonë, përkundrazi, një veprim i tillë konsiderohet i turpshëm”, ka thënë Demaj.
Po ashtu vrasja e punëtores sociale në këtë rast, sipas Riza Demajt është diçka e papranueshme për shqiptarët. “Nuk i takon kulturës sonë që të vrasësh dikë që të ka ndihmuar”, ka thënë Demaj, ndërsa lidhur me “vrasjet e nderit” ai ka thënë se ato i takojnë një gjenerate të kaluar.
Kryeprokurori i Cyrihut, Andreas Brunner, është përballur me kritikat për mosmarrjen e masave nga ana e shtetit për të parandaluar rastet e tilla, kur, sikur në rastin e vrasësit Shani S., nuk kanë munguar paralajmërimet. Ai me këtë rast ka thënë se “policia ka në duar mjete të kufizuara për veprim. Shani S. nuk ka qenë deri më tash i dënuar”.
Por edhe Brunner ka konsideruar si shumë të rëndësishëm këmbimin e informatave në mes të enteve dhe institucioneve, sikur në këtë rast në mes të entit social dhe policisë dhe organeve të drejtësisë.
Si përfundim i emisionit doli se dhuna familjare nuk mund të eliminohet kurrë, por ia vlen të punohet drejt parandalimit të rasteve. Dhe, sidomos, siç tha Carol Ernst, të mos ngarkohet me faj një kulturë ose një etni.
“Dhuna familjare është një temë intime, që shkakton tmerr dhe pafuqi. Për këtë arsye njerëzit më me dëshirë në këto raste gjejnë një “fajtor kujdestar”, çfarë në rastin më të ri është përkatësia një kulture të caktuar”.
E-Diaspora
-
Mbi 50 mijë aplikime nga diaspora për votim, prijnë votuesit nga Gjermania dhe Zvicra Mbi 50 mijë qytetarë nga diaspora kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit... -
Cyrihu duartroket filmin e Ibër Dearit “Krejt e thirrin Rexhën” -
Akademik Fehmi Agani u kujtua si “truri i rezistencës civile” të viteve `90 -
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur -
Prishtinë
Koncert i muzikës klasike në Prishtinë me Victor Julien-Laferrière dhe Filharmoninë e Kosovës
Jeta në Austri
-
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet Këtë javë, në Vjenë do të zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja e edicionit të 70-të të Eurovisionit.... -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten -
Vjenë
Libri me poezi ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’ do të promovohet edhe në Vjenë












